-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Pozitë dhe opozitë: BE-ja duhet të heqë menjëherë masat ndëshkuese ndaj Kosovës

Më të lexuarat

Është momenti i fundit që Bashkimi Evropian t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, thonë përfaqësues të pozitës, opozitës dhe njohës të integrimeve evropiane.

Sipas tyre, përkundër dështimit të shkarkimit të kryetarëve në katër komunat veriore, në votimin e 21 prillit, Kosova ka përmbushur zotimet në dakordimin e Bratisllavës me BE-në për shtensionimin e situatës në veri.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress se Bashkimi Evropian duhet t’i largojë masat ndëshkuese në mënyrë të menjëhershme dhe jo graduale.

“Kosova ka përmbushur zotimin që e ka dhënë në darkordimin e Bratislavës në kuptimin e përgatitjes së bazës ligjore për organizimin e procesit për largimin e kryetarëve aktual, mbi bazën e një procesi demokratik që parashihet me ligj. Kemi përgatitur udhëzimin administrativ, kemi organizuar procesin, është administruar peticioni por që natyrisht bojkotimi si veprim politik i Listës Serbe me dirigjimin e Beogradit e pamundësojë shprehjen e vullnetit të qytetarëve…

Në raport me partnerët tanë ndërkombëtar ne kemi përmbushur zotimet që kemi dhënë dhe kemi manifestuar seriozitet mbi përgjegjësitë që kemi marr. BE-ja duhet të largojë masat e vendosura ndaj Kosovës dhe duhet të qartësojë pozicionin ndaj Serbisë dhe Beogradit zyrtar”, deklaron Rrustemi.

Masat ndëshkuese të BE-së, kërkon të hiqen edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, mirëpo thekson nevojën që qeveria të adresojë kërkesat e BE-së.

“Ne kemi thënë tash e sa kohë si Parti Demokratike, por edhe kryetari Krasniqi në takimet e tij në Bruksel ka adresuar nevojën për heqjen e sanksioneve. Është një numër i madh i mbështetjes se BE-ja do të duhej të garantonte për Kosovën, ndërsa sot kemi një bllokim të fondeve për të ndihmuar Kosovën në të gjitha fushat. Natyrisht ne kemi kërkuar që BE-ja të jetë e vëmendshme dhe t’i largojë sanksionet, pa çka që duhet të thuhet se edhe qeveria e ka përgjegjësinë e saj për të adresuar në mënyrë të mirë koordinimin me partnerët”, thotë ajo.

Në anën tjetër, profesori universitar, Dorajet Imeri, thotë se masat ndëshkuese kanë qenë të padrejta dhe si të tilla duhet të hiqen sa më parë.

“Vendosja e masave kundër Kosovës si rezultat i vendosjes së kryetarëve në veri të dalë nga zgjedhjet atje, ka qenë një vendim i ngutshëm dhe padobishëm nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës synim i cilës ka qenë ndëshkimi për vendimin e Kosovës për të vendosur rendin kushtetues në tërë territorin e saj. Bashkimi Evropian duke ndëshkuar Kosovën përmes këtyre masave sanksionuese vetëm sa e ka përligjur sjelljen jo të duhur dhe jo korrekte të Listës Serbe, që në disa momente të caktuara ka qenë antikushtetuese dhe jo ligjore.

Institucionet e Kosovës duhet të shohin se në ç’masë kjo strukturë politike e ka thyer rendin kushtetues të Kosovës. Është momenti i fundit që BE-ja të reflektojë kundër këtyre veprimeve që paraprakisht i kanë marrë, në mënyrë që Kosovës mos t’i bëhet një e padrejtë e madhe në këtë proces kaq të ndjeshëm politik”, deklaron Imeri.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veri, që kulmoi me hyrjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale.

Përfaqësues të shteteve perëndimore kanë kërkuar nga Kosova që përmes zgjedhjeve të parakohshme të mundësohet largimi i atyre kryetarëve, për të cilët thoshte se nuk përfaqësojnë vullnetin e banorëve./KP/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit