20 C
Pristina
Thursday, September 19, 2024

Problemet bashkëshortore dhe zgjidhja e tyre

Më të lexuarat

Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se problemet familjare dhe bashkëshortore, nuk lindin menjëherë. Një fjalë e urtë thotë: “Ç’të mbjellësh, do të korrësh.”

Prandaj, secili prej nesh kontribuon në një mënyrë apo në një tjetër në problemet e shumta me të cilat ndeshemi. Diçka të tillë, na e kujton dhe përmend edhe Zoti në Kuran me fjalët:

“Thuaj (o Muhamed): “Kjo u erdhi prej vetes suaj.” (Ali Imran, 165)

Nëse do të studiojmë familjet e profetëve, që nga Ademi (a.s.), deri tek profeti Muhamed (a.s.). do të gjejmë se të gjithë kanë pasur probleme brenda familjeve të tyre. Ademi (a.s.). u sprovua me një problem shumë të madh familjar. Njëri nga djemtë e tij, vrau të vëllanë. A e imagjinoni dot që një krim me përmasa të tilla, ku vëllai vret vëllanë, të ndodhë në familjen e një profeti! A e imagjinoni dot që kjo ngjarje makabër të ndodhë në familjen e Ademit (a.s.), babait të njerëzimit!’

Probleme familjare ka pasur edhe profeti Nuh (a.s.).

Gruaja e tij nuk ishte myslimane, nuk i përkiste fesë së Nuhut (a.s.). Madje, akoma më keq, ajo tallej me Nuhun (a.s.). Po ashtu, njëri nga fëmijët e Nuhut (a.s.), nuk ishte besimtar. Fëmijët tjerë kishin ndjekur fenë e Nuhut (a.s.) dhe hipën bashkë me të në anijen e shpëtimit. Por, njëri prej tyre refuzoi dhe u mbyt.

Profeti Lut (a.s.), u përball me probleme familjare me të shoqen e tij.

Në historinë e Jakubit (a.s.). kemi smirën dhe urrejtjen që lindi tek fëmijët e tij për Jusufin (a.s.). Kjo smirë dhe urrejtje i bëri që ta hidhnin vëllanë e tyre në një pus të thellë në mes të shkretëtirës.

Me gjithë këto probleme dhe halle të gjithë profetët jetuan të lumtur. Pra, lumturia konsiston në të kuptuarit e drejtë të problemit dhe trajtimit të duhur të tij. Problemi nuk qëndron në ekzistencën e mosmarrëveshjeve brenda familjes, por në faktin si reagohet dhe trajtohen ato.

Një besimtar i mirë është një bashkëshort dhe familjar i mirë. Një besimtar i mirë është një prind dhe baba i mirë. Një besimtar i mirë është një gjysh dhe një vjehërr i mirë. Një besimtare e mirë është një bashkëshorte, nënë dhe edukuese e mirë. Një besimtare e mirë është një gjyshe dhe një vjehërr e mirë.

Suksesi i njeriut në familjen e tij është një tregues i imanit (besimit) të tij.

– Mungesa e Besimit.

Një prej shkaqeve kryesore të problemeve familjare dhe divorceve është largimi i njerëzve nga rruga e Zotit (xh.sh).

Allahu (xh.sh.), thotë:

“Kushdo që ia kthen shpinën udhëzimit të Zotit, do të ketë një jetë të vështirë në këtë botë … ” (Ta Ha, 124)

“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira që ka bërë.” (Nahl, 97)

Ajeti i mësipërm nuk flet për xhenetin, por për jetën e kësaj bote. Në interpretimin e “jetës së bukur”, që përmendet në ajetin e mësipërm, shohim se nuk thuhet se kjo jetë nuk do të ketë vështirësi. Jo, ajo ka problemet dhe vështirësitë e veta, por në qoftë se njeriu vepron vepra të mira duke qenë besimtar, atëherë ai do të kalojë një jetë të bukur dhe të qetë në këtë botë.

Feja dhe besimi ndikojnë shumë në largimin e problemeve, halleve, brengave dhe shqetësimeve në familje. Ne jemi mësuar që gjithmonë problemin ta gjejmë tek të tjerët. Por secili nga ne duhet që problemin, fajin dhe gabimin ta kërkojë tek vetja e tij.

– Gjynahet janë shkaktarë të brengave, pikëllimeve dhe problemeve shpirtërore.

Dijetarët Islamë kanë thënë: “Ai person që i ka në rregull punët me Zotin (xh.sh.). Ai do t’ia rregullojë punët me krijesat e tij.”

– Shtimi i istigfarit.

Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Unë me të vërtetë gjatë ditës, kërkoj falje dhe pendohem tek Allahu më shumë se shtatëdhjetë herë.” (Buhariu)

Në një transmetim tjetër thuhet njëqind herë në ditë. (Muslimi)

Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Kush kërkon falje nga Allahu, Allahu do t’i mundësojë lehtësim për çdo brengë, do t’i mundësojë zgjidhje për çdo vështirësi dhe do ta furnizojë nga ku ai nuk e pret.” (Hakimi)

– Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira.

Allahu (xh.sh.). thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në shmangien nga të këqijat, por jo për gjynahe dhe armiqësi!” (Maide, 2)

Bashkëshortët duhet ta urdhërojnë njëri-tjetrin për vepra të mira dhe ta nxisin njëri-tjetrin në punë të tilla.

Pejgamberi (a.s.). ka thënë: “Allahu e mëshiroftë burrin, i cili ngrihet natën për të falur namaz dhe e çon nga gjumi gruan e tij për të falur namaz e, nëse nuk çohet ia fërkon fytyrën asaj me ujë. Dhe Allahu e mëshiroftë gruan, e cila ngrihet natën për të falur namaz dhe e çon nga gjumi burrin e saj për të falur namaz e, nëse nuk çohet ia fërkon fytyrën atij me ujë.” (Ebu Davudi, Nesaiu, Ibn Maxhe dhe Ahmedi)

Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Kush ngrihet natën dhe e zgjon edhe gruan e tij dhe i falin dy rekate bashkë, regjistrohen tek Allahu prej besimtarëve që e përmendin shumë Allahun.” (Ebu Davudi, Hakimi)

Ebu Hurejra (r.a.), transmeton se Pejgamberi (a.s.), ka thënë: “Gruas nuk lejohet të agjërojë nafile në prezencën e burrit të saj, pa lejen e tij!” (Buhariu)

Dijetarët islamë kanë thënë: “Në këtë hadith ka dy urtësi:

a. Gruaja duhet të jetë në dispozicion të bashkëshortit të saj.

b. Kjo është një nxitje indirekte për bashkëshortin që edhe ai të agjërojë.

Duhet të mësohemi që, nëse gabojmë ndaj njëri tjetrit, t’i themi më fal palës së lënduar.

Mos ia kujtoni njëri-tjetrit të kaluarat. Nëse ka një problem midis jush, merruni me problemin në fjalë dhe mos u merrni me problemet e kaluara, sepse ato probleme i ka mbyllur vetë koha.

Shoqëria e keqe.

I Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të vet, prandaj le të ketë kujdes secili prej jush se me kë shoqërohet” (Ebu Davudi, Tirmidhiu)

Hadithi në fjalë tregon qartë se shoqëria ka ndikim të dukshëm tek individi.

Aliu (r.a.), ka thënë: “Mos u shoqëro me njerëzit e këqij, sepse ata t’i zbukurojnë punët e mbrapshta dhe dëshirojnë që edhe ti të bëhesh si ata”.

– Arti i heshtjes.

Heshtni dhe dëgjojeni njëri-tjetrin derisa të mbarojnë ankesat. Të pranosh ankesat nëse janë të drejta dhe të thuash Allahu më faltë se ke të drejtë.

Bashkëshortët do të jenë së bashku në xhenet inshallah. Për këtë arsye ata duhet t’ia falin gabimet njëri-tjetrit dhe t’ia bëjnë hallall. Ndoshta burri do të jetë në xhenetin firdeus, ndërsa gruaja një gradë më poshtë se ai dhe do të shkojë në xhenetin firdeus vetëm për hir të tij. E njëjta gjë vlen edhe në rastin e gruas.

kzistenca e një reference për të dy bashkëshortët në konflikt. Në mosmarrëveshjet tona, secila palë ka si referencë mendjen e tij. A është e mundur të arrijmë një rezultat pozitiv, duke e ditur se mendjet tona janë të ndryshme nga njëra-tjetra l’ Si mund të arrijmë në një rezultat, duke ditur se kulturat ku janë rritur bashkëshortët janë të ndryshme nga njëra-tjetra?

Gjatë hutbes së lamtumirës, Profeti (a.s.), u tha myslimanëve: “U kam lënë dy gjëra. Për sa kohë që do t’u përmbaheni, nuk do të humbisni kurrë. Ato dy gjëra janë Libri i Zotit, Kurani, dhe Suneti (tradita ime).”

Prandaj, nëse kemi Kuranin dhe traditën profetike si referencë, e kemi reduktuar në masë të madhe rrethin e konfliktit dhe mosmarrëveshjeve. Në momentin që biem dakord që problemin ta zgjidhim sipas Kuranit dhe Sunetit. ky problem do të zgjidhet shumë shpejt dhe të dy palët do të mbesin të kënaqura.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit