3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Sulmi terrorist në veri – detaje të reja të lidhjes së shtetit të Serbisë me grupin e armatosur

Më të lexuarat

Detaje të reja janë zbuluar tri ditë pasi grupi i armatosur serb, që sipas autoriteteve kosovare përbëhej prej rreth 30 personash, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosur zyrtarin tjetër policor, Alban Rashiti.

Policia e Kosovës, duke e konsideruar të qetë situatën në fshatin Banjskë të Zveçanit, ka marrë vendim që sot ta lirojë rrugën për qarkullim, me ç’rast edhe mediat kanë pasur mundësinë që të hyjnë në fshat.

Në praninë e gazetarëve që sot vizituan vendin e ngjarje te Manastiri i Banjskës, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se hetimet për këtë rast do të zgjasin edhe një kohë të gjatë.

“Hetimet nuk kanë me përfundu edhe një kohë të gjatë, sepse edhe për ne është interesante pse ky vend me u zgjedh në këtë formë dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur me arrit me këtë vend këtu”, tha Elshani.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët në sulmin terrorist në Banjskë është edhe Bojan Mijailoviq, truproja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

Sveçla, duke vazhduar me prezantimin e provave të reja që sipas tij tregojnë qartë lidhjet zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku, sot ka publikuar një dokument që është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave.

Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Kisha Ortodokse Serbe ka shprehur keqardhje për shqiptarë dhe serbët që kanë pësuar më 24 shtator. Ajo tha se është e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit dhe dënoi ata që tentojnë ta portretizojnë atë si fajtore.

Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, kanë takuar sot liderët e partive opozitare në vend.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë pritur në një takim të përbashkët ambasadorët dhe diplomatët e akredituar në Republikën e Kosovës.

Temë qendrore e këtij takimi ishte sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë, tash Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit