Pyetje: Si bëhet shpagimi i personave që për shkak të sëmundjeve nuk kanë mundësi të agjerojnë?
Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.
Ata të cilët nuk kanë mundësi të agjërojnë janë:
1. të moshuarit,
2. të sëmurët me sëmundje që nuk shpresohet për ta shërimi i tyre,
3. gratë shtatëzëna dhe
4. gjidhënëse.
Këtyre u lejohet që të japin si shpagim për mosagjërimin e tyre, ushqim duke ushqyer për çdo ditë nga një të varfër.
Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar:
{وَعَلَى الَّذِينَ يُطِيقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِينٍ}
“E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri”. [Bekare: 184]
Mënyra e ushqimit të këtyre të varfërve
●1- Nuk lejohet ushqimi i të varfërve përpara se të fillojë Ramazani, sepse Allahu e ka përcaktuar agjerimin e muajit të Ramazanit në momentin e shpalljes së hyrjes së muajit me shikimin e hënës, atëherë me këtë rast bëhet detyrë për myslimanët agjërimi dhe si rrjedhojë edhe ushqimi i të varfërve për ata që i përmendëm më lart.
●2- Me hyrjen e muajit të Ramazanit dhënia e ushqimit jepet kur të dojë personi që shpaguan, qoftë në fillim, në mes apo në fund të Ramazanit.
●3- Ky ushqim mund të jetë i gatuar apo i pagatuar.
A) Nëse jepet ushqim i pagatuar, duhet të jetë gjysëm sa’a, përafërsisht 1.5 kg (e cila është gjysma e masës së ushqimit që jepet për zekatin e fitrit). Dhe futet në të ushqimi që është më i përdorur në vendin e personit që jeton, qoftë ky oriz, miell, makarona.. etj.
– I jepet të varfërit 1. 5 kg çdo ditë, ose mund të jepet për 30 ditë menjëherë (pra 1.5 kg x 30= 45 kg).
– Lejohet që t’i jepet një personi të varfër dhe lejohet edhe shpërndarja tek disa të varfër.
B) Nëse ushqimi është i gatuar, atëherë jep një racion ushqimi për një vakt.
Duke qenë se jemi në muajin e Ramazanit mund të shtrohet iftar dhe merr edhe shpërblimin e dhënies së iftarit.
P.sh shtron një iftar me 30 persona dhe kështu ka ushqyer 30 persona (aq sa e ngop njeriun) për 30 ditët që nuk ka agjëruar.
Dhe kështu ka vepruar Enes ibn Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur arriti në moshë të madhe, dhe nuk agjëronte dot ai në 10- ditëshin e fundit të Ramazanit mbledhte 30-të të varfër dhe u jepte ushqim atyre dhe me këtë kompensonte mosagjërimin e tij.
Allahu e di më së miri!
Adelina Kuçana