3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Porosi dijetarëve dhe hoxhallarëve!

Më të lexuarat


Të nderuar dijetarë!
Pejgamberi (ﷺ) përgatiti për umetin burra dhe udhëheqës që mbajtën mesazhin dhe përhapën Islamin. Ata ishin brezi më i mirë që kaloi dhe shembulli i të cilëve duhet të ndiqet.
Ai, ﷺ, tha: “Më i mëshirshmi ndaj umetit tim është Ebu Bekri, më i forti në fenë e Allahut është Umeri, më i turpshmi është Uthmani, gjykatësi më i drejti është Aliu, më i dituri për ndarjen e trashëgimisë është Zejd bin Thabiti, më i miri në leximin e Kuranit është Ubej bin Ka’bi dhe më i dituri për hallallin dhe haramin është Muadh bin Xhebeli. Çdo umet ka një besnik dhe besniki i këtij umeti është Ebu Ubejda ibën el-Xherrah.” Këtë e transmeton Bejhekiu. (Shejh Albani e gjykon si hadith të dobët. Sh.p.).
Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) përgatitën burra nga tabiinët që përhapën fenë, duke qenë brezi më i mirë pas brezit të parë, sahabëve.
Edhe Imam Ebu Hanife, Imam Maliku, Imam Shafiu dhe Imam Ahmedi dhe imamët e tjerë të Islamit përgatitën një numër burrash që e përhapën këtë dije në të gjitha cepat e botës, në lindje dhe perëndim, dhe përtej deteve dhe oqeaneve.
Allahu, i Madhërishëm, thotë:
“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi. Që All-llahu t’i shpërblejë të vërtetit për sinqeritetin e tyre…”. (El-Ahzab: 23-24).
Kjo është detyra e dijetarëve dhe hoxhallarëve të përgatisin dijetarë për umetin që të mbajnë këtë fe dhe ta përhapin atë në botë, duke larguar prej saj shtrembërimet e të tepruarve, falsifikimet e të pavërtetëve dhe keqinterpretimet e injorantëve. Ata duhet të qëndrojnë në frontet e dijes dhe të njohurive, dhe të plotësojnë nevojat kolektive të umetit.
Ata duhet të ruajnë fenë e pastër ashtu siç e solli Muhamedi (ﷺ), me maturi dhe mesatari, me drejtësi dhe urtësi, pa teprim dhe pa cungim.
Ata duhet ta udhëheqin umetin drejt shpëtimit dhe lumturisë në çështjet e fesë dhe të dynjasë.
Nuk është detyra e dijetarit dhe edukatorit që studentëve të dijes tu japin vetëm dituri, por me diturinë duhet dhënë atyre edhe edukatën edhe dëlirjen, përgjegjësinë e bartjes së mesazhit të Islamit, e qëndrimin në frontet e mbrojtjes së fesë me mençuri dhe urtësi, me maturi dhe drejtësi, pa shkaktuar ngatërresa, devijime, gallatë dhe fanatizëm, fitne e përçarje, dhe duke i edukuar që të mos jetojnë pa një qëllim apo projekt.
Sa shumë herë ka ftuar Kurani umetin të mbajë përgjegjësinë, të ngrihet me burra dhe t’i inkurajojë ata që të mbrojnë Fenë nga sulmet e vazhdueshme dhe kështu të vazhdojnë me përhapjen e mesazhit të Islamit.
Sa shumë njerëz të sinqertë gjatë historisë kanë ndërtuar kështjella në të gjitha fushat. Burrat që ishin të sinqertë me Allahun, e kush është i sinqertë me Allahun, Allahu është i sinqertë me të.
Detyra e umetit sot dhe nesër është që të ofrojë bijtë e saj në fushat e dijes dhe të njohurive dhe të ngrihen në të gjitha fushat dhe profesionet, industritë dhe ekonominë, për ndërtimin e civilizimit dhe njerëzimit.
Detyra e umetit sot është të përgatisë burra për t’u bërë të pavarur nga të tjerët, që të jenë krenarë me vetveten, të fortë me burrat e vet, dijetarët dhe mjeshtrit e vet, dhe të përparojnë mes kombeve, duke u krenuar me fenë dhe civilizimin e tyre, dhe duke ia rikthyer lavdinë dhe udhëheqjen e botës.
Sufjan tha: “Kush kërkon dijen, ka lidh beslidhjen me Allahun e Madhërishëm”, dhe kjo beslidhje është një simbol i marrëveshjes që ekziston midis dijetarit, studentit të dijes dhe Zotit të tij mbi amanetin e dijes, si mësim për vete dhe mësimdhënien tjerëve. Ky amanet duhet të përmbushet, sepse përndryshe ” Ai që e prish marrëveshjen, e prish në dëm të vetes, por, nëse e mban besën ndaj Allahut, Ai do t’i japë atij shpërblim të madh..” (El-Fet’h: 10).
Kur e ke qëllimin e qartë, kjo ta shkurton rrugën edhe ta grumbullon krejt forcën e zemrës për arrijten e këtij qëllimi, kurse për të arritur këtë qëllim kërkohet përpjekje, sakrificë, mund, kontribut, insistim dhe durim.
O brezi ynë!
Umeti, dijetarët tuaj, mësuesit tuaj dhe vendet tuaja presin nga ju të mbani mesazhin dhe dijen, dhe ta përhapni atë.
Ata punuan, qëndruan pa gjumë, duruan, sakrifikuan, vuajtën dhe shkruan për ju, që ju ta përcjellni amanetin e dijes ashtu si duhet, që të jeni lider dhe dijetarë të dalluar në të mirën dhe dijen. Prandaj, dilni dhe mos rrini, qëndroni në frontet e mbrojtjes së fesë, ripërtërini vendosmërinë dhe marrëveshjen me Allahun, dhe mos i braktisni pozicionet tuaja…
“Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni”. (Ali Imran: 139), “Allahu ka kontroll dhe fuqi të plotë mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Jusuf: 21)
Shpresë, shpresë dhe qetësi, e qetësi, sepse “Vërtetë Allahu ndihmon këdo që e ndihmon Atë” (El-Haxhxh: 40) dhe “Nëse largoheni, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër.” (Muhammed: 38).

Shkruar nga: Fahd Al-Amari
Përshtati: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit