2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Përpjekjet e klerit mysliman shqiptar për vendosjen e mësim-besimit në shkollat shtetërore përgjatë viteve 1920-1924

Më të lexuarat

Me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 dhe me themelimin e shtetit të pavarur shqiptar çështjes së zhvillimit të arsimit iu kushtua rëndësi kryesore.

Në gazetën e Qeverisë së Vlorës shkruhej se: “vetëm me një lërim të shëndoshë e me një arsim të vërtetë mund të ngjallet e mund të mëkëmbet kombi ynë e mund të fitojë të drejtën për të hyrë në radhët e popujvet të qytetëruar”. Sipas mundësive që pati, Ministria e Arsimit, në vitin shkollor 1913-1914 çeli 46 shkolla fillore dhe dy normale pregatitore për viset që ishin të lira. Në kuadër të forcimit të unitetit kombëtar, Qeveria e Vlorës, u përpoq të ndiqte një politikë ekuilibruese dhe afrimi me të gjitha besimet fetare. Kjo vihet re edhe me faktin se disa klerikë të njohur të asaj kohe mbanin detyra kryesore në kabinetin e Ismail Qemalit. Ndërsa lidhur me praninë e lëndëve fetare në ato pak shkolla që u hapën nga Qeveria e Vlorës, ne ende nuk disponojmë të dhëna të sakta.

Vitet e Luftës së Parë Botërore përbëjnë një nga periudhat më të ndërlikuara të historisë së Shqipërisë. Territori i vendit tonë u shndërrua në shesh luftimi për të dyja blloqet ndërluftuese. Më 1916 Shqipëria u nda në tri zona pushtimi, austro-hungarez, italian dhe francez. Në kuadër të interesave të veta strategjike për forcimin e elementit shqiptar, Komanda Ushtarake Austro-Hungareze, e cila kishte pushtuar një pjesë të Shqipërisë së Mesme dhe atë të Veriut, mori masa për ngritjen e një administrate vendase duke krijuar tre drejtori: Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit me drejtor Luigj Gurakuqin, Drejtorinë e Financave me drejtor Fejzi Alizotin dhe Drejtorinë e Drejtësisë me drejtor Avni Dabullën. Vlen për t`u theksuar se përgjatë kësaj periudhe u hapën një numër i madh shkollash shqiptare dhe u hartuan disa nga programet më kryesore për historinë e shkollës dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Në të gjitha programet mësimore të këtyre shkollave lënda e besimit fetar, për t`u zhvilluar dhe për t`u shpërndarë sipas klasave, i ishte lënë në dorë komuniteteve fetare. Sipas planit mësimor kjo lëndë zinte tre orë në javë për tri vitet e para dhe dy orë në javë për vitin e katërt dhe të pestë.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, më 21 janar 1920 u mbajt Kongresi Kombëtar i Lushnjes i cili mori vendime shumë të rëndësishme për shpëtimin e Shqipërisë dhe për bashkimin kombëtar. Qeveria e dalë nga ky kongres i kushtoi një rëndësi të veçantë edhe zhvillimit të arsimit. Në këtë kuadër, Ministria e Arsimit, më 15 gusht 1920 thirri kongresin arsimor të Lushnjes, ku morën pjesë disa nga arsimtarët më të njohur të vendit tonë. Lidhur me zhvillimin e lëndëve fetare nëpër shkollat shqiptare, Kongresi Arsimor i Lushnjes, vendosi që programet dhe orët e mësimit të besimit t`i liheshin autoriteteve të secilës fe, ndërsa të drejtën e kontrollit për zbatimin e këtyre orëve t`a kishte Ministria e Arsimit.

Më 4 nëntor 1920, Ministria e Arsimit njoftoi Këshillin e Naltë të Sheriatit për të mbledhur një komision të posaçëm, i cili, do të merej me shqyrtimin e pyetjeve që dilnin lidhur me përcaktimin e lëndës së besimit në arsimin publik. Si datë e mbledhjes së këtij komisioni ishte caktuar data 7 nëntor dhe pikat kryesore që do të diskutoheshin ishin këto: caktimi i orëve të mësim-besimit islam nëpër shkollat që frekuentoheshin vetëm nga myslimanët, shkollat e katundeve, në shkollat fillore të plota, në shkollat qytetëse dhe normale; programet analitike që do të shërbenin si udhëheqës për autorët që do të hartonin librat e besimit mysliman; dhe se ç`rregull duhet të ndiqnin shkollat publike në muajin e Ramazanit për vazhdimin e mësimit të nxënësve. Megjith këto lëshime, shteti i ri shqiptar nuk miratoi asnjë fe zyrtare dhe shpalli se ndiqte një politikë laike në marrëdhëniet me bashkësitë dhe praktikat fetare të popullsisë. Kjo, u bë me qëllim për të forcuar lidhjen kombëtare midis shqiptarëve të tri besimeve fetare. Për pasojë, shteti laik e shpallte veten si agjentin veprues të kombit dhe në emër të njësimit kombëtar, ai ushtronte kontroll të rreptë mbi çështjet dhe organizatat fetare. Kjo më së miri u vu re në orientimin që u ndoq për organizimin e sistemit arsimor, ku si shembull u mor kryesisht Franca, e cila, njihej për konsekuencën që ndiqte për laicizimin e institucioneve publike. Kështu, më 7 janar 1921, ministri i Arsimit i dretoi kryeministrisë një shkresë me anë të së cilës shprehte nevojën që ky dikaster kishte për shembujt e sistemeve të ndryshme arsimore që përdoreshin nga kombet e qytetëruara.

Prandaj, kërkonte që të urdhërohej kryesekretari i Ministrisë Jashtme, Nuri Vila, i cili, ato ditë ndodhej në Paris, që t`i dërgonte kësaj ministrie programet, rregulloret dhe ligjet e arsimit fillor dhe të cikleve të tjera shkollore, si dhe nga tre ekzemplarë autorësh të ndryshëm për çdo libër që përdorej nëpër shkollat fillore të Francës. Kjo ministri, sugjeronte gjithashtu që një urdhëresë e tillë, t`i jepej edhe kryetarit të delegacionit shqiptar në Gjenevë, Fan Nolit, që edhe ky të dërgonte të njëjtat programe, rregullore dhe ligje arsimore që përdoreshin në kantonet e Zvicrës.

Duke u mbështetur në të drejtën e njohur më parë nga vetë shteti shqiptar, në muajt e parë të vitit 1921, Gjyqi i Nalt i Sheriatit i kërkoi Ministrisë së Arsimit që të drejtën e inspektimit të lëndës së besimit nëpër shkolla, ta merte përsipër ky institucion. Por, një kërkese të tillë ky dikaster iu përgjigj në mënyrë kategorike, duke shkruar se mbasi në këtë fushë ende nuk kishte ndonjë ligj të veçantë, sipas të cilit do të mund të rregullohej kjo çështje, inspektimi i mësimit të fesë për të tre besimet do të zgjidhej pasi të bëhej një ligj i posaçëm. Prandaj, një inspektim i tillë së bashku me shqyrtimin e librave që do të përdoreshin për këtë lëndë, nuk mund të lejohej. Sipas ministrit të Arsmit Rexhep Mitrovica, i cili njihej për pikpamjet e tija tej mase laike, kjo ishte një e drejtë legjitime dhe ekskluzivitet i kësaj ministrie.

Ndërkohë nga masat e gjera të popullsisë çdo ditë e më shumë po shfaqej një pakënaqësi e përgjithshme. Ankesës së Gjyqit të Nalt të Sheriatit mbi problemet që ishin hasur në Prefekturën e Korçës dhe Gjirokastrës, Ministria e Arsimit iu përgjigj se sipas raporteve që kishte marë nga drejtoritë arsimore të këtyre rretheve, mësimi i besimit si për myslimanët ashtu edhe për të krishterët jepej rregullisht nëpër shkollat e këtyre prefekturave. Kjo lëndë me vendim të këshillave arsimorë i ishte ngarkuar mësuesve të gjuhës, duke u caktuar edhe orët përkatëse. Në ato shkolla ku kishte nxënës të përzier, për të dhënë mësimin e fesë ishin emëruar dhe po emëroheshin mësues të veçantë. Pra, duke qenë se ky mësim jepej sipas statutit të atyre prefekturave, ministri i Arsimit shkruante se nuk mund t`i kundërshtonte në asnjë mënyrë pasi e kishte si princip që mësimi i fesë të lihej i lirë e të mësohej në çdo prefekturë e nënprefekturë sipas vullnetit e dëshirës së popullit.

Si rezultat i presionit të krijuar dhe për të vendosur ekuilibrat e brendshëm, në një situatë politike ende të pastabilizuar për shtetin e ri shqiptar, kryeministri Iliaz Vrioni urdhëroi Ministrinë e Arsimit se pas një ankese të popullit mysliman të Korçës përcjellë me shkresën e Gjyqit të Nalt të Sheriatit nr.374 më datë 30 janar 1921, lidhur me mos zhvillimin e mësimeve fetare e të librit të shenjtë Kur`anit në shkollat e atij qarku, porositi që të jepeshin urdhërat e nevojshme për mësimin e Kur`anit ashtu sikurse edhe mësimet e tjera fetare, sipas programit të përcaktuar nga ajo ministri, që kështu të mos shkaktoheshin më ankime. Ministri i Arsimit i revoltuar nga këto ankesa iu përgjigj kryeministrisë se, që nga Kongresi Arsimor i Lushnjes programet dhe orët e mësimit të feve i ishin lënë autoriteteve të secilës fe, ndërsa të drejtën e kontrollit për zbatimin e këtyre orëve e kishte kjo ministri. Ministri ankohej gjithashtu edhe ndaj ndërhyrjeve të Ministrisë së Brendshme, e cila, e interesuar për të ruajtur qetësinë publike dhe për të evituar mundësinë e shfrytëzimit të këtyre rasteve nga ndonjë shtet i huaj, kishte urdhëruar prefekturat dhe nënprefekturat që ishin nën varësi të saj që të ndërhynin menjëherë pranë shkollave për zbatimin e programit të mësim-besimit.

E gjendur në një situatë të tillë, Ministria e Arsimit kërkoi formimin e një komisioni, i cili, do të merej me çështjen e hartimit të programit të lëndës së mësim-besimit. Në këtë komision, që u mblodh për herë të parë më 16 shtator 1921 bënin pjesë figura eminente të klerit dhe intelektualë të njohur myslimanë, si: Hafiz Ali Korça, Sali Vuçiterni, Hafiz Ibrahim Dalliu, Halit Rroji, Sali Çeka, Hysen Myshketa, S.Ndroqi, S. Kadi, etj., me kryetar Hoxha Kadriun. Komisioni vendosi që lënda e besimit mysliman të ndahej në mënyrë të veçantë për shkollat fillore, qytetase dhe të mesme, duke marë parasyshë metodat pedagogjike bashkohore. Sipas propozimit të Komisionit dhe pëlqimit nga ana e Ministrisë së Arsimit u vendos hapja e një kursi gjashtë mujor në qytetin e Shkodrës, i cili, do të përgatiste mësues të pajisur me aftësi profesionale për dhënien e lëndës së mësim-besimit nëpër shkollat shtetërore.

Për shkollat fillore që përfshinin moshën 7-12 vjeç, sipas programit të mësipërm, nxënësi do të mësonte të lexonte Kur`an dhe Ilmihalin duke marë parasyshë normat bashkohore të pedagogjisë.

Për rendin e I do të kishte vetëm gjëra praktike me gojë e jo me shkrim.

Në rendin e II do të mësohej Abetarja Shqip dhe do të fillonin shkronjat arabishte sipas metodës përkatëse, në rendin e III do të fillonte këndimi i Kur`anit dhe Ilmihalit.

Në rendin e V të fillores do të mësohej historia islame në mënyrë graduale dhe një pjesë e vogël e Texhvidit që përfshinte rregullat e leximit të Kur`anit.

Në mbledhjen e zhvilluar më 9 tetorit 1921, Komisioni mori vendimin që orët e mësim-besimit të ndaheshin në këtë mënyrë: në rendin e II të fillores mësim-besimi të bëhej 3 orë në javë, çdo orë do të kishte dy lëndë mësimi nga një gjysëm ore secila.

Në rendin e III të IV e të V nga 3 orë në javë, në këtë mënyrë merte fund edhe mësimi I besimit nëpër shkollat fillore.

Tabela .1.

Mësim-besimi në shkollat fillore

Klasa Orë në javë

I –

II 3

III 3

IV 3

V 3

Tabela .2.

Mësim-besimi në shkollat qytetëse

Klasa Orë në javë

I 3

II 2

III 2

Tabela .3.

Mësim-besimi në shkollat normale

Klasa Orë në javë

I 3

II 3

III 3

IV 3

V 3

Tabela .4.

Mësim-besimi në gjimnaze

Klasa Orë në javë

I 2

II 2

III 3

IV 2

V 2

Për hartimin e librave të besimit u vendos krijimi i një komisioni të veçantë ku do të bënte pjesë Hoxha Kadri Prishtina, Hafiz Ali Korça, Sali Vuçiterni, Sulejman Kadiu dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit Salih Çeka.

Në bazë të vendimeve të mara nga Kongresi Pedagogjik i Lushnjes më 18 korrik 1920 për sa i përket ditëve të pushimit në shkollat shtetërore, krahas ditëve të pushimit me karakter kombëtar ose të besimeve të tjera fetare, për nxënësit myslimanë konsideroheshin si ditë pushimi festat e mëposhtme: 2 ditë para Bajramit të Ramazanit, 5 ditë me rastin e Kurban Bajramit, 3 ditë me rastin e Bajramit të Ramazanit, 1 ditë me rastin e Mevludit, dhe nga 1 ditë me rastin e netëve të mira.

Tabela .5.

Ditët e pushimit për nxënësit myslimanë

Festa Nr . i ditëve

Dy ditë para Bajramit të Ramazanit 2

Bajrami i Ramazanit 3

Kurban Bajrami 5

Mevludi 1

Nata e Regaibit 1

Nata e Miraxhit 1

Nata e Berait 1

Nata e Kadrit 1

Nata e Nevruzit 1

Gjithsej 16

Megjithë përpjekjet për gjetjen e ekuilibrave të nevojshëm midis Ministrisë së Arsimit nga njëra anë dhe popullit mysliman e Gjyqit të Naltë të Sheriatit nga ana tjetër, midis të dyja palëve pati dhe keqkuptime, të cilat erdhën kryesisht nga masat e pamatura dhe të nxituara për kohën të ministrit të Arsimit të asaj kohe Rexhep Mitrovica. Kulmin këto keqkuptime e arritën në vitin 1922, kur pas ankesave të popullsisë së Shkodrës, me anë të një shkrese ai i drejtohej kryeministrisë me fjalët: “Një anomali të madhe jemi tue pamë në Ministrin tonë, megjithëse qeveria jonë quhet e thirret afetare ne jemi tue mbajtun, sidomos ndër shkolla t`anës së veriut, mësimin e besimit e tue prishun shuma bukur të forta në mënyrë që Ministria jonë mund të thuhet se asht fetare, punë që i kundërshton parimit që ka marrë për themel Qeverija”. Një ballafaqim të njëjtë, tani jo për çështjen e lëndës së mësim-besimit, e cila, sipas pretendimeve të klerit dhe popullsisë myslimane nuk zbatohej me përpikmëri nëpër shkollat shqiptare, por për hapjen e gjimnazit në Shkodër, Rexhep Mitrovica pati edhe me klerin katolik. Ky i fundit e shikonte këtë si një rrezik të monopolizimit të arsimit nga ana e shtetit. Në broshurën që botoi, kleriku P.Ambroz Marlaskaj u përpoq të tregojë se gjimnazi do të ndiqej vetëm nga nxënës myslimanë dhe jo edhe nga ata katolikë.

Me kalimin e kohës orët e mësim-besimit nëpër shkollat shtetërore erdhën duke u reduktuar. Më 16 nëntor 1924, me një vendim të posaçëm Këshilli i Naltë i Sheriatit e kontestoi qarkoren e Ministrisë së Arsimit nr.1343/I datë 24 shtator 1924, e cila, urdhëronte drejtoritë arsimore në çdo prefekturë që:

1) Mësimi i besimit të bëhej dy orë në javë, në klasat e fundit, në orët e fundit, paradite ose pasdite.

2) Mësimi i besimit të bëhej prej trupit mësimor sipas fesë e, në rast të mungesës së personelit, mësimi i fesë përkatëse do të rekomandohej prej autoritetit përkatës fetar, i cili merte përsipër edhe pagimin e rrogës së tij.

3) Ministria e Arsimit e shihte si të domosdoshme që mësuesit e secilit besim fetar të ishin në pajtim me kërkesat shtetërore e njerëzore, që shkolla të rriste dhe të edukonte fëmijë, vëllezër, etj, etj. Ndryshimi në fe nuk i pengonte shqiptarët të ishin shtetas të mirë dhe atdhetarë të ndershëm.

Nga të gjitha këto pika, Këshilli i Naltë i Sheriatit më shumë të arsyeshme shihte pikën tre, duke qenë se mësimet e fesë islame nuk binin në kundërshtim me këtë pikë. Por, ky Këshill kërkonte nga Ministria e Arsimit sigurimin e zhvillimit të mësim-besimit nga mësues të aftë; kompetenca e dhënies së mësim-besimit të caktohej nga autoritetet fetare; të ngarkoheshin autoritetet fetare për të mbikqyrur dhënien e mësim besimit; mësim-besimi të ishte një lëndë e detyrueshme ashtu sikurse lëndët e tjera; kjo lëndë të ishte pengesë për të kaluar klasën, nëse nxënësit nuk tregonin zotësinë e duhur mbi mësim-besimin në kohën e provimit; rrogat e mësuesve të mësim-besimit të paguheshin nga arka e shtetit, si mësuesit e tjerë; mësim-besimi i nxënësve myslimanë të zhvillohej sipas programit analitik, i përgatitur nga një komision i posaçëm që i ishte paraqitur Ministrisë së Arsimit me anë të shkresave 640/II, 640/III datë 19.11.1924 dhe 11.10.1921 dhe 11.9.1921 nga ana e Kryemyftiut të Shqipërisë.

Pikëpamjet e tija mbi laicizimin dhe kombtarizimin e shkollës shqiptare, ministri i Arsimit Rexhep Mitrovica, në mënyrë më sintetike i shpjegoi në një numër të posaçëm të “Revistës Pedagogjike” me titull “Letër e dytë Arsimtarëve të Shqipnis”. Ku ndër të tjera ai justifikohej se personalisht nuk ishte kundër besimeve fetare; se ishte plotësisht e vërtetë se një ndër mjetet për të formuar njerëz të ndershëm ishte mësimi i besimit dhe ai i moralit. Por, gjithësesi ai i përmbahej parimit se: “Shkolla popullore duhet të ishte një shkollë asnjanëse, por jo me indiferencën e saj për ndjesit fetare, mbasi ajo është shkollë kombëtare, shkollë e një kombi ku nënshtetasit janë mbështetun në ndjenja fetare të ndryshme. Shkolla do t`a respektojë këtë ndjesi fetare, do të kujdeset fort e të ruhet që të mos i nisë pa kohë nxënësit e vegjël të shkollës fillore ndër pasione që nuk i përshtaten moshës së tyre”.

Pavarësisht këtyre mendimeve, që siç e kemi theksuar dhe më sipër ishin disi të nxituara për kohën, në raport me mentalitetin por edhe me reformat arsimore të ndjekura nga vetë shtetet më të civilizuara të Europës, Rexhep Mitrovica mbetet një figurë me një kontribut të rëndësishëm në fushën e arsimit kombëtar.

Në shkollat shqiptare lënda e mësim-besimit vazhdoi të jepej edhe më vonë. Por, tani vetëm në shkollat fillore dhe në mënyrë më të reduktuar se sa periudha e marë në shqyrtim nga ana jonë.

Revista Zani i Naltë, nr. 1, tetor-nëntor-dhjetor 2012

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit