-0.5 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Përkujdesja e fesë Islame ndaj ndjenjave të femrës në divorc (2)

Më të lexuarat

Dr. Sadat Rrustemi

Feja Islame, që nga ditët e para të shpalljes së fundit, ka ndërmarrë hapa shumë konkretë në ruajtjen e një prej institucioneve ma fondamentale në rrafshin social, pra ruajtjen e martesës deri në përfundim të jetës, me qëllim që çiftet të gjejnë prehje dhe lumturi pranë këtij institucioni, si dhe të jenë të aftë të rrisin dhe edukojnë fëmijët e tyre në mënyrë të duhur.

Nga ky këndvështrim, akti martesor konsiderohet ndër lidhjet njerëzaore më të rëndësishëm, por edhe më të shenjta, ngase Ligjvënësi këtë akt në mes të dy bashkëshortëve e ka trajtuar si marrëveshje të fortë, siç thotë Allahu xh.sh në Kuran: “Ato (gratë) kanë marrë prej jush një marrëveshje të fortë” (En-Nisaë, 21). Prandaj tentimi për prishjen e kësaj marrëveshjeje është e papëlqyer juridikisht, sepse vetë marrja e rrugës së divorcit është çështje e urryer tek Allahu i Madhërishëm, siç deklaron Muhamedi a.s: “Gjëja e lejuar më e urryer tek Allahu është divorci” (Ebu Davudi, 2178). Por edhe kush tenton zbehjen apo prishjen e raporteve bashkëshortore, praktikisht ndikon në divorcim, konsiderohet mëkatar sipas normave fetare, duke iu referuar thënies së Muhamedit a.s: “Nuk konsiderohet prej nesh ai që e bën një grua të prishë lidhjen me burrin e saj”. (Tirmidhiu, 1187)

1. Legjitimiteti i divorcit në Islam

Ashtu siç kemi theksuar në shkrimet tona paraprake, jurisprudenca Islame i ka paraprirë harmonizimit të kësaj çështjeje si dhe shumë të tjerave, me qëllim që t’i evitojë vështirësitë apo konfliktet e mundshme ndërbashkëshortore. Të shumta dhe të ndryshme janë faktet që flasin lidhur me ligjshmërinë e divorcit në Islam. Prej tyre të theksojmë:

-Thotë Allahu xh.sh në Kuran: “Nuk është mëkat për ju nëse i divorconi gratë pa pasur kontakt me to…” (El Bekare, 26). Citati në fjalë sinjalizon se Allahu xh.sh. lejon divorcimin e gruas mbas aktit martesor dhe para martesës me të,1 e ky është njëri nga llojet e divorcit, që vërteton parimisht lejueshmërinë e tij.2

-Po ashtu Allahu xh.sh thotë: “Divorci (pas të cilit nuk mund të bëhet rikthimi), është dy herë (e pastaj) ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore), ose divorcim me mirëkuptim”. (El Bekare, 229). Edhe ky citat dëshmon qartazi se numri i divorcimeve që i posedon burri janë tri, dy herë ka të drejtë kthimi, kurse të tretën herë të divorcimit nuk ka të drejtë ta rikthejë bashkëshorten, e numri i divorcimeve është formë për legjitimitetin e tij.3

-Nafiu tregon se Ibn Umeri r.a. e kishte divorcua gruan e tij gjatë kohës sa qe ajo me ciklin mujor. Umeri r.a. e kishte pyetur Profetin lidhur me këtë, dhe ai i kishte thënë: “Urdhëroje djalin tënd që ta rikthejë gruan e tij dhe ta mbajë atë derisa të pastrohet, pastaj le të presë që t’i vijnë menstruacionet për herë të dytë dhe derisa të pastrohet. Pas kësaj, ai mund ta mbajë atë nëse dëshiron ose mund ta ndajë para se të ketë marrëdhënie me të. Kjo është periudha e pritjes që e ka detyruar Allahu për t’i divorcuar gratë në bazë të saj”. (Buhariu, 5251 dhe Muslimi 1471).

-Ekziston konsensusi i dijetarëve islamë gjatë gjithë shekujve se divorci është i ligjshëm.4

-Gjithashtu edhe faktet logjike e teorike vërtetojnë ligjshmërinë e divorcit, kur dihet se mund të përkeqësohet gjendja në mes dy bashkëshortëve, prandaj në këtë mënyrë pamundësohet vazhdimi i jetës në mes tyre, duke e dëmtuar njëri tjetrin, kështu që ka ndërhyrë jurisprudenca islame duke e bërë legjitim divorcin për t’i evituar dëmet e mundshme dhe për të vazhduar jeta më tutje.5 Në anën tjetër, sikur të mbyllej

dera e divorcit, do të kishte pasoja të pa evituara, duke pasur parasysh se karakteret e njerëzve dallojnë dhe jo rrallë nuk mund të përputhen, ose njëri partner mund të jetë i papërshtatshëm për partnerin tjetër.

2. Statusi i divorcit në Islam

Juristët muslimanë kanë mendime të ndryshme për sa i përket kësaj çështjeje. Disa mendojnë se divorci në parim është i lejuar, ani pse më me prioritet është ruajtja e aktit martesor, duke mbajtur parasysh dëmet që shkaktohen prej divorcit. Këta dijetarë, për mendimin e tyre, u referohen argumenteve të posatheksuara mbi ligjshmërinë e divorcit. Kurse një pjesë e dijetarëve islamë-ndër ta edhe dijetarë të shkollës juridike hanefite mendojnë se divorci në parim është i ndaluar, posaçërisht nëse është i panevojshëm, ngase dëmet e tij janë të pariparueshme për gruan dhe fëmijët, duke shtuar këtu edhe atë se, nëse ndodh divorcimi pa nevojë, konsiderohet mohim i dhuntive dhe begative të Allahut xh.sh.6 Me gjithë divergjencat e dijetarëve lidhur me

statusin e divorcit, përfundimisht, të gjithë dijetarët janë kompatibël se divorci përfshin pesë kategoritë juridike, që do të thotë: Divorci për dikë është i detyrueshëm, si në rastin e palës ndërmjetësuese, nëse dështon pajtimi në mes tyre; Për dikë divorci mund të jetë i ndaluar, sikurse divorci gjatë ciklit mujor, apo pas marrëdhënieve intime, kur ajo është e pastër; Ka raste kur divorci është i lejuar, si për shkak të sjelljeve jo të mira të gruas, kur e dëmton bashkëshortin, apo kur burri nuk mund t’i realizoj përmes saj synimet e martesës; Njëkohësisht divorci mund të jetë edhe i urryer sikur ai ndodh pa arsye të domosdoshme; Gjithashtu për dikë divorci mund të jetë i pëlqyer, kjo ndodh në rast se gruaja nuk i kryen obligimet ndaj Allahut Fuqiplotë, duke mos pasur mundësi burri ta detyroje atë ose në rast se gruaja është e pandershme.7

3. Urtësia e legjitimitetit të divorcit.

Nga objektivat e fesë Islame është dhe ruajtja e qenies njerëzore, ruajtja e etnogjenezes, mbrojtja e nderit etj., sepse të gjitha këto objektiva simbolizojnë vazhdimësinë e jetës bashkëshortore për të formuar familjen dhe për t’i edukuar pasardhësit, jo vetëm kaq, por akti martesor është tjegulla e parë në jetën sociale dhe ndërtimin e shoqërisë. Në rast se akti martesor nuk e luan rolin konstruktiv dhe objektivat paralizohen, atëherë ndërhyjnë urtësitë e jurisprudencës islame duke licencuar divorcin për ta përfunduar atë akt martesor, me qëllim që të evitohen dëmet dhe të realizohen interesat. Njëherësh, përmes kësaj norme fetare, ruhen interesi individual dhe ai shoqëror, në të kundërtën dëmet janë shumëdimensionale. Gjithashtu divorci është lejuar edhe për arsye të tjera fisnike, si në rast të pamundësisë së vazhdimit të jetës bashkëshortore për shkak të ndonjë sëmundjeje kronike, ose në rast steriliteti të ndonjërit nga partnerët, si dhe në raste të zhdukjes së bashkëshortit për një kohë të gjatë, kur pamundësohet përkujdesja ndaj bashkëshortes. Këto dhe raste të ngjashme ndikuan në lejimin e divorcit në Islam.8

4. Arsyet pse divorci është e drejtë ekskluzive e burrit

Nëse u referohemi fakteve islame, mund të përfundojmë se, në raste normale, burrit i jepet e drejta e divorcit (edhe pse femra posedon të drejtën e kërkimit të divorcit në disa raste, siç do ta sqarojmë). Lidhur me këtë rregull sinjalizojnë citate të shumta, ndër të cilat në kaptinën El Bekare, 26 dhe Et-Talak, 1, etj. Diskursi kuranor në të dy citatet u referohet meshkujve duke i përjashtuar femrat, aludon se kjo e drejtë është ekskluzive për meshkujt.9 Po ashtu, këtë të drejtë e promovojnë edhe thëniet profetike. Ndër të tjera, Muhamedi a.s thotë: “Divorci është e drejtë e atij që posedon gruan”. (Ibn Maxhe, 2081). Kurse Umeri r.a thoshte: “Divorci është në dorën e atij që i lejohet intimiteti i gruas”. (Abdurrezaku, 12971).

Feja Islame nuk ka përjashtuar as indikatorë të tjerë që femrës të mos i lihet në dorë, gjithnjë duke pasur parasysh se femra është e krijuar me instinkt më të veçantë, ajo është më sensitive se vetë mashkulli, më sentimentale, burim i mirësisë dhe butësisë, e tëra kjo një përgatitje për të qenë një nënë e dashur e përkëdhelëse. Por nuk duhet harruar gjithashtu as ana emocionale shumë e shprehur tek femra, zemërimi i shpejtë i saj etj., që të gjitha këto virtyte që tregojnë se, nëse gruas do t’i lihej në dorë divorci, ajo, sa herë që do të zemërohej, do ta merrte këtë vendim, e në këtë formë do të prisheshin lidhjet bashkëshortore për gjërat më të imëta.10 Ashtu siç duhet ditur se, sipas parimeve islame, burri është i ngarkuar me përkujdesjen ndaj gruas së tij, duke përballuar shpenzimet financiare të saj gjatë gjithë jetës, ai gjithnjë e ka në kujtesë se divorcimi i gruas e obligon atë për një martesë të re me po të njëjtat investime, dhe po ashtu burri është i detyruar t’i japë gruas së divorcuar pjesën e premtuar të mehrit-dhuratës së kurorës, si dhe një sasi të hollash për kompensimin e divorcit. Të gjitha këto bëjnë që burri të jetë (faktikisht) më i kujdesshëm e më i duruar që të mos ngutet në marrje të vendimit të divorcit.11

5. A është neglizhuar e drejta e femrës në divorc Islami, ashtu siç promovon vlerat e barazisë

gjinore në segmente të jetës, ku meritojnë të jenë të barabartë burri e gruaja, në mënyrë ekuivalente ka paraparë që edhe në divorc burri e gruaja të janë dy autorët më të rëndësishëm në vendimmarrje për t’i dhënë fund jetës bashkëshortore. Kjo mund të ndodhë kur burri nuk përkujdeset për gruan e tij, ose nuk mund t’i përballojë shpenzimet financiare të saj, në rast të kohëzgjatjes së tepërt të qëndrimit të tij jashtë familjes apo kur burri ka mungesa psikofizike që vështirësojnë jetesën me të, etj.. Në raste të tilla jurisprudenca islame i ka dhënë të drejtën femrës që t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar divorcim. Ashtu siç i mundësohet gruas të ndahet nga burri i saj nëse e urren atë. Kjo realizohet përmes këmbimit të një shume të hollash, të ofruara prej saj si kompensim, që njihet me nocionin (el-hul’a), apo, thënë më mirë, gruaja ia kthen burrit të sajë vlerën e dhuratës së kurorës.12 Këtë e vërteton citati kuranor El-Bekare,

229, si dhe thënia profetike e transmetuar nga Ibn Abasi r.a., se gruaja e Thabit ibn Kajs ibn Shemasit kishte shkuar te Pejgamberi a.s. dhe i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë nuk e qortoj burrin tim për moralin apo besimin e tij, por e urrej dhe kam frikë se do të bëhem mohuese edhe pse jam muslimane”. Pejgamberi a.s e pyeti: “A ia kthen atij kopshtin që ta ka dhënë për mehr në këmbim të divorcit?” ’Gruaja e pranoi këtë. Dhe atëherë Pejgamberi a.s. i tha Thabitit: “Pranoje kopshtin dhe divorcoje atë”. (Buhariu, 5276). Thotë Ibn Rushdiu: “Jurisprudenca islame ka lejuar nëse gruaja urren burrin, që ajo t’i japë fund jetës martesore me anë të divorcit, në këmbim të një shume të hollash të ofruar prej saj si kompensim (el-hul’a), ashtu siç e ka lënë divorcin në dorë të burrit, nëse ai e urren gruan”1

Përfundimisht, mund të themi se normat Islame kanë paraparë mekanizma të ndryshëm për t’i ofruar ndihmë femrës,. Në këtë rast ia ka lejuar asaj të kërkojë divorcim përmes gjykatës, nëse femrës i bëhet e padrejtë gjatë jetës martesore, apo nëse vështirësohet gjendja në mes të dy çifteve, atëherë i jepet e drejta e divorcit me anë të kompensimit të një shume të pasurisë apo kthimit të dhuratës së kurorës nga ana e gruas-elhul’a. Të gjitha këto veprime të Islamit aludojnë që Islami ka në konsideratë të drejtat e femrës si dhe ndjenjat e saj gjatë gjithë jetës së saj.

1) Ebi Abdilah Muhamed bin Ahmed bin Ebi Bekr el-Kur- tubi.Elxhamia li ahkam el ku’ran, bot 1, Muesset errisale, 2006, v. 4, f. 157.

2) Halid Muhamed Abdurreuf, ether en-nijeti fi et-talak ve ma jelhak bihi. Disertacion magjistrature në Universitetin al-Azhar, Fakulteti i Jurisprudencës Islame dhe Ligjit i Kajros, 2001, f. 50.

3) Ebi Bekr Muhamed bin Abdullah-ibn elarabi, Ahkam el kur’an, dar el kutub el ilmije, Bejrut-Liban, v. 1, f. 257-260, dhe ethe ren-nijeti fi et-talak, f.50.

4) El-Imam Ebi Ahmed Abdullah bin Ahmed bin Muhamed bin Kudame el-Makdisi, el-Mugni, v. 10, f. 2. Dar alem elkutub-Rijad, pa vit botimi dhe numër botimi. Dhe: Muhamed Emin bin Umer Abidin, Hashijet ibën Abidin dar el kutub el alemije-Rijad, bot i veçantë, 200, v.4.f.428

5) el Mugni 10/2

6) Hashijet ibën Abidin dar el kutub el alemije-Rijad, bot i veqntë, viti 200, v. 4. f. 428

7) Hashijet Ibn Abidin, Ibid. f.428.Muhamed bin Ahmed bin Arefe ed-Dusuki el Maliki, hashijet ed-Dusuki ala sherh el kebir, bot. 1, 1996, Dar el kutub el ilmije Bejrut-Liban, v. 2, f. 61, dhe: el-Mugni., v 10, f. 2.

8) Alaudin Ebi Bekr bin Mesud el Kasani el hanefi, bedaja es-sanaia fi tertip eshsheraia, bot. 2, dar el kitab el arabi, v., f. 112. Muhamed Ebu Zehre, el ahval esh-shahsije, dar el fikr elarabi, pa numër dhe vit botimi, f. 278. Merjem Ahmed ed-Dagistani, athar et-talak fi esh-sheria eli slamije. Disertacin mastri, universiteti al-Azhar, Fakulteti i Studimeve Islame dhe Arabe, viti 1975, f. 8-11.

9) ether en-ni- jeti fi et-talak ve ma jelhak bihi, f. 249.

10) Mr.Sadat Rrustemi, ahkam el muslimat fi dijar gajr el islamije, disertacion masteri, Universiteti Amerikan i Hapur, Kajro, v. 2008, f. 51.

Dr. Sadat Rrustemi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit