Zyrtarët izraelitë po shprehen gjithnjë e më të shqetësuar se Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) mund të lëshojë fletarrestime për udhëheqësit e Izraelit, teksa lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit ekstremist të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – po shkon drejt fundit të muajit të shtatë.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka shkruar në terma të përgjithshëm për masa nga GJNP-ja kundër trupave dhe zyrtarëve izraelitë, ndërsa Ministria e Jashtme e Izraelit ka thënë se po i përcjell raportimet për masa të mundshme.
GJNP-ja është themeluar më 2002, si gjykatë e përhershme e nivelit më të lartë për ndjekjen penale të individëve përgjegjës për krimet më të rënda në botë – krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidin dhe krimin e agresionit.
Statuti i Romës, i cili ka paraparë krijimin e GJNP-së, është miratuar më 1998, dhe ka hyrë në fuqi kur ka arritur 60 ratifikime, më 1 korrik të vitit 2002. Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka mbështetur GJNP-në, por gjykata është e pavarur.
Pa një forcë policore, GJNP-ja varet nga shtetet anëtare për arrestimin e të dyshuarve, gjë që është dëshmuar të jetë pengesë e madhe për ndjekje penale.
Netanyahu ka thënë të premten në platformën sociale X se Izraeli “nuk do të pranojë kurrë ndonjë përpjekje nga GJNP-ja për të minuar të drejtën e tij të patjetërsueshme për vetëmbrojtje”.
“Përderisa GJNP-ja nuk do të ndikonte te veprimet e Izraelit, ajo do të mund të vinte një precedent të rrezikshëm”, ka shkruar ai.
Ministria e Jashtme e Izraelit ka thënë të dielën se i ka informuar misionet jashtë vendit për “thashetheme” se gjykata mund të urdhërojë arrestimin e zyrtarëve të lartë politikë dhe ushtarakë izraelitë. Ministria nuk ka përmendur ndonjë burim të thashethemeve.
Nëpërmjet një deklarate dërguar agjencisë së lajmeve Associated Press, prokuroria e gjykatës ka refuzuar të japë hollësi.
Ç’është GJNP-ja?
Shtetet anëtare të GJNP-së, gjithsej 124, e kanë nënshkruar Statutin e Romës. Dhjetëra vende nuk e kanë nënshkruar dhe nuk e pranojnë juridiksionin e gjykatës për krime lufte, gjenocid dhe krime të tjera. Ndër to janë Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kina.
GJNP-ja përfshihet kur vendet nuk munden apo nuk shprehin vullnet t’i ndjekin penalisht krimet e kryera në territorin e tyre. Izraeli argumenton se ka një sistem funksional gjyqësor, ndërsa përplasjet rreth aftësisë apo gatishmërisë së një vendi për ndjekje penale kanë nxitur grindje në të kaluarën ndërmjet gjykatës dhe vendeve të caktuara.
Më 2020, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, vendosi sanksione ekonomike dhe kufizime udhëtimi ndaj prokurores së GJNP-së dhe ndaj një tjetër zyrtari të lartë prokurorial të saj. Stafi i GJNP-së po hetonte trupat dhe zyrtarët e inteligjencës të SHBA-së dhe të vendeve aleate për krime të mundshme lufte në Afganistan.
Presidenti aktual amerikan, Joe Biden, administrata e të cilit ka ofruar mbështetje vendimtare ushtarake dhe politike për ofensivën izraelite në Gazë, i ka hequr sanksionet më 2021.
GJNP-ja aktualisht ka 17 hetime të hapura, ka lëshuar gjithsej 42 fletarrestime, dhe ka arrestuar 21 të dyshuar. Gjyqtarët e saj kanë dënuar 10 të dyshuar dhe kanë liruar nga akuzat katër të tjerë.
Në vitet e hershme të saj, gjykata ishte kritikuar për fokusin e hetimeve mbi krimet në Afrikë – 10 prej hetimeve të saj të hapura janë në vendet afrikane – por tani ajo po zhvillon hetime në Azi, Evropë, Lindje të Mesme dhe Amerikë Latine.
Çfarë raportesh ka GJNP-ja me Izraelin dhe me territoret palestineze?
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 2012 e ka ngritur statusin e palestinezëve në OKB në shtet joanëtar vëzhgues, duke i hapur derën territoreve palestineze që t’i bashkoheshin organizatave ndërkombëtare, përfshirë GJNP-në.
GJNP-ja ka pranuar “Shtetin e Palestinës” si anëtare më 2015, një vit pasi palestinezët pranuan juridiksionin e gjykatës.
Kryeprokurorja e atëhershme e gjykatës njoftoi më 2021 për hapjen e një hetimi për krime të mundshme në territore palestineze. Izraeli shpesh hedh akuza për anshmëri ndaj OKB-së dhe ndaj organizmave ndërkombëtarë, ndërsa Netanyahu e ka kritikuar vendimin si hipokrit dhe antisemit.
Prokurori aktual i GJNP-së, Karim Khan, vizitoi Ramallahun dhe Izraelin, në dhjetorin e 2023-tës, ku u takua me zyrtarë palestinezë dhe me familjarë të izraelitëve të vrarë apo të rrëmbyer nga luftëtarët e Hamasit në sulmin e 7 tetorit 2023, i cili nxiti luftën Izrael-Hamas.
Khan i cilësoi veprimet e Hamasit si “disa prej krimeve më serioze ndërkombëtare, të cilat tronditin ndërgjegjen e njerëzimit, krime të cilat GJNP-ja është themeluar për t’i trajtuar”, dhe bëri thirrje për lirim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjitha pengjeve.
Ai tha se “e drejta humanitare ndërkombëtare duhet të zbatohet” në luftën Izrael-Hamas, dhe se “ushtria izraelite e di se ligji duhet të zbatohet”. Pas vizitës, Khan deklaroi se një hetim i GJNP-së për krimet e mundshme të kryera nga luftëtarët e Hamasit dhe nga forcat izraelite ishte “prioritet për zyrën e tij”.
Kë e ka akuzuar GJNP-ja?
Një vit më parë, pasi gjykata lëshoi një fletarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin, mbi akuzat për përgjegjësinë e tij për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina, Rusia u kundërpërgjigj, duke lëshuar fletarrestimet e veta për Khanin dhe gjyqtarët e GJNP-së.
Udhëheqës të tjerë të nivelit të lartë, të akuzuar nga gjykata, përfshijnë udhëheqësin e rrëzuar sudanez, Omar al-Bashir, mbi akuzat që përfshijnë gjenocid në rajonin e Darfurit, në vendin e tij. Ish-udhëheqësi libian, Moammar Gadhafi, ishte zënë dhe vrarë nga kryengritësit, pak pasi GJNP-ja lëshoi një fletarrestim për të, mbi akuzat e lidhura me shtypjen brutale të protestave antiqeveritare më 2011.
\REL\