4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Kosovë, gjenden mbetje mortore të një viktime në rrethinë të Mitrovicës

Më të lexuarat

“Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen për ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së…”, tha Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Në fshatin Suhodoll të Komunës së Mitrovicës janë gjetur mbetje mortore të një viktime, të cilat dyshohen se mund t’i përkasin një personi të Listës së Personave të Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi se gjatë gërmimeve të së mërkurës në Suhodoll të Mitrovicës janë gjetur dhe janë zhvarrosur mbetje mortore të një viktime.

Sipas komisionit qeveritar, gërmimet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen për ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së. Gërmimet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do t’iu mbajë të informuar për rezultatet e gjetjeve”, thuhet në njoftim.

Më tej, theksohet se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për ta vazhduar angazhimin dhe punën “duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për t’i dhënë fund ankthit 24-vjeçar të pritjes së familjarëve për ta ditur vendndodhjen e më të dashurve të tyre”.

Që nga lufta e vitit 1998-99, në Kosovë ende nuk dihet fati i rreth 1.600 personave.

/trt BALLKAN/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit