1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Heqja e vizave për Kosovën nga Bosnja e Hercegovina mbahet peng nga Dodiku

Më të lexuarat

Anel Kovaçeviq, shtetas i Kosovës me përkatësi boshnjake ndihet i harruar nga Bosnja e Hercegovina. I riu nga Peja, i cili është lindur e rritur në Kosovë, shpreh brengën që ai së bashku me qytetarët e të dy vendeve nuk po mund të udhëtojnë lirshëm për shkak të regjimit të vizave. Për shkak të çështjeve të pazgjidhura politike, janë qytetarët ata që vazhdojnë të pësojnë më së shumti.

Pavarësisht marrëveshjes për lirinë e lëvizjes ndërmjet dy vendeve e cila buron nga Procesi i Berlinit, as boshnjakët e as kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm nga Kosova në Bosnjë e Hercegovinë dhe anasjelltas. E gjitha për shkak se një marrëveshje e tillë nuk ka gjetur mbështetje nga të gjitha etnitetet e Presidencës boshnjake, apo thënë ndryshe, është bllokuar nga Republika Serbe në krye me Millorad Dodik-un.

“Ka shumë persona të moshuar që nuk munden të vizitojnë familjarët e tyre të afërt, sepse procedura për të marrë vizë në Shkup është e vështirë dhe mjaft e kushtueshme. Puna e vizave i ka vështirësuar gjithashtu edhe vizitat kulturore që realizoheshin në të kaluarën, duke i rralluar dhe shkëputur shumë lidhje”- shprehet Kovaçeviq në një bisedë me KALLXO.com.

Në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në Bosnjë dhe Hercegovinë, kërkohet vizë e cila lëshohet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm me nënshkrimin e ministrit të Punëve të Jashtme të vendit. Megjithatë, aplikimi për vizë nuk bëhet në Kosovë, por vetëm në Shkup, Beograd dhe në Podgoricë.

“Paradoksi më i madh është që shumica e gjeneratave të reja të qytetarëve boshnjakë në Kosovë nuk e kanë vizituar kurrë Bosnjë e Hercegovinën, duke e ditur që dëshira për ta vizituar këtë vend ekziston”- rrëfen i riu nga Peja.

Kuvendi i Kosovës më 23 shkurt 2023 ka ratifikuar Marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Kuvendin e Bosnjës dhe Hercegovinës. E njëjta është pritur të votohet më 23 shkurt 2023 edhe në Këshillin e  Ministrave në Bosnjë, por Këshilli e kishte shtyrë këtë pikë. Kjo marrëveshje është njëra prej tri sosh të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Që të fillojë zbatimi i marrëveshjes duhet që dokumentet të ratifikohen në të dy parlamentet brenda 18 muajve. Sipas vendimit të Këshillit të ministrave të BiH nga viti 2012, qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në këtë shtet si turistë.

Se a pritet që kjo marrëveshje të vendoset në një të ardhme të afërt në rend të ditës në Këshillin e Ministrave në BiH, ende nuk është e sigurt. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi thotë se në bazë të bashkëbisedimeve të saj me ministrin e jashtëm të BiH-së, Elmedin Konakoviq, kanë pritur që për këtë çështje të vendoset në maj të këtij viti, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Procesi duhet të kalojë në Qeveri e pastaj të votohet nga deputetët në Parlamentin e BiH-së.

Rexhepi shpjegon se kur muajin e kaluar e ka vizituar Sarajevën dhe ka marrë vizë në Podgoricë për disa ditë, ka ardhur në përfundim se “një zvarritje e tillë e qytetarëve është vërtetë e papranueshme”.

“Ky keqtrajtim i njerëzve moralisht dhe materialisht është thjeshtë i papranueshëm. Ne duam të forcojmë edhe lidhjet tona kulturore, akademike dhe sportive, mbi të gjitha në planin politik dhe ekonomik” – thotë Rexhepi për KALLXO.com.

Së fundmi, më 28 maj 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka rikujtuar rëndësinë që ka fillimi zbatimit të marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës. Të njëjtën çështje, Kurti e ka ngritur edhe gjatë Samitit në Kotor më 16 maj 2024.

“Aktualisht jemi të pakënaqur nga fakti se Bosnje Hercegovina nuk ka ratifikuar ende marrëveshjen për lëvizjen e lirë”- ka deklaruar Kurti në këtë samit.

Zvarritja e madhe 

Prej vitesh, heqja e vizave me Kosovën është kundërshtuar nga Millorad Dodik, i cili është në krye të Aleancës qeverisëse të Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).

Adnan Çerimagiq, analist i lartë në Iniciativën Evropiane të Stabilitetit (ESI), shtjellon se edhe pse korniza ligjore për heqjen e kërkesave për viza ndërmjet dy vendeve u vendos në vitin 2022, një gjë e tillë në parim u mbështet nga Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ai e pranon që procesi i aplikimit për vizë për të shkuar në Bosnjë duhet të plotësojë “kushte shumë të rënda”.

Por, që atëherë Kosova ka kryer pjesën e saj të obligimeve dhe Bosnjë e Hercegovina jo. Çerimagiq, thotë se arsyeja kryesore është se Dodik dhe partia e tij- SNSD, të cilat mbajnë veto mbi hapat e ardhshëm në zbatimin e marrëveshjes, janë përpjekur ta përdorin atë si një instrument për të çuar përpara interesat e tyre politike.

Edhe pse procesi po zvarritet për çështje puro politike, Çerimagiq në një intervistë për KALLXO.com thotë se një gjë e tillë nuk do të thotë se po dështon Procesi i Berlinit. Veç pse ende nuk ka sukses të plotë, sipas tij, nuk duhet të konsiderohet si dështim.

“Synimi i udhëtimit pa viza mes dy vendeve është sot shumë më afër se dy vjet më parë. Kjo u bë e mundur falë kornizës ligjore dhe politike të ofruar nga Procesi i Berlinit”- thotë analisti, duke shtuar se me marrëveshjen rajonale për udhëtimin me karta identiteti, Procesi i Berlinit ka krijuar një kuadër ligjor për heqjen e regjimit të vizave. Përveç saj, ky proces, sipas tij, ka krijuar gjithashtu një kornizë politike për ata në Bosnjë e Hercegovinë që ta pranojnë dhe ta “tretin më lehtë”.

Çerimagiq thotë se tashmë të dy shtetet janë më afër udhëtimit pa viza sesa dy vjet më parë, por deri tani as Milorad Dodik dhe as partnerët e tij nuk kanë sinjalizuar tërheqjen e plotë të kësaj mbështetjeje. E sipas tij, fokusi duhet të jetë në finalizimin e këtij procesi dhe jo të mendohet për alternativa të mundshme.

“Millorad Dodik dhe partnerët e tij në Republika Serbe janë për momentin e vetmja forcë politike që qëndron në rrugën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”- shton ai.

Sipas shifrave të fundit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, 23 milionë njerëz kanë udhëtuar lirisht me karta identiteti në të gjithë rajonin që nga nënshkrimi i Marrëveshjes, nga ta 13 milionë vetëm në gjashtë muajt e fundit.

E, sipas Çerimagiq, mungesa e një mundësie të tillë për ata që dëshirojnë të udhëtojnë ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës ka ndikim negativ në ekonomi, duke përfshirë tregtinë dhe turizmin, por edhe shkëmbimin kulturor dhe fetar, dhe më e rëndësishmja që “njerëzit të kontaktojnë njerëzit”.

Se këto çështje janë aq të ndërlikuara politikisht nuk u intereson qytetarëve. Ata gjithçka që duan është që mos të kalojnë në procedura të lodhshme për të marrë një vizë.

Anel Kovaçeviq thotë se e kupton që arsyeja kryesore që Bosnja e Hercegovina nuk i ka pranuar dokumentet dhe Pavarësinë e Kosovës është si pasojë e kundërshtimit nga entiteti Republika Serbe.

Megjithatë, ai thotë se politikanët boshnjakë dhe kroatë nuk kanë pasur asgjë kundër, por njohja e pavarësisë, ratifikimi i marrëveshjeve dhe vendimeve të mëdha në Bosnjë, sipas Marrëveshjes së Dejtonit duhet të koordinohen të tri palët, pra nga ajo boshnjake, serbe dhe kroate.

“Nga mosratifikimi i marrëveshjes në BiH nuk pëson vetëm komuniteti boshnjak por edhe qytetarët e tjerë të Kosovës, meqë lidhjet familjare e ato kulturore janë shumë prezente edhe tek qytetarët shqiptarë, turq, goranë dhe të tjerë”- thotë Kovaçeviq.

Ai ka shpresën që Bashkimi Europian do të ndikojë që të ketë një zgjidhje sa më parë.

Zëvendëskryeministrja Rexhepi thotë se derisa etniteti në krye me Dodikun e shkel marrëveshjen, ajo është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë politikanët boshnjakë që janë në qeveri si dhe me deputetë nga parti të ndryshme politike që janë të gatshëm të votojnë marrëveshjen dhe ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

“Republika Serbe e ka stagnuar procesin e njohjes. Pa përfaqësuesit e tyre në parlament është e pamundur të kalojë ratifikimi i marrëveshjes”- thotë ajo.

Më 27 qershor 2023, deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe votuan për të ndaluar miratimin e Marrëveshjes për liri të lëvizjes në Ballkanin Perëndimor. Kjo veto ishte propozuar nga anëtarja e Presidencës, Zheljka Cvijanoviq, e cila deklaroi se është mbivotuar në seancën e fundit të kreut kolektiv të shtetit, të martën, më 27 qershor.

Ajo kishte propozuar veto për shkak të “përshkallëzimit të krizës në veri të Kosovës”, duke arsyetuar se “regjimi” i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “nuk meriton përfitime”.

Në vitin 2014, për shkak të regjimit të vizave nga Bosnjë e Hercegovina, Kosova i vendosi masa duke vendosur kështu viza për qytetarët e këtij shteti.

Pas Serbisë, Bosnjë e Hercegovina është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e njeh Kosovën. Për të njohur Kosovës, duhet që tre anëtarët e Presidencës së BiH-së të pajtohen për një gjë të tillë.

/Kallxo.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit