-0.5 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Dispozita sheriatike mbi abortimin e fetusit?!

Më të lexuarat

Sa i përket dispozitave që ndërlidhen me abortimin e fetusit, ato ndryshojnë në varësi të kohës së abortit në secilën nga fazat e tij, dhe atë duke ndjekur fazat nga argumentet në vijim.

Thotë Allahu i Madhëruar: 

“…e mandej, pikën e farës e kemi bërë gjak (të droçkuar), e pastaj e kemi bërë copëz mishi; mandej, atë copëz mishi e kemi shndërruar në eshtra, e eshtrat i kemi veshur me mish dhe pastaj kemi krijuar krijesë tjetër. Qoftë lartësuar Perëndia, krijuesi më i përsosur!” (Muminun: 14)

“…dinie se Na ju kemi krijuar juve prej dheut (Ademin), pastaj prej pikës së farës (spermës) pastaj prej droçkave të gjakut, pastaj prej (copëzës) mishit (embrionit) me formë të plotë ose jo të plotë, për t’ju treguar juve (fuqinë Tonë)…” (Haxh:5)

Po ashtu transmetohet nga Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të se ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ që është më i vërteti, vërtetësia e të cilit është dëshmuar, na thoshte:“Çdo njeri formohet në mitrën e nënës së vet (duke qëndruar) dyzet ditë si një pikë uji, pastaj, për po aq ditë, shndërrohet në droçkë gjaku, më pas, shndërrohet në një copë mishi për po aq ditë. Pas kësaj, i dërgohet një engjëll, që ia fryn shpirtin..”1

Andaj sipas kësaj që u cek, fazat mund ti ndajmë në:

  1. Faza e parë: E ajo është faza e hedhjes së farës dhe ngjitja e saj për mitër, d.m.th. dyzet ditët e para.
  2. Faza e dytë: Është faza e formimit të droçkës së gjakut, d.m.th. dyzet ditët tjera, që së bashku me fazën e parë formojnë një periudhë kohore pi tetëdhjetë ditësh. 

Në këta dy faza nuk ka asnjë vendim sheriatik ndaj saj dhe ajo llogaritet e pastër, ndërsa gjaku llogaritet gjak istihada (i gjendjes së çrregullimit, hemoragjisë). Kështu vazhdon me namaz dhe agjërim, e nëse ka rrjedhje të vazhdueshme të gjakut, merr abdes për çdo namaz.

  1. Faza e tretë: Është faza e shndërrimit në një copë mishi, e ajo është dy lloje:
  • Është formuar si copë mishi, por nuk ka asnjë formim të pamjes së njeriut, atëherë kjo fazë merr të njëjtën dispozitë sikurse fazat e lartpërmendura, pra nuk ka ndonjë vendim sheriatik të ndërlidhur me të.
  • Është formuar si copë mishi dhe është formuar në formë njeriu, pjesërisht (një dorë, apo këmbë, apo fytyrë, etj.) apo tërësisht si një njeri, atëherë gjaku që del konsiderohet si gjak i lindjes dhe gruaja llogaritet lehonë, pra duhet të ndalojë faljen dhe agjërimin derisa të pastrohet. Si e tillë nuk është e lejuar të ketë kontakt intim me burrin e sajë. E nëse gjakderdhja nuk i ndalon, në momentin që i plotëson dyzet ditë, nga ai moment pastrohet dhe llogaritet e pastër, ndërsa gjaku llogaritet gjak i çrregullimeve.
    Po ashtu është edhe dëshmi e përfundimit të periudhës së pritjes pas ndarjes (idetit).

Nëse gruaja aborton në njërën nga fazat e sipërpërmendura, atëherë ai fetus nuk trajtohet si një njeri i gjallë, nuk i falet namazi, mbështillet (duke mos u kushtëzuar të qefinoset) dhe varroset kudo. Dhe ky është mendimi i juristëve Islam.

Ibn Kudame thotë: “Sa për atë që nuk ka arritur katër muaj, ai nuk lahet, nuk i falet namazi, mbështillet me një leckë dhe varroset. 

  1. Faza e katërt: Është faza e fryrjes së shpirtit, e që fillon nga dita njëqind e njëzet e një e më tej. Po edhe kjo fazë është dy lloje:
  • Nëse fëmija nuk shfaq shenja jete gjatë abortit
  • Nëse fëmija shfaq shenja jete, edhe në qoftë se këta shenja dëgjohen apo vërehen vetëm edhe një çast të vetëm pasi ai të ketë lindur, edhe nëse pastaj vdes, ai trajtohet si një fëmijë i gjallë.

Si në rastin e parë dhe të dytin, xhenazja lahet, i falet namazi dhe ai varroset në varrezat e myslimanëve. Po ashtu therret kurban për të (akika).
Po ashtu gruaja llogaritet lehonë, dhe vlejnë për të rregullat e lehonës

Këtë e dëshmon transmetimi i Mugira bin Shu’bes i cili tregon se i Dërguari ﷺ ka thënë: “Foshnjës së lindur para kohe i falet namazi, ndërsa për prindërit e tyre lutuni për falje dhe mëshirë”2

Dallimi i vetëm mes tyre është se në rastin kur fetusi i abortuar shfaq shenja jete, ai trashëgon dhe mund të lërë trashëgimi si çdo i posalindur tjetër.

Tregon Xhabir ibn Abdullah se i Dërguari ﷺ ka thënë: “Nëse foshnja lind i gjallë, ai merr pjesë në trashëgimi”.3

Përmblodhi: Senad Ramadani / https://www.rizgjimi.com/

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit