3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Ramazani, muaj i familjes – Islam Gjakova.net

Më të lexuarat

Muaji i bekuar i Ramazanit është një thesar i çmueshëm që e pasuron dhe stolis jetën e besimtarit me margaritarë të lloj-llojshëm dhe përfshinë një gamë të gjerë dimensionesh në të cilat është evide

Muaji i bekuar i Ramazanit është një thesar i çmueshëm që e pasuron dhe stolis jetën e besimtarit me margaritarë të lloj-llojshëm dhe përfshinë një gamë të gjerë dimensionesh në të cilat është evident reflektimi i vlerave të këtij muaji të bekuar.

Në këtë thjerrëz duhet shikuar dhe analizuar përshkrimet e muajit të Ramazanit në Kur’an dhe Sunet, gjegjësisht nga kjo perspektivë duhet parë ajetet dhe hadithet e të dërguarit të Allahut që flasin për këtë muaj të bekuar, e që u përgjasojnë buqetave me lule të ndryshme të cilat e kanë të përbashkët aromën e këndshme.

Po ashtu, në këtë kontekst duhet vënë edhe interesimin e madh të gjeneratave të dalluara të Islamit, shokëve të të dërguarit të Allahut dhe pasuesve të tyre, të cilët mezi se pritnin të vijë muaji i Ramazanit dhe bënin dua-lutje që t’ua mundësojë Allahu që ta arrin dhe ta kalojnë me adhurim, ashtu si i ka hije besimtarit të vërtetë.

Muaji i Ramazanit, krahas theksimit të adhurimit të agjërimit dhe vlerës fetare të tij si dhe namazit që po ashtu zë vend të rëndësishëm gjatë këtij muaji, fjala është për namazin e teravive, ngase namazet obligative janë të detyrueshme për çdo ditë, rrezaton fuqishëm edhe në planin familjar, gjegjësisht ven tulla të forta në strukturimin e familjes së shëndoshë.

Do të ishte e patolerueshme të thoshim se ne do t’i elaborojmë të gjitha detajet e reflektimit të këtij muaji të rëndësishëm në planin familjar, por themi se do të mundohemi të japim një pasqyrë të shkurtër të ndikimit të Ramazanit në planin familjar, duke e justifikuar në këtë mënyrë moton “Ramazani, muaj i familjes”.

Rrezatimi i vlerave të këtij muaji të bekuar në planin familjar, përfshinë disa rrafshe, e që ne me këtë rast do të veçonim si vijon:

RRAFSHI I PASTRIMIT SHPIRTËROR

Muaji i bekuar i Ramazanit dhe adhurimi me të cilin simbolizohet ai, agjërimi, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në pastrimin shpirtëror të individit, e si rezultat i kësaj edhe të familjes e cila përbëhet nga këto individë. Allahu i Lartmadhërishëm ka thënë:<< O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm>>.[1]

Ajeti në fjalë qartë tregon se agjërimi mëton të formojë një personalitet të kompletuar besimtar, musliman që do ta pastrojë zemrën e tij nga të ligat e zemrës, e po ashtu edhe me vepra do të jetë zbatues i denjë i urdhrave të Allahut. Individët e këtillë me shpirt e zemër të pastër nga të ligat, do të jenë shembull të familjes së shëndoshë e të respektuar në shoqëri.

Familja muslimane, përmes agjërimit dhe namazit obligativ e namazit shtesë të teravive, si dhe shtimit të veprave tjera të mira që preferohen në këtë muaj të bekuar, si që janë:leximi i Kur’anit, itikafi, lëmosha etj, pastrohet shpirtërisht dhe ngritët në piedestale më të larta shpirtërore, që në fakt është synim i çdo besimtari si individ dhe shoqëri.

I dërguari i Allahut s.a.v.s. ka dhënë mesazh të fuqishëm për ndikimin e Ramazanit në pastrimin shpirtëror duke e lidhur adhurimin e agjërimit në Ramazan pikërisht me këtë objektiv madhor. I dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Kush nuk largohet nga fjalët e liga dhe punët e ndyra, Zoti nuk ka nevojë që ai person ta lër ushqimin dhe pijen (të agjëroj)”.[2]

Pra, ai person te i cili nuk ka vend për këtë funksion të agjërimit, ka dështuar në plotësimin e denjë të këtij obligimi ndaj Allahut të Madhërishëm.

Realisht, besimtari në muajin e Ramazanit, nuk agjëron vetëm nga haja dhe pija, por edhe nga çdo gjë tjetër që nuk përputhet me vlerat Islame, e që i këtillë duhet të jetë gjatë gjithë jetës së vet. Në fakt, besimtarit në Ramazan agjëron me gjymtyrët e tij nga bërja e harameve; agjëron me sytë e tij duke mos shikuar në haram; agjëron me veshët e tij duke mos dëgjuar haram; agjëron me gjuhë duke mos folur gjëra të ndaluara, etj, e me këtë ai e pastron shpirtin dhe ngritët më lartë. Po ashtu, agjëron me zemër dhe me mendje duke mos përpunuar në mend e as vulosur në zemër asnjë mendim të keq për vëllezërit e tij.

Kështu, Ramazani përmes pastrimit shpirtëror të individëve, mëton të hudhë dritë fuqishëm në ngritjen shpirtërore të mbarë familjes.

NË RRAFSHIN ARSIMOR

Një rrafsh tjetër i rëndësishëm në të cilin Ramazani dukshëm reflekton, është rrafshi i arsimit dhe ngritjes fetare, gjegjësisht pasurimit të njeriut me njohuri fetare.

Në Ramazan, ma tepër se kurdoherë tjetër, besimtari mëson për fenë, dhe në veçanti brezat e rinj kanë rastin që të dëgjojnë ma tepër për çështjet fetare. Në këtë mënyrë, Ramazani luan rol të rëndësishëm në ngritjen intelektuale të familjes muslimane dhe hapjen e horizonteve të reja të dijes fetare në shoqëri në përgjithësi.

Ramazani ndikon në shumë mënyra në ngritjen e vetëdijes arsimit fetar të familjes, e ne me këtë rast do të përmendim si vijon:

-Këshillat prindërore: është evidente në familjen muslimane se kur vjen muaji i Ramazanit, shtohen edhe këshillat fetare të më të vjetërve karshi më të rinjve. Kështu, në muajin e Ramazanit e dëgjon prindin apo dikë tjetër më të vjetër në familje duke u thënë më të rinjve:”Bën kështu”, ose “mos bën kështu”,”kjo bën”, e “kjo nuk bën”, “kij kujdes”, “mate veten se tash është Ramazan”, etj. Në këtë mënyrë, në Ramazan anëtarët a familjes kanë mundësi ma tepër të dëgjojnë nga prindërit e tyre për atë se çka është e lejuar e çka është e ndaluar në fe, që ndoshta jashtë Ramazanit nuk është rast të dëgjohet diçka e tillë. Edhe pse, në familjen muslimane çdo herë duhet të flitet dhe këshillohet për Islam.

Me këtë rast, më duhet të nënvizoj se ngritja e vetëdijes dhe dijes fetare në familje, në kohën tone nuk bëhet vetëm nga më të vjetrit dhe prindërit, por si rezultat i zhvillimit të rrjetit të internetit dhe literaturës islame, në shumë raste vërejmë që më i riu, në fakt fëmija, e këshillon për Islam dhe i tregon se çka e bën e çka nuk bën nga aspekti fetar prindit dhe më të vjetrit, ngase si rezultat i leximit dhe komunikimit, brezat e rij janë më të ngritur me dije fetare se sa brezat e vjetër të cilët nuk i kanë pasur mundësitë e sotme.

-Ligjëratat ditore: është e njohur se në xhamitë tona në muajin e bekuar të Ramazanit mbahen ligjërata ditore, bile në disa raste edhe dy apo ma tepër ligjërata në ditë, nga ana e hoxhallarëve. Po ashtu, interesimi i besimtarëve për ligjëratat në Ramazan është ma i dukshëm se jashta tij. Pjesëmarrja në ligjëratat e Ramazanit dallon me atë se nuk është vetëm për të moshuarit, por edhe për të rinjtë dhe fëmijët, si dhe për gratë. Kështu, në Ramazan në xhami për ligjëratë e kemi komplet familjen. Në këtë mënyrë, duke dëgjuar ligjërata e tërë familja fiton njohuri të reja apo i forcon e zgjeron ato që i ka për Islamin, e në këtë mënyrë Ramazani qartë reflekton edhe në arsimin dhe ngritjen fetare të familjes.

-Mediumet: si mediumet elektronike po ashtu edhe ato të shkruara, në muajin e Ramazanit i kushtojnë hapësirë më të madhe elementit fetar. Në faqet dhe edicionet e tyre janë prezente ma tepër tema fetare. Në këtë mënyrë, Ramazani edhe përmes mediumeve ndikon në pasurimin e individit me njohuri fetare, e si rezultat i kësaj edhe të familjes.

NË RRAFSHIN EDUKATIV

Ajetet dhe hadithet të cilat flasin për agjërimin, me theks të veçantë ajeti i përmendur më lartë i sures El-Bekare, qartë e shquajnë aspektin edukativ të agjërimit, e si rezultat i kësaj edhe të muajit të Ramazanit në të cilin realizohet agjërimi.

Agjërimi e edukon individin që të jetë i matur, durimtar, tolerant, human, bamirës, me karakter të fortë dhe senzibil. Në këtë drejtim, i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Agjërimi nuk është abstenim nga ushqimi dhe pija, por agjërimi (i vërtetë) është largim nga fjalët e kota dhe fjalët e ndyta. Nëse ndonjëri të fyen apo sillet me pakuptimësi, ti thuaj:”Unë jam agjërues, unë jam agjërues”.[3] Edukata e këtillë që e mbjell agjërimi te njeriu, ndikon në konsolidimin e familjes dhe shoqërisë, edukon breza të rinj të cilët do të jenë të frymëzuar nga mësimet madhore islame dhe do t’i bën që të jenë shembull praktik i jetësimit të mësimeve islame. Edukata e këtillë e lartë në trajtimin e njerëzve dhe reagim të matur ndaj gjërave të pahijshme që bëhen ndaj nesh, në formën më të shkëlqyeshme ulet tensionet në shoqëri, i forcon lidhjet mes njerëzve, bën që të jemi më vigjilent, jep kohë për t’i rishikuar veprimet dhe etablon qetësi, paqë dhe siguri në familje e në shoqëri. Në këtë formë, me vepra flitet se si duhet të sillet një besimtar i vërtetë.

Ramazani e edukon individin dhe familjen që të jenë llogaritës të veprimeve, planifikues, kursyes dhe i aftëson që të ambientohen me rrethanat e ndryshme në jetë.

Drejtpërdrejt në raportet ndërfamiljare, Ramazani e bën më të butë burrin, më humane nënën, më mirënjohës fëmijën.

NË RRAFSHIN ORGANIZATIV

Ramazani reflekton pozitivisht edhe një rrafsh mjaft të rëndësishëm shoqëror, atë të organizimit. Me fjalë tjera, Ramazani e mëson familjen muslimane të jetë e organizuar, ngase në Ramazan të gjithë anëtarët e familjes, kudo që të jenë, në kohën e iftarit vrapojnë të jenë rreth sofrës së iftarit. Ata, doemos për këtë gjë ta organizojnë kohën e vet dhe të bëjnë një orar të punës së vet e rangim të detyrave prioritare që duhet t’i kryejnë deri në atë kohë. Duke e pritur iftarin së bashku rreth sofrës së iftarit, mësojnë si të veprojnë dhe të presin për rezultatin final, të ndjekin rregulla, të kenë bindje se së bashku mund të ecin drejt realizimit të qëllimeve madhore dhe të jenë më efektiv në realizimin e tyre, të konsultohen për punët e përbashkëta dhe të respektojnë kohë dhe termine.

Ata duhet të planifikojnë edhe për kohën e syfirit, që donë të thotë se duhet të jenë të kujdesshëm për qëndrimin zgjuar në orët e natës.

Marrë parasysh këto elemente që janë vetëm disa të mundshme, vijmë në përfundim se Ramazani është muaj i organizimit të familjes.

NË RRAFSHIN HUMAN

Muaji i bekuar i Ramazanit e mëson individin dhe familjen që të jenë më bamirës dhe human ndaj tjerëve. Me këtë rast, do të përmendim tre elemente të rëndësishme të këtij muaji që ndikojnë qartë në humanizimin e familjes:

-Agjërimi nga haja dhe pija: përmes agjërimit, gjegjësisht urisë që e ndjen besimtari në muajin e Ramazanit, ai vetë si individ dhe e gjithë familja, më së miri e kuptojnë se çdo të thotë skamja, varfëria dhe uria, e me këtë bëhen më solidar dhe bamirës ndaj tjerëve, gjegjësisht ndaj atyre të cilët kanë nevoja të këtij lloji.

Populli thotë:”I ngopuri nuk e din të uriturin”, për këtë, në muajin e Ramazanit familja muslimane e përjeton urine dhe e kupton mundimin që sjell uria. Së këndejmi, ky element ndikon qartë në humanizimin e familjes dhe çlirimin e saj prej prangave të grykësisë, koprracisë e injorimit të nevojtarit.

-Sadekatu-l-fitri: është një lëmoshë e veçantë që e jep çdo besimtar i mundshëm në muajin e Ramazanit. Kjo lëmoshë dedikohet për skamnorët dhe ka për qëllim që ta fut gëzimin në zemrat e tyre dhe të familjeve të tyre në ditën e festës së Bajramit. Pra, humaniteti që mbjell kjo dispozitë islame e lidhur për Ramazanin është i qartë. Familja muslimane nuk ndjehet e qetë dhe nuk ka gëzim të plotë në ditën e festës, nëse edhe familjet tjera muslimane nuk e kanë një atmosferë të këtillë nëpër shtëpitë e tyre, për këtë edhe solidarizohet me ta, në emër të obligimit fetar, përmes sadekatu-l-fitrit.

-Nxitja për bamirësi në natyrës materiale: sadekatu-l-fitri nuk është lëmosha dhe ndihma e vetme materiale që ofrohet në muajin e bekuar të Ramazanit, por i dërguari i Allahut s.a.v.s. na ka mësuar që sa ma bujar të jemi në muajin e Ramazanit dhe sa ma tepër të ndihmojmë materialisht vëllezërit tanë, ngase edhe ndihma materiale në muajin e Ramazanit ka vlerë të veçantë, gjegjësisht është më e preferuar se ajo që jepet jashta muajit të Ramazanit, si rezultat i shtimit të shpërblimeve për veprat e mira në këtë muaj.

Në këtë kontekst, është praktikë te muslimanët që obligimin e zeqatit ta kryejnë në Ramazan, që është obligim fetar i natyrës materiale, dhe i zoti i shtëpisë për këtë duhet t’i këshillojë dhe porosis të gjithë anëtarët e familjes që ta kryejnë këtë obligim fetar në pasuritë e tyre.

Nga ana tjetër, kemi provë të qartë se vetë i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka qenë më bujar në muajin e Ramazanit. Kështu, është transmetuar prej Ibn Abasit se ka thënë:”I dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte njeriu më bujar, edhe më bujar ishte në Ramazan, ngase Xhibrili alejhisselam i vinte të dërguarit të Allahut s.a.v.s. për çdo natë gjatë Ramazanit dhe ia dëgjonte Kur’anin, deri në mbarim të tij (të muajit të Ramazan). E kur i vinte Xhibrili, i dërguari i Allahut ishte më bujar për të mirën edhe se era që sjell shi”.[4]

Këto elemente, edhe pse nuk janë të fundit, janë të mjaftueshme që të tregojnë për ndikimin e Ramazanit në formimin e individit dhe familjes humane.

NË RRAFSHIN E AFRIMIT FAMILJAR

Është e vërtetë e pamohueshme se Ramazani rrezaton fuqishëm në rrafshin e afrimit familjar, edhe atë si në aspektin e familjes së ngushtë, po ashtu edhe në atë të familjes së gjerë.

Në kohën moderne, kur çdo gjë është dinamike dhe e ngutshme, gjegjësisht gara për jetën ka kapluar në çdo anë dhe ka ndikuar që të largohen edhe anëtarët më të afërt të familjes, ashtu që terminet e ndryshme i kanë bërë që shumë rrallë të jenë së bashku në familje, Ramazani vinë si promotor i afrimit familjar. Kjo, ngase edhe biznesmenët më të mëdhenj muslimanë, në muajin e Ramazanit bëjnë çmos që bile disa iftare ti bëjnë së bashku me familjen. E mos bëjmë fjalë më për njerëzit e kalibrit më të ulët në fushën e biznesit.

Në këtë mënyrë, Ramazani e rikthen kompaktësinë e gjirit familjar që modernizmi është duke shkatërruar egërsisht, e afron prindin me fëmijën dhe me nipat, i bën ta ndjejnë afërsinë e njëri tjetrit dhe ta shijojnë kënaqësinë e të qenit së bashku, që edhe vetë ata e pranojnë se jeta e sotme ua ka rrëmbyer pamëshirshëm. Përmes iftarit e syfirit, Ramazani realizon afrimin e familjes dhe kjo është një nga funksionet më të theksuara shoqërore të Ramazanit, e që vërtet meriton të quhet “Muaj i familjes”.

Në planin e familjes më të gjerë, po ashtu, Ramazani ngjall shpresë dhe gëzim, ngase vazhdon praktika e vizitave familjare në muajin e Ramazanit. Nëse gjatë muajve tjerë të vitit nuk është zakon të shkohet te njëri-tjetri, që nuk duhet të jetë në mesin e muslimanëve, në muajin e Ramazanit është zakon që familja më e gjerë dhe kushërinjtë e shokët ta thirrin njëri-tjetrin në iftare.

Në këtë mënyrë Ramazani e ujit përsëri trungun e familjes dhe farefisnisë, që i dërguari i Allahut aq shumë na ka porositur që mos e harrojmë farefisin dhe familjen dhe mos i këpusim lidhjet familjare.

Deri në kohën kur i shkruajmë këto rreshta, Ramazani ndikon në afrimin familjar edhe duke i rrënuar kufijtë dhe afruar distancat mes shteteve. Kështu, sot e kësaj dite dëgjon vëllezërit tanë në gurbet, normalisht ata që kanë mundësi të bëjnë diçka të tillë, duke thënë se pushimin do ta marr në Ramazan, që ta bëj një Ramazan në vendlindje, pranë të afërmve dhe miqve.

Ramazani, e afron njeriun edhe me vendlindjen dhe familjen, tejkalon kufijtë dhe distancat që janë elemente ndarëse, ka shumë domethënie edhe për lidhjen e njeriut me atdheun dhe tokën në të cilën ka lindur.

Lutja jonë e fundit është:I gjithë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut-Zotit të botëve.

______________

[1] El-Bekare:183.

[2] Hadithin e transmeton Buhariu.

[3] Hadithi është autentik e kanë transmetuar Hakimi në Mustedrek dhe Bejhekiju në Sunen.

[4] Hadithin, e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi.

Mr. Bashkim Aliu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit