5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Lista Serbe para ndryshimeve, një parti e re e serbëve në horizont

Më të lexuarat

Serbët në Kosovë së shpejti do të kenë një parti të re politike, e cila do të veprojë në të gjitha zonat e banuara me shumicë serbe në veri dhe jug të lumit Ibër, me qëllim të “mbrojtjes së interesave të tyre”.

Bëhet fjalë për partinë Lëvizja Popullore Serbe, e cila është themeluar si alternativë ndaj Listës Serbe, nga Branimir Stojanoviq, aktivist politik nga jugu, dhe Millia Bishevac nga veriu i Kosovës.

Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, ishte deri më tani opsioni i vetëm politik që funksiononte në të gjitha mjediset e banuara me serbë në Kosovë.

“Ne duam të ndërtojmë një organizim të ri politik që do të përfaqësojë interesat e njerëzve nga të gjitha komunitetet serbe në mënyrë të arsyeshme dhe racionale”, thotë Branimir Stojanoviq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL).

Megjithatë, ai nuk deshi t’i zbulojë emrat e personave që, përveç tij dhe Bishevacit, do të kenë rol në këtë lëvizje.

“Për pak kohë do t’i mësoni emrat e disa njerëzve të rinj dhe të mjediseve të tjera [të banuara me shumicë serbe]. Do të shihni që është një nismë më serioze dhe më e gjerë, e cila nuk kufizohet vetëm te ne të dy. Larg kësaj, do të ketë shumë njerëz të rinj”, shprehet Stojanoviq.

Ai shton se disa prej atyre që do të jenë anëtarë të Lëvizjes Popullore Serbe, kanë marrë pjesë në politikë, e disa të tjerë, do të jenë të rinj.

Një nga themeluesit e Listës Serbe ishte edhe Branimir Stojanoviq, i cili pas largimit nga kjo parti, u bë “kundërshtar dhe kritik” i saj. Siç deklaroi vetë Stojanoviq, ai u largua nga Lista Serbe, sepse më nuk pajtohej me politikën e tyre.

Në zgjedhjet lokale të Kosovës në vitin 2021, ai ishte kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, një komunë e banuar me shumicë serbe afër Prishtinës.

Po atë vit, Millia Bishevac mori pjesë në zgjedhjet në Zubin Potok në veri të Kosovës me Iniciativën e tij Qytetare, Për Zubin Potokun, kur hyri në Kuvendin Komunal si këshilltar.

“Ne duam të ofrojmë një alternativë, të tregojmë se si duhet të jetë, jo vetëm të jemi kundër diçkaje, por të jemi në interes të njeriut të thjeshtë”, tha Stojanoviq.

Fytyra të reja edhe te Lista Serbe?

Derisa alternativat e reja politike serbe po afrohen, mediat lokale në gjuhën shqipe në Kosovë raportuan se Lista Serbe do të mbajë një kuvend të partisë në ditët në vijim, ku do të zgjidhet kryetari dhe kryesia e re.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të konfirmojë një informacion të tillë sepse Lista Serbe nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve deri në publikimin e këtij teksti. Nuk ka pasur përgjigje as nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë lidhur me “ristrukturimin” e mundshëm të Listës Serbe.

Deri më 29 shtator, nënkryetar i Listës Serbe ishte Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë afër Zveçanit nga një grup i armatosur serbësh, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Lista Serbe deri më tani nuk është distancuar publikisht nga Radoiçiqi dhe as nuk ka reaguar pas dorëheqjes së tij.

Branimir Stojanoviq, nga ana tjetër, beson se çdo ndryshim brenda Listës Serbe do të jetë formal, gjegjësisht nuk do të sjellë “ndryshime thelbësore”.

“Prandaj është e rëndësishme që populli ynë të kuptojë se mjaft është me këtë formalitet… besoj se njerëzit tanë do ta vlerësojnë shumë mirë se të gjitha ndryshimet që do të ndodhin, janë thjesht ‘larje’ e një mekanizmi korruptiv, që është vështirë të ndryshohet”, tha Stojanoviq në një deklaratë për REL-in.

Lista Serbe Kuvendin e fundit të rregullt zgjedhor e mbajti në vitin 2021, kur Goran Rakiqi u zgjodh kryetar i partisë për një mandat katërvjeçar.

Ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Millan Radoiçiq, Igor Simiq dhe Dalibor Jevtiq.

Edhe Miodrag Marinkoviq nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale, beson se personat e rinj në listën Serbe nuk do të thonë “praktikisht asgjë” dhe beson se kjo parti me siguri do të mbetet me ndikim për shkak të mbështetjes së Beogradit.

“Këtë mund ta shohim nga qeverisja e Partisë Progresive Serbe në Serbi, në të cilën njerëzit drejtues në parti zëvendësohen sepse janë diskredituar nga një sërë aferash. Mendoj se po kjo po i ndodhë Listës Serbe. Është vetëm një tentativë ‘ribrendimi’ por jo një ndryshim thelbësor”, shprehet ai.

A do ta ketë ndonjë parti tjetër mbështetjen e Beogradit?

Marinkoviq nga Qendra për Çështje Sociale Afirmative konsideron se është mirë që do të ketë “pluralizëm” në mesin e komunitetit serb në Kosovë, pas një dekade të sundimit absolut të Listës Serbe.

Megjithatë, ai thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet opsioneve politike që deklarohen si “alternativë e Listës Serbe” dhe përmend “domosdoshmërinë e bashkëpunimit me Beogradin” dhe “qëndrimin e unifikuar ndaj autoriteteve të Kosovës me qëllim të mbrojtjes së interesave të komuniteti serb” si arsye

Marinkoviq, gjithashtu, beson se asnjë opsion i ri politik nuk do ta ketë mbështetjen e Beogradit, nëse nuk ka kontroll mbi të.

“Lista serbe është ende në lojë, është e diskredituar, por ajo që e bën atë një faktor të vlefshëm në mesin e komunitetit serb është pikërisht mbështetja nga Beogradi. Ka mekanizma që mund të përdoren për të ndikuar te votuesit”, thotë Marinkoviq dhe në këtë kontekst përmend se një numër i madh i të punësuarve në institucionet serbe janë në Kosovë.

Nga ana tjetër, Branimir Stojanoviq thotë se në këtë moment është e rëndësishme që ata të përkrahen nga “njerëz të zakonshëm”.

“Nëse dikush tjetër do të na mbështesë më vonë dhe do ta kuptojë se politika e bërë në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë, ne nuk mund ta dimë këtë. E sigurt është se ne duam të flasim me të gjithë ata që ndikojnë në jetën tonë. Sigurisht që Beogradi është një nga ato adresa dhe se a do të ketë mirëkuptim për argumentin tonë, nuk mund ta dimë tani”, thekson ai.

Parashihet formimi i nismave të tjera

Aktivisti politik nga Mitrovica e Veriut, Dejan Nedelkoviq, më parë i tha REL-it se ai dhe njerëzit e tij, ngjashëm do të formojnë iniciativa qytetare nëse shpallen zgjedhjet lokale në komunat në veri dhe Lista Serbe merr pjesë në to.

“Këtë na e kërkojnë qytetarët, pas 10 vjetësh punë opozitare, sa jemi duke luftuar kundër Listës Serbe, populli vetëm pas dhjetë vjetësh e ka konstatuar se kemi të drejtë”, tha ai.

Gjithashtu, një grup politikanësh nga veriu dhe jugu paralajmëruan riaktivizimin e Këshillit Kombëtar Serb, i cili funksionoi deri në vitin 2013.

Ndryshe, shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës është paraparë me planin për shtensionim të situatës, pasi kryetarët shqiptarë morën pushtetin në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Kryetarët e zgjedhur të këtyre komunave nuk pranohen nga popullata lokale serbe, e cila i bojkotoi zgjedhjet e prillit.

Lista Serbe, e cila fillimisht bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, më 13 tetor njoftoi se është e gatshme të marrë pjesë në to.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit