Me mijëra këpucë për fëmijë ekspozohen në qytetin nr. 2 të Lulzim Bashës
Me mijëra këpucë për fëmijë, 14.000 sosh, të cilat simbolizojnë fëmijët palestinezë që humbën jetën në sulmet izraelite në Rripin e Gazës janë ekspozuar në Utrecht të Holandës.
Bashkë me këpucët janë ekspozuar edhe lodra, si dhe një listë me emrat e fëmijëve të vrarë, e në disa këpucë kishte edhe lule.
Izraeli nisi sulmet në Rripin e Gazës pas 7 tetorit të vitit të kaluar dhe një sulmi ndërkufitar nga Hamasi, dhe që atëherë të paktën 31,645 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe 73,676 janë plagosur.
Më 26 janar, pas një padie për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim në lidhje me vrasjen, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Rripit të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocid.
Kjo lloj proteste origjinale vlen dhe si një shembull për protestat klasike në solidaritet me Gazën, pasi diferencën e bën fantazia dhe kreativiteti.
Mesazhi me këtë lloj gjetjeje ngjan më tërheqës dhe më imponues se fjalimmbajtjet apo parrullat, siç janë protestat e zakonshme.
Ndaj s’do ishte keq që dhe në protestat shqiptare për Gazën, ato që po organizohen në Tiranë, të shihnim lloje të tilla që mund të ishin dhe lajm ndërkombëtar. /tesheshi.com/