Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka njoftuar se i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka përfunduar vizitën e tij në Kosovë.
Rohde derisa ka shpërndarë një fotografi të Sarrazin me kryeministrin Albin Kurti, ka shkruar se Procesi i Berlinit është element kyç për rrugën përpara, transmeton Telegrafi.
“Në takim me kryeministrin Albin Kurti, Manuel Sarrazin përfundoi vizitën e tij në Kosovë. Duke shprehur mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për rrugën e Kosovës përpara drejt integrimeve euroatlantike, ai theksoi se çfarë duhet bërë edhe nga ana e Kosovës. Procesi i Berlinit është elementi kyç për rrugën përpara”, thotë Rohde.
Ndryshe, edhe kryeministri Kurti ka njoftuar se në takim me Sarrazin ka diskutuar për Procesin e Berlinit.
“Sot e takova të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Ndërsa Procesi i Berlinit feston 10 vjetorin e tij këtë vit, ai nënvizon rëndësinë e tij si një platformë për bashkëpunim dhe rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve të kaluara, përfshirë lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës”, shkroi Kurti ditën e enjte.
Gjatë vizitës, Sarrazin ka takuar presidenten Vjosa Osmani, shoqërinë civile dhe Listën Serbe./Telegrafi/