0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Bota me të cilën u përball Muhamedi (alejhi selatu ue selam)

Më të lexuarat

Në kohën kur Muhamedi, i biri i Abdullahut, u dërgua profet, bota i ngjante një ndërtese të goditur nga një tërmet i forte, i cili e kishte tronditur atë fort, sa nuk shihej gjë të ishte në vendin e vet. Shumë prej themeleve dhe pjesëve të tjera ishin krisur, kishte edhe prej atyre që kishin anuar dhe po binin, ndërsa pjesë të tjera kishin dalë nga vendi i vet dhe kishin rënë aty ku nuk duhej, ndërsa kishte edhe pjesë, që ishin konsumuar dhe vjetëruar.

Me syrin e tij prej profeti, hodhi vështrimin mbi botën dhe pa një njeri i cili e shihte me mospërfillje të qenët e tij njeri, e pa sesi u përulej me adhurim gurëve, pemëve apo lumenjve, si dhe gjithçkaje që nuk ishte në gjendje t’i sillte as dëm e as dobi, qoftë edhe vetvetes.

Ai pa një njeri të përmbysur, të shthurur në logjikën e tij, saqë nuk ishte i aftë të perceptonte besimin në gjërat më themelore, si dhe të kuptonte atë që ishte dukshëm e qartë, një njeri që sistemin e të menduarit e kishte jonormal. Tek ai, gjërat hipotetike shiheshin si themelore dhe e anasjellta. Ja, ky sistem i deformuar e bënte atë që diçka të vërtetë dhe bindëse ta shihte me dyshim, ndërsa besonte pa mëdyshje atë që ishte krejt e dyshimtë. Një njeri që edhe shijen e kishte humbur, aqsa e hidhura i dukej e ëmbël, ndërsa e shëmtuara e bukur, një njeri që kishte oreks edhe për të pangrënshmen. Kësisoj pra, ai e humbi ndjeshmërinë e tij duke mos patur urrejtje për armikun mizor, apo dashuri për mikun e dashur dhe këshillues.

Ai pa një shoqëri, që i ngjante botës në një pamje të zvogëluar, ku gjithçka në të ishte në pamjen e gabuar dhe në vendin e gabuar, sepse ujku ishte bërë bariu i tufës, ndërsa hasmi gjykatës. Në atë shoqëri, krimineli ishte ai që gëzonte dhe kishte fatin e mirë, ndërsa i miri duhej të vuante dhe të hiqte mundim. Gjëja më e papranueshme për atë shoqëri, ishte virtyti dhe morali, ndërsa veset dhe poshtërsitë ishin mëse normale dhe të pranueshme. Në atë shoqëri ai pa tradita të shthurura, të cilat po e rrokullisnin njerëzimin me tatëpjetës së shkatërrimit dhe fundosjes.

Ai pa një alkoolizëm që shkonte deri në ekstremet e veta, një imoralitet dhe shthurje etike që i kapërcente kufijtë e çdo epshi dhe pasioni, një kamatë e cila shkonte përtej mashtrimit, rrëmbimit e zhvatjes së pasurisë së të tjerëve, një grykësi dhe oreks tejet të madh për pasuri, si dhe një egërsi dhe padrejtësi mizore që shkonte deri te vrasja apo varrosja për së gjalli e fëmijëve.

Ai pa mbretër dhe perandorë, që tokat e Allahut i konsideronin kapital për vete, ndërsa njerëzit – skllevër të tyre. Ai pa priftërinj dhe murgjër që adhuroheshin për zota në vend të Allahut, të cilët e hanin pasurinë e njerëzve në rrugë të paligjshme dhe akoma më keq. bëheshin pengesë në rrugën e Allahut

Ai pa se dhuntitë njerëzore kishin humbur, apo kishin dalë jashtë normales, ndaj nuk përfitohej prej tyre dhe nuk drejtoheshin andej nga duhej, e për pasojë, u bënë barrë e lagësht në kurriz të njeriut. Kështu pra trimëria dhe burrëria u shndërruan në fanatizëm dhe barbari, mirësia në shpërdorim, krenaria – në mbrojtje të injorancës, zgjuarsia – në mashtrim dhe dredhi, mendja – shpikëse të krimeve, ndërsa aftësitë krijuese dhe novatore – në rrugë e mënyra për të kënaqur epshet.

Muhamedi (alejhi selatu ue selam) pa njerëz dhe grupe shoqërore që u ngjanin metaleve të papërpunuara dhe nuk kishin pasur fatin që një mjeshtër i zgjuar dhe i mirë t’i merrte në dorë, për t’i bërë ato të përdorshme në ndërtimin e qytetërimit, apo thënë ndryshe, ai pa një shoqëri që i ngjante dërrasave, të cilat nuk i kishte kaluar nëpër dorë një mjeshtër për t’i përdorur në ndërtimin e anijes, e cila do të çante detin e kohës.

Ai pa popujt që u ngjanin tufave pa bari, pa një politikë që ngjante me devenë e shpenguar që kulloste andej nga dëshironte, pa një sundimtar, që dukej si shpata në duart e të dehurit që plagoste me të veten, fëmijët, vëllezërit dhe ata që kishte rrotull.

Burimi: “Çfarë humbi bota me dobësimin e muslimanëvë”

Autor: Ebu Hasen En-Nedevij

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit