Spitali më i madh i Gazës ka karburant për gjeneratorët për disa orë të tjera, tha mjeku Omar Abdel-Mannan për Sky News.
Ai shtoi se është në kontakt me ekspertë mjekësorë në spitalin al Shifa dhe se situata është “katastrofike”, transmeton Telegrafi.
“Shqetësimi më i madh që pata mbrëmë ishte mesazhi i fundit që mora nga një koleg, i cili thotë se gjeneratorët e tyre mund të punojnë edhe për disa orë të tjera”, tha ai.
Duke shpjeguar se çfarë do të thotë kjo, ai tha se dritat do të fiken, ventilatorët do të ndalojnë së punuari, foshnjat e lindura para kohe do të “vdesin” dhe “ata që janë në dializë çdo ditë do të vdesin”.
“Kjo është sinqerisht një fatkeqësi humanitare më e keqe se çdo gjë që kemi parë në historinë e fundit”, shtoi pediatri.
Ai tha se kishte parë fotografi të fëmijëve me “gjymtyrë të copëtuara, trupa të gjymtuar dhe djegie në fytyrat e tyre” dhe shtoi se “nuk ka asnjë ilaç për këta fëmijë”.
“Ata janë pothuajse më mirë të vdekur, ky është realiteti. Janë në dhimbje të tmerrshme, në agoni “, theksoi ai. /Telegrafi/