3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Shejh Albani për Palestinën, Saudinë, Amerikën dhe Irakun

Më të lexuarat

PO T’I DËGJONIN DIJETARËT
Fjalët në vijim janë shkëputur nga një bashkëbisedim i shejh Albanit _Allahu e mëshiroftë_ me disa vëllezër, në vitin 1990, gjatë pushtimit irakian të Kuvajtit. Kasetën e plotë do ta vendos te komentet dhe i kisha edhe unë nja dy fjalë për t’i thënë në lidhje me fjalët e shejhut.
Shejh Albani: Tani, a bën dallime islami me një toke islame dhe një toke tjetër (po islame)? Thuaj jo sepse kjo dihet apriori ashtu si dielli në mes të ditës. Atëherë, përse Saudia nuk ka kërkuar ndihmën e Amerikës për të zgjidhur problemin e Afganistanit? Përse? Sepse Afganistani nuk është pjesë e Saudisë. Në rregull.
Pyetësi: …
Shejhu: Nuk mu përgjigje.
Pyetësi: E vërtetë.
Shejhu: Unë po të pyes. Ti më thuaj po ose jo sipas asaj që mendon. Unë nuk i imponoj askujt mendimin. Përse nuk ka kërkuar ndihmën e saj? Sepse Afganistani nuk është pjesë e Saudisë. Madje po të them _e kjo është akoma më e çuditshme_ përse nuk ka kërkuar Saudia ndihmën e amerikanëve për të përzënë çifutët nga vëndet islame, vëndet myslimane, nga xhamia e Aksasë.
Na është mpirë truri duke i dëgjuar ata të thonë: cila xhami është e treta pas dy haremeve? Në Saudi dhe në vende të tjera. Përse nuk ka kërkuar Saudia ndihmën e tyre për të përzënë çifutët nga Palestina? Sepse realisht në Palestinë janë pikërisht amerikanët, askush tjetër përveç tyre. E vërtetë apo jo?! Apo ke ndonjë dyshim për këtë?
Pyetësi: Nuk kam asnjë dyshim.
Shejhu: Le të jetë kjo fjalë e nxehtë.
Pyetësi: Në fakt ajo është një sprovë e madhe o shejh. (Ka për qëllim Irakun)
Shejhu: Jo. Vetëm sprovë është. Sprova e madhe është e madhe atëherë kur amerikanët të sulmojnë Saudinë me aviacionin e tyre, me tanqet e tyre, me të gjitha llojet e armëve dhe ta pushtojnë atë me forcë. Kjo sprovë padishim është e madhe. Por sprova më e madhe është të harrojmë realitetin e ithët ku jemi, aq sa po bëhemi si shembulli i strucit i cili prej ahmakllëkut _edhe pse është me trup sa deveja_ e shikon gjahtarin dhe e fut kokën në rërë dhe kujton se për sa kohë që ai nuk e vëren gjahtarin as ai nuk e vëren atë.
Amerikanët me mashtrimet dhe lojrat e tyre të shumëllojshme e të pafundme, arritën të hyjnë në Saudi.
Ne mund të mjaftohemi me fjalën la haule ue la kuuete illa billah, nuk kemi fuqi t’i kundërpërgjigjemi kësaj ushtrie të fortë me flota ajrore dhe detare etj, mirëpo të themi kjo gjë (kërkimi i ndihmës nga amerikanët për të luftuar Irakun) është e lejuar dhe është një domosdoshmëri dhe domosdoshmëria i kthen në të lejuara edhe të ndaluarat dhe të shfrytëzojmë e përdorim të gjitha llojet e njohura të medias dhe të shfrytëzojmë dijetarët më të mirë për të nxjerrë fetva prej tyre me hir e me pahir këtë gjë nuk e dimë (nuk e pranojmë). Është apo jo detyrë dhe domosdoshmëri kjo është mes tyre e mes zotit të tyre.
Kjo domosdoshmëri kur ndodhi? Ndodhi atëherë kur Iraku e pushtoi Kuvajtin dhe sauditët u frikësuan se mos ata do të pushtonin edhe territoret saudite. Po mirë Afganistani a nuk është territor islam. Përse kjo nxehje u shfaq vetëm në këtë rast?! Pra këto veprime nuk janë islame.
Mua më mjafton të them: Edhe sikur ky hadith të mos gjendej: “Nuk kam për t’i kërkuar ndihmë një politeisti” prapë se prap këto veprime nuk janë islame, sepse islami nuk bën dallim (mes tokave të muslimanëve). Kur dalim e u japim leksione publikut musliman mburremi duke thënë që islami nuk e njeh krahinorizmin e që nuk e njeh nacionalizmin vendor dhe fisnor etj, e që nëse në skajin e jugut ose në skajin e veriut do të sulmohej një tokë muslimane atëherë të gjithë muslimanët duhet të hidhen për t’i dalë në mbrojtje, këto fjalë janë të shkruara në libra, por sot nuk kanë vend në analizë, si shprehen dijetarët e gramatikës. Absolutisht! Kjo sepse vendet islame sot janë kthyer në shtetëza të vogla dhe këto shtetëza të vogla, secila prej tyre vepron në kundërshtim me gjykimet sheriatike. Nuk është se po përzihemi në çështjet e brëndëshme. Ky nuk është islam. Tani, si ua lejoka islami amerikanëve ta ngrejnë kryqin në vendet e teuhidit?! Si ua lejoka?! Si zbriskan femrat të zhveshura, të veshura por të zhveshura, nëpër rrugë?!
(Ka ndërhyrje nga të pranishmit rreth festave të të krishterëve. Zëri nuk është shumë i qartë)
Shejhu: Po. Bushi i festoi krishtlindjet e tyre në Saudi.
Pyetësi: Festuan edhe festën e falenderimeve.
Shejhu: Në Saudi, kjo ka qënë më herët. Ndërsa tani festoi edhe krishtlindjet këtu. Nejse, Allahu të bekoftë, çështja është shumë e rrezikshme, por me avash se një e keqe mund të jetë më e lehtë se një e keqe tjetër.
Kur armiku ta pushton tokën dhe ti je i bindur _do apo nuk do_ që ky është pushtim, ti përpiqesh me çdo mjet që mundesh ta nxjerrësh një ditë, mirëpo kur beson se armiku të mbron atëherë do t’i thuash mirëserdhe dhe Allahu të shpërbleftë.
A nuk ju mjafton ta dini humbjen më të madhe që ata (saudianët) deklarojnë që ne bashkëpunuam me shtetet islame dhe me shtetet mike, shiko thonë mike. Cilat janë shtetet mike me të cilat kanë bashkëpunuar? Amerika dhe Britania. Mirë! Këto shtete janë miq të myslimanëve apo ata janë shkaku i belasë që e ka kapluar Palestinën?
O të pranishëm! Frikësojuni Allahut! Çelini sytë! Mos i mbyllni mendjet tuaja! Kjo është fatkeqsia e kohës. Historia islame nuk ka dëshmuar ndonjë rast si ky. “Ne nuk do të kërkojmë ndihmën e një politeisti”. Kur nuk kërkojmë shërbimet e një politeisti të vetëm, atëherë nuk bashkëpunojmë as me shtetet e fuqishme të tyre. U paguajnë miliona e miliarda pafund për të pushtuar një tokë (islame) duke derdhur gjakun (e myslimanëve) dhe në këmbim u paguhen para e gjëra të tjera si një llokume e shijshme. Keni për ta kuptuar (në të ardhmen) paralajmërimin tim.
A me të vërtetë do të dalin amerikanët ashtu siç deklarojnë, kur Kuvajti t’i kthehet banorëve të saj dhe shpresojmë që kjo të ndodhë shpejt dhe Iraku do të dalë prej Kuvajtit. Iraku do të dalë prej Kuvajtit por në këmbim të një çmimi që do t’i paguhet dhe kjo patjetër duhet të ndodhë. Sidoqoftë Iraku do të dalë nga Kuvajti tërësisht ose pjesërisht. Këtë do t’ia lëmë historisë. Mirëpo amerikanët nuk kanë për të dalur prej Saudisë. E me gjithë këto që thamë ata justifikohen dhe thonë lejohet! Me çfarë argumenti?! Allahu ekber!
Dëmi?! Ku është dëmi në kërkimin e shërbimeve të një kallauzi qafir (shpegon hadithin e mësipërm, sepse politeisti ishte thjesht njohës i terrenit dhe kallauz) prej të cilit nuk pritej asnjë dëm? Ndërsa kërkimi i ndihmës prej shtetit më të fortë në faqen e tokës të cilët na kanë rrëmbyer tokat tona të shenjta sepse ne nuk kemi mundësi të triumfojmë ashtu siç u shprehe ti pak më parë?! Të lutem! Të lutem! Ti the: Sauditët nuk kanë fuqi të qëndrojnë para tij. Unë po të them: E vërtetë, por jo kështu. Siç thuhet (në një poezi):
I çoi Sadi për ujë i veshur me shemle (një lloj rrobe)
O Sad! Nuk i jepet kështu ujë deveve
Ta përsërisim. Çfarë është gjykimi sheriatik nëse Iraku dëshiron të sulmojë Saudinë? A e kanë për detyrë sauditët të ndërmarrin të gjitha mjetet e forcës, luftës dhe xhihadit për të penguar pushtimin e këtyre vendeve nga Sadami? A duhet të kërkojnë sauditët ndihmën e vendeve islame, negativisht i përgjigjen apo pozitivisht? Kjo është ndryshe. Apo që në fillim i drejtohet qafirit për t’i kërkuar ndihmë?! Ku është (ajeti): {Dilni (në luftë) të lehtë e të rëndë}. Asgjë prej këtyre nuk kanë vepruar.
Në anën tjetër, a mos vallë është përgatitur Saudia për këtë ditë të zezë. Rri gjithë këto vite të gjata, në të cilat Allahu e ka furnizuar me pasuri që të lenë pa mend sa më shumë që koha kalon, aq sa dëgjon që i kanë dhënë Rusisë që ishte armiku më i përbetuar i myslimanëve kaq e aq miliarda, etj. A u përgatit për këtë ditë?! Saudia mburret që është vendi më i zhvilluar në mesin e vendeve arabe apo në mesin e vendeve në zhvillim apo si i quajnë?
Pyetësi: Të botës së tretë.
Shejhu: Të botës së tretë. Saudia është më e zhvilluara në mesin e këtyre vëndeve. (A u përgatit) në planin ekonomik dhe shoqëror, (a u përgatit) në planin fetar dhe në përgatitjen për xhihad në rrugë të Allahut, të paktën për të shmangur agresorin. Nuk po flasim për xhihadin që e kemi kushtëzuar me gjendjen e një kalifi në mesin e myslimanëve të cilit i është dhënë besa.
Kur myslimanët e neglizhojnë detyrën e mbrojtjes së vendeve të tyre, e mbrojtjes së nderit të tyre, a mos vallë ky neglizhim ua justifikon atyre t’u kërkojnë ndihmë qafirave, ndërkohë që kjo është shkatërrim për vëndet dhe nderin e tyre. Protestat që i zhvilluan disa gra atje që refuzonin myftitë etj, kjo është si puna e shiut fillon me pika dhe pastaj rrebesh. Fatkeqsisht!
(Ndërhyrje nga një i pranishëm, zëri i paqartë) Shejhu: Allahu ekber! Allahu ekber! Sikur amerikanët të mos kishin hyrë nuk kishin për t’u ngritur kokat e këtyre munafikëve që jetojnë në Saudi.
Mbaroi fjala e shejhut.
_______________________
Këto ishin fjalët e shejhut Allahu e mëshiroftë! Shejhu ka folur shpeshherë për kundërshtimet dhe devijimet e shumë shteteve arabe, përfshi këtu edhe Saudinë. Qëndrimet e tij i ka thënë hapur dhe në mënyrë të përsëritur. Madje ky ka qënë një nga shkaqet përse ka qënë gjithmonë në lëvizje nga një shtet në tjetrin.
Sidoqoftë unë do të ndalem në dy tre pika me pasuesit e shejh Albanit, sidomos me ata të flaktët. Kam dëgjuar dhe lexuar shpeshherë në këto ditë të vështira për Palestinën, njerëz që thonë: Po të kishin dëgjuar palestinezët dijetarët (duke pasur për qëllim pikërisht shejh Albanin) dhe ta kishin braktisur Palestinën nuk do t’i gjente kjo që i gjeti. Madje një pjesë e mirë e tyre e thonë këtë në mënyrë nënçmuese, me kuptimin mirë u bëhet se nuk kanë dëgjuar dijetarët.
Fillimisht, këta vëllezër duhet të kuptojnë që thelbi i problemit nuk është i shtypuri i dëbuar. Shejhu edhe në këtë fjalë, edhe në fjalë të tjera, madje edhe gjatë propozimit që shejhu u ka bërë banorëve të Palestinës për t’u larguar që andej, e ka vënë gjithmonë në dukje që detyra si detyrë për çlirimin e Palestinës bie mbi vendet dhe shtetet arabe. Atyre u del si detyrë sheriatike të punojnë për të forcuar ushtritë e tyre, të kthehen në udhëzimin e profetit të tyre dhe të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për t’i dëbuar çifutët nga Palestina.
Në një situatë të tillë, është më e udhës të thuhet: Nëse shtetet arabe do të vepronin sipas fjalëve të dijetarëve nuk do të ishim sot këtu ku jemi. Nëse këto shtete nuk do t’i shkelnin parimet e islamit dhe do t’ua vinin veshin udhëzimeve të dijetarëve, në mesin e tyre edhe shejh Albanit, nuk do ta zinte popullin e vuajtur të Palestinës kjo që e zuri.
Ata që thonë: Po të dëgjonin palestinezët fjalët e shejh Albanit dhe ta linin Palestinën nuk do t’i gjente çfarë i gjeti, nuk e kanë kuptuar as shejh Albanin dhe as parimet bazë të islamit. Si fillim fjala e besimtarëve përherë ka qenë dhe do të mbetet: (Asgjë, përveç asaj që ka shkruar, Allahu, nuk do të na godasë ne). E dyta ato fjalë kanë qënë një sugjerim, një këshillë që shejhu e ka parë të tillë dhe të cilën populli palestinez nuk e ka pranuar, por ka marrë fetvanë dhe këshillën e qindra dijetarëve të tjerë që të rrinë në atë vend të begatë e të mos e lëshojnë për asnjë arsye deri në pikën e fundit të gjakut.
Të gjithë e dimë hadithin e profetit: “Kush vdes në mbrojtje të tokës së tij ai është shehid”. Me tokën këtu është për qëllim prona private. Ai që ka një parcelë toke dhe dikush dëshiron t’ia rrëmbejë dhe ai e mbron atë qoftë edhe me jetën e tij, ai nuk mund të kritikohet, përkudrazi ai është dëshmor. Ai palestinezi i shkretë që çifuti ia merr tokën me zorr dhe ai në mbrojtje të saj vritet, ai është dëshmor, me dëshminë e hadithit. A i lejohet atij të mos rezistojë? A i lejohet ta lejë tokën dhe të shpërngulet? A është më mirë të rezistojë apo të shpërngulet? Këto edhe mund të diskutohen. Mirëpo të themi ai që reziston me ç’të mundet, qoftë edhe me gjoksin e tij dhe vritet në mbrojtje të tokës, ai është gjynahqar që mirë i bëhet sepse nuk ka dëgjuar fjalët e dijetarëve, kjo është e patolerueshme dhe devijim i qartë.
Dimensinet që këta njerëz i japin fjalës së shejhut janë shumë ulëse. Si mundet që shejh Albani _pavarsisht se ndajmë ide shumë të ndryshme në këto çështje_ të ketë pasur për qëllim që ai që nuk shpërngulet dhe nuk dëgjon fjalën time, atij mirë t’i bëhet dhe koka bën e koka pëson?! Është e pamundur që shejhu të ketë një mendim të tillë për palestinezët. Edhe pse ne ndahemi në mendime me shejhun, nuk mundemi kurrësesi ta përfytyrojmë shejhun me ide të tilla. Po, është e vërtetë që shejhu u ka thënë dilni të organizoheni jashtë për ta dëbuar armikun në një të ardhme dhe për t’u rikthyer në ato toka. Një këshillë që shejhu e ka parë të tillë. Mirëpo a mundet që shejhu t’i gozhdojë myslimanët e Palestinës, ata të shtypurit, të dëbuarit, të rraskapiturit, të rrahurit me çdo sprovë që mund ta imagjinojë njeriu, e t’u thotë po nuk më dëgjuat mua mirë t’u bëhet. Pasuesit e shejh Albanit (disa prej tyre) duhet t’i mendojnë më mirë fjalët para se t’i nxjerrin nga goja, sepse me këto mënyra të shprehuri, përveç që po fusin veten në gjynah, po denigrojnë dhe po ulin edhe vetë figurën e shejhu në sytë e myslimanëve.
Në hadithin e Muslimit (shkurtimisht) profeti u pyet për atë që po i rrëmbehet pasuria. – Mos ia jep! – i tha profeti. – Po ai do të më luftojë? – Luftoje! – i tha profeti. Ose do të më vras ose do ta vras. – Po të vrau ti je shehid e po e vrave ai është në zjarr. – mbylli fjalën profeti.
Shikoni! Ky hadith flet për situata të tilla mes dy myslimanëve. Të lejohet ta mbrosh pasurinë deri në pikën e fundit të gjakut. Disa dijetarët kanë thënë është më mirë të lihet pasuria se të zhveshen shpatat. Në rregull, por ai e ka të lejuar ta mbrojë pronën private dhe pasurinë e tij deri në fund. Askush nuk mund ta denigrojë atë. Kjo mes myslimanit të shtypur dhe atij zullumqar. Si qëndron puna atëherë me çifutin, me pushtuesin, me atë më të egrin që vret edhe foshnjet me gjakftohtësi. Kjo ishte për pronën private, po si qëndron puna për tokën e bekuar të Palestinës, tokën e Aksasë që është bekuar ajo e ç’ka rreth saj?! Deri diku mund ta mirëkuptojmë që t’u thuhet atyre: Juve ju lejohet të largoheni, ose më mirë ikni, mirëpo në asnjë mënyrë nuk mund të mirëkuptojmë atë që imagjinon se ata që nuk e kanë pranuar këtë këshillë dhe e kanë mbrojtur tokën e tyre me ç’kanë pasur mundësi ata janë të mashtruar dhe në gabim. Këto fjalë janë të ngjashme me fjalët e munafikëve: (Po të ishin këtu me ne as nuk do të vdisnin e as nuk do të vriteshin) Ali Imran. Janë dy çështje shumë të ndryshme.
Në anën tjetër, çlirimi i Palestinës është detyrë dhe obligim sheriatik, fetar, moral dhe njerëzor që bie mbi udhëheqësit arabë, siç e ka theksuar edhe vetë shejh Albani në shumë raste. Këtë detyrë parësore dhe të rëndësishme ata jo vetëm që e kanë lënë pas dore por po bëjnë të kundërtën e saj, duke i mbajtur anën armikut në shumë raste dhe duke i hapur portat atij. Lënia e dytyrave sheriatike është nënçmim për ta. Ai që braktis detyrat fetare dhe morale nënçmohet dhe dënohet, kritikohet dhe denoncohet, nuk përkëdhelet dhe nuk elozhohet. Ju lutemi! Këto fjalë shejhu i ka thënë para tre dekadave, atëherë kur indiferenca nuk kishte arritur kulmin ku ka arritur sot dhe tre jo-të e Kartumit të vitit 1967 ishin akoma në fuqi, ndërsa sot e kanë humbur tërësisht sensin.
Prandaj këta djelmosha frazën që e thonë vend e pa vend: Po të dëgjonin palestinezët fjalët e dijetarëve nuk do t’i zinte kjo që i zuri, duhet ta zëvendësojnë me frazën e duhur: Të dëgjonin shtetet arabe fjalët e dijetarëve dhe të vepronin sipas detyrimeve fetare dhe morale nuk do të ishim në këtë gjëndje ku jemi katandisur sot, as ne dhe as Palestina. Allahu e bëftë mirë!
E fundit që desha të trajtoj me këta vëllezër dhe që ka lidhje edhe me fjalët e shejh Albanit mësipër është gjëndja ku po shkon Saudia sot. Këto fjalë të shejhut janë thënë tridhjetë e ca vjet më parë dhe nuk janë as të parat dhe as të fundit. Shejhu ka folur shpeshherë për të tilla çështje. Unë vetëm doja të dija diçka! Çfarë do të thoshte shejhu po të shikonte sezonin e Rijadit dhe bythdalat _më falni për shprehjen_ që kërcejnë në mesin e myslimanëve, në zemrën e tokave të islamit. Çfarë do të thoshte për sallat e letrave dhe lojrave të fatit që janë hapur. Çfarë do të thoshte për rininë saudite që po shkon keq e më keq. Për milionat që paguhen për piktura e lojtarë, qejfe e dëfrime të shfrenuara?! Çfarë do të thoshte?! Po të ishte shejhu gjallë, në burg do ta kishim sot, sepse shejhu nuk do të rrinte dot pa folur, pasi ka qënë i sinqertë dhe nuk tutej ndaj të kotës dhe nuk heshte për të vërtetën.
Këto nuk janë vetëm gjynahe ashtu si dëshirojnë disa të na hedhin hi në sy. Në fakt, është një politikë shtetrore e ndjekur e cila ka vendosur në përdorim mjetet, financimet dhe institucionet e ndryshme për ta përhapur këtë shthurje. Para pak kohësh u mbyll institucioni i Hisbes (urdhërimit për mirë dhe pengimit të së keqes) dhe në vend të tij u hap një institucion shtetror tjetër me emrin “Drejtoria e Argëtimit” e cila ka marrë përsipër të përhapë prishjen morale në këtë vend të dashur.
Është e paprecedent që një shtet arab të marrë përsipër futjen e kulturës së huaj dhe promovimin e saj. Kemi parë shtete arabe që nëpërmjet ministrisë së kulturës të promovojnë këngët popullore, këngëtarët e vendit, të promovojnë Ummu Kulthumin me Muhamed Abdulvehabin, të promovojnë Fejruzin që këndonte O Kuds i Salahudinit! Personalisht mendoj që muzika është haram dhe e ndaluar. Temë tjetër kjo që mund ta diskutojmë. Kemi parë edhe selefistë që flisnin ditë e natë për shthurjen e Ummu Kulthumit dhe Fejruzit dhe ndonjë dijetari që e ka lejuar, e tani nuk gjejnë asnjë motiv, asnjë shtysë brenda vetes për të folur për Shakirën me shoqe. Çfarë hipokrizie është kjo?
Është e paprecedent që një shtet arab të promovojë artistë të huaj, kulturë të huaj dhe ta përhapë atë në mesin e popullit të tij. Nuk është vetëm një gjynah. Është një politikë e tërë shtetërore e mirëorganizuar, e mirëmenduar, e mirëfinancuar, për të ndryshuar natyrën e shoqërisë saudite, që për 10-20 vjet të kthehet në një popull tjetër, të transformuar tërësisht. Zgjohuni dhe hapini sytë! Këtu do jemi _me lejen e Allahut_ dhe do ta shikojmë.
E në fund po e mbyll duke thënë ne do ta denoncojmë të keqen ashtu si na ka urdhëruar profeti ynë i dashur, salavatet e Allahut qofshin për të. Do ta denoncojmë dhe nuk do heshtim. Nuk do të bëhemi selektivë sepse islami nuk është selektiv, siç thotë edhe shejh Albani këtu. Do të flasim ashtu si ka folur edhe shejhu. Prandaj ju lutemi shumë lejini një herë e mirë etiketimet e tipit havarixh pas ekraneve dhe havarixh të ulur. Nëse doni të etiketoni, etiketoni shejhun që pretendoni që e ndiqni, i cili kurrë nuk ka heshtur dhe kurrë nuk është përzier me politikanë (çështje tjetër kjo).
Unë po e them shumë hapur që unë nuk kam drejtimin e shejhut në shumë tema, madje edhe si drejtim i përgjithshëm në fikun islam dhe veprimtarinë islame në përgjithësi, mirëpo respekti im për shejhun është i pacënueshëm dhe buron nga bindja ime që shejhu jo vetëm ka qënë njeri i dijes, por ka qënë edhe njeri trim dhe i sinqertë. Pastaj prej secilit merret dhe lihet. Vetë shejhu ka qënë pishtar i kundërshtimit të taklidit dhe verbërizmit. Edhe në çështjen e taklidit ndaj mendime të ndryshme me shejhun, por prap them që shejhu është i nderuar dhe i respektuar. Ndërsa disa pasues të verbër, po them disa e nuk po i fus të gjithë në një thes, fatkeqsisht po e paraqesin shejhun të shpërfytyruar për shkak të ngurtësisë së tyre dhe po bëhen shkak për largimin e njerëzve prej tij. Edhe për këtë këtu do jemi.
Mbase këto fjalë mund të duken pak të rënda dhe të ashpra, por qëllimi im është që vëllezërit e mi të kuptojnë, të kuptojnë realitetin, të kuptojnë thelbin e gjërave dhe elhamdulih në zemra për vëllazërinë kemi vetëm dashuri dhe dëshirë që Allahu të na udhëzojë të gjithëve në rrugën e drejtë, në rrugën e profetit, në rrugën e të parëve tanë të mirë. Amin!
Florian Leli
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit