-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Myslimanët në Singapor

Më të lexuarat

Rregullimi shtetëror dhe popullsia

Në gjuhën sanskrishte “Singapura” do të thotë “Qyteti i luanit”. Me këtë emër, në ujdhesën që shtrihet në pjesën jugore të siujdhesës Malajase, që në shek. 13 themelohet qyteti-shtet. Në shek. 14 ky shtet e humb pavarësinë dhe ujdhesa mbetët në harresë deri në fillim të shek. 19, kur sërish zbulohet nga Ser Stamford Raffles. Që nga atëherë, më saktësisht nga viti 1819, zë fill historia moderne e Singaporit.

Pozita e këtij ishulli, që si një hallkë, lidh rajonin e Azisë Lindore me atë të Azisë Jugore dhe, që njëkohësisht paraqet nyjën më të rëndësishme të rrugëve detare në këtë pjesë të botës, ka bërë që Singapori nga një koloni e vogël britanike te shndërrohet në “Aleksandri Lindore të Largët” .

Shpejtë pas themelimit, Singapori iu bashkëngjitet territoreve malaje të Malakës (Malacca) dhe atyre Pinang (Penang), me të cilat formon një tërësi me emrin “Vendbanimet në Kanal (Malaka)”, përkatësisht Straits Settlements. Ky territor deri më 1858 administrohej nga Kompania lndo-Lindore, kur edhe kalon nën administrim të drejtpërdrejtë të qeverisë britanike. Në gjysmën e dytë të shekullit 19, Singapori shndërrohet në qendër më të madhe tregtare në rajon.

Prosperiteti ekonomik i Singaporit e joshte popullatën e vendeve fqinje, andaj gjatë shek. 19 kemi vendosjen masovike të kinezëve, hindusëve, arabëve, indonezianëve dhe të tjerëve, të cilët bashkë me vendësit, në këtë ishull, formojnë bashkësinë multikonfesionale, multi racore dhe multigjuhësore.

Kur më 1945 rasformohet tërësia territoriale Straits Settlements, Singapori fiton status të posaçëm të kolonisë mbretërore. Më 1958 fiton autonomi të brendshme. Pesë vjet më vonë i bashkë-ngjitet federatës së riformuar të shteteve të siujdhesës Malajase dhe të Borneos Verior (Malajzisë), me të cilat e lidhnin lidhje të përbashkëta racore, historike, kulturore, ekonomike dhe politike. Singapori shumë shpejt e lëshon këtë federatë. Në vitin 1965, duke u frikësuar që majtistët singaporas mund ta shtrinin veprimtarinë e tyre edhe në shtetet e tjera të federatës dhe kështu Singapori të bëhej “Kubë e Azisë Juglindore”, malajasit këtë shtet-ishull e përjashtojnë nga Lidhja. Që nga ajo kohë, Singapori është shtet i pavarur dhe sovran me formën republikane të qeverisjes dhe me regjim të demokracisë parlamentare.

Sipas regjistrimit të vitit 1986, Singapori kishte 2.586.200 banorë. Shumicën e popullatës e përbëjnë kinezët (76.3%), kurse malajasit (15%) paraqesin minoritetin më të madh. Pas tyre vijnë ardhacakët nga Nënkontinenti Indianë dhe nga Shri-Lanka (6.4%) dhe së fundi pjesëtarët e grupeve të tjera etnike që përbëjnë 2.3% të popullatës.

Në Singapor ndodh takimi i kulturave të mëdha aziatike. Në një vend, përkatësisht në një ishull jetojnë pjesëtarët e gati të gjitha religjioneve:

Islamit, Budizmit, Hinduizmit, Hebreizmit, Krishterimit, Zoroastrizmit dhe të Sikizmit.

Në republikën e Singaporit nuk ekziston religjion zyrtar. Të drejtën e predikimit të lirë e gëzojnë të gjitha religjionet, ndërsa festat e tyre kryesore kanë statusin e festave publike. Në vitin 1949 themelohet Organizata Ndërkonfesionale, qëllimi i së cilës është krijimi dhe të qenit në shërbim të mirëkuptimit ndërkonfesional.

Myslimanët

Komunitetin mysliman në Singapor e përbëjnë malajasit, të cilët njëherit paraqesin edhe grupin më homogjen, meqë flasin të njëjtën gjuhë (gjuhën malajase) dhe i takojnë fesë së njëjtë – fesë islame, pastaj myslimanët nga Nënkontinenti i Indisë si dhe një numër i vogël i myslimanëve nga Lindja e Afërt. Bëhet fjalë për gjithsej rreth 450.000 myslimanë.

Që në kohën e themeluesit britanik, Ser Stammford Rafflesit, bazë për zhvillimin e Singaporit ishte koncepti i zonave të ndara etnike. Në varshmëri nga përkatësia e grupit etnik, myslimanët janë të koncentruar në disa pjesë të ishulli. Malajasit janë të grupuar në dy pjesë të ishullit, pak më larg qendrës. Vendbanimi i tyre më i madh njihet me emrin Gejlang (Geylang) dhe ky lë përshtypjen “më rurale” në krahasim me vendbanimet e tjera. Shtëpitë familjare, me shtylla dhe veranda të gjata, me kopshte të vogla përreth dhe të ndërtuara në afërsi të xhamive, flasin për se në këtë bashkësi jeta koncentrohet rreth familjes dhe religjionit.

Në afërsi të qendrës së qytetit jetojnë myslimanët tamilë, si edhe ata të ardhur nga India, që kryesisht merren me veprimtari monetare-financiare. Janë shumë pitoreske dyqanet myslimane në rrugën Arabe dhe përreth xhamisë së Sulltanit.

Pjesa dërrmuese e myslimanëve të Singaporit i takojnë shkollës fetare-juridike shafiite. Jeta në shoqërinë multikonfesionale dhe multikulturore ka quar deri në ndryshime të shumta në mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit edhe tek ata myslimanë-besnikë ndaj vlerave tradicionale. Në mjedisin urban dhe tregtar të Singaporit, në të cilin Islami nuk gëzonte përkrahjen e strukturave tradicionale shoqërore, të personifikuara p.sh. në sulltanatet malajase, myslimanët kanë qenë të detyruar të gjejnë mënyra të reja të definimit të pozitës së tyre. Për këtë arsye, në periudhën ndërmjet viteve 1920 – 1950, Singapori ishte qendër e fuqishme e Lëvizjes Reformiste Islamike në këtë pjesë të botës.

Institucionet islame dhe dimensioni bashkëkohor i Islamit

Në preambulë të Kushtetutës së Singaporit, të miratuar pas fitimit të autonomisë së brendshme (Singapore Order in Council, 1958), është shkruar se qeveria vazhdimisht do të kujdeset për minoritetet racore dhe fetare dhe se pranon statusin special për malajasit, që paraqesin popullatën autoktone të ishullit. Qeveria po ashtu obligohet që të mbrojë, ndihmojë dhe të zhvillojë interesat e tyre politike, arsimore, fetare, ekonomike, shoqërore dhe kulturore, si dhe gjuhën malaje. Një formulim i këtillë, plotësisht -identikë, përsëritet edhe në Kushtetutën aktuale të Republikës së Singaporit. Që nga shpallja e formës republikane të qeverisjes (shpallja e republikës), nis modernizimi ose themelimi i institucioneve të reja fetare, juridike, arsimore dhe humanitare.

Në vitin 1968 formohet Këshilli Fetar Islam (Majlis Ugama Islam), që paraqet organin më të lartë drejtues fetarë të komunitetit islam në Singapor. Ky Këshill merret me koordinimin e çështjeve fetare të cilat i zhvillojnë Këshillat e xhamive. Kompetencë e këtij Këshilli po ashtu është edhe administrimi financiar. Ndër aktivitet më të rëndësishme fetare islame më të cilat merret ky Këshill,janë grumbullimi i zeqatit si dhe i mjeteve për fondin për ndërtimin e xhamive. Secili mysliman i punësuar, për çdo muaj, në këtë fond ndanë nga 1$. Me mjetet e këtij fondi bëhet financimi i ndërtimit të xhamive të reja. Xhamitë e reja projektohen sipas mënyrës më moderne, me klasa për mësim fetar, me biblioteka dhe me salla për mbledhje dhe takime të ndryshme, dhe, si të tilla, paraqesin qendra të jetës së tërësishme myslimane në pjesë të caktuara të qytetit. Në kuadër të Këshillit fetar mysliman vepron edhe një këshill i posaçëm për fetva, me të cilin kryeson myftiu. Prej fillimit të historisë moderne të Singaporit, myslimanëve në kontestet e ndryshme familjare, juridikisht ju pranohet aplikimi i të drejtës së Sheriatit. Gjyqet britanike e zbatonin të drejtën e Sheriatit të modifikuar me botëkuptime britanike (“e drejta anglo-muhamedane”). Në Singapor, pas fitimit të autonomisë së brendshme, janë miratuar një sërë aktesh juridike përmes së cilave rregullohej zbatimi i të drejtës së Sheriatit. Ndër këto akte, më i rëndësishmi është Ligji mbi aplikimin e të drejtës myslimane (Administration of Muslim Lav Act, 1966).

Në vitin 1959 në Singapor u themelua Gjyqi i Sheriatit i përbërë nga gjykatës myslimanë, në kompetencë të të cilit është zbatimi i të drejtës së Sheriatit. Në të njëjtën kohë është themeluar Regjistratura e martesave myslimane, e cila kryen rolin e ofiqarisë për myslimanë. Të dy këto institucione, përveç rolit që kanë në sferën juridike, kryejnë edhe funksionin edukativo-fetarë. Sidomos ka rëndësi funksioni i këshillimores martesore, roli i të cilit është ndihmesa për zgjidhjen dhe tejkalimin e mosmarrëveshjeve martesore si dhe ndikon në forcimin e vetëdijes lidhur me rolin e familjes në shoqërinë islame.

Arsimi islam në Singapor zhvillohet në shkollat malajase, në të cilat lëndët islamike paraqesin pjesën obligative të planprogramit mësimor si dhe përmes orëve shtesë të instruksioneve fetare për nxënësit e shkollave të tjera. Përveç kësaj, ekzistojnë edhe 20 shkolla fillore fetare dhe 4 shkolla të mesme fetare.

Në Singapor, ekzistojnë vakëfet që nga themelimi i tij si shtet, dhe në vitin 1905 ato rregullohen me një ligj të posaçëm. Shumica e’ xhamive të Singaporit janë vakëfe të bamirësve të ndryshëm. Të tilla janë p.sh. xhamia e haxhi Fatimes dhe vakëfi i haxhi Hatixhes. Xhamitë e Singaporit drejtohen nga mytevelitë dhe kjo bënë që Singapori të dallohet prej shteteve të tjera të siujdhesës Malajase, në të cilat xhamitë administrohen nga Këshillat shtetëror-fetarë islam. Në Singapor, vakëfet sigurojnë bazën për veprimtarinë e institucioneve të shumta sociale dhe humanitare myslimane, siç janë: jetimorja myslimane, konvikti për femrat myslimane etj.

Bajrami i Ramazanit, Bajrami i Kurbanit (Hari Raya Puasa dhe Hari Raya Haji) si dhe Mevludi (Mevlidur Resul), në Singapor gëzojnë statusin e festave publike. Nëpunësve shtetërorë myslimanë ju lejohet mungesa një orëshe nga puna në ditën e premte me rastin e faljes së namazit të xhumasë; punojnë me orar të shkurtuar gjatë muajit të Ramazanit, dhe po ashtu u lejohet mungesa nga vendi i punës për kryerjen e haxhit.

Popullata e Singaporit nuk ballafaqohet me tendosje dhe tensione serioze në sferën konfesionale.

Literatura:

Singapore-Facts and Pictures, Information Division Ministry of Communications and Information, Singapore, 1987.

The Singapore Legal Systm, ed. By Walter Woom, Longman Singapore Publishers, Singapore, 1989.

Ahmad bin Ibrahim, The Legal Status of the Muslims in Singapore”, Malayan Law Journal, Singapore, 1965.

Abu Bakar bin Hashim, “Shariah and Social Order: The Singapore Experienee”, Shariah Law Journal, November 1985, pp. 339 – 45.

Marrë nga: Fikret Karçiç, “Islam u Jugoistoenoj Aziji”, Sarajevë, 1991, fq. 71-90.

Përgatiti: S. Mehmeti

DituriaIslame 168-169

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit