-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Fitnja e heshtjes – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

وَاتَّقُوا فِتْنَةً لَا تُصِيبَنَّ الَّذِينَ ظَلَمُوا مِنْكُمْ خَاصَّةً وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ

“Ruhuni nga ndëshkimi (fitnja), i cili nuk godet vetëm ata që bëjnë padrejtësi prej jush në veçanti, dhe ta dini se Allahu është ndëshkues i rreptë.” (el-Enfal: 25)

Dijetari i njohur Kadi Ebu Bekr ibn el-Arabi (v.543 h.) në komentin e këtij ajeti, në tefsirin e tij përmend tre mendime, ku i pari i përket Ibn Abasit që ka thënë se fitnja në këtë rast janë ligësitë (menakir) dhe njerëzit ndalohen që t’i miratojnë ato, të ndodhin në mesin e tyre, përndryshe do të përfshihen të gjithë nga ndëshkimi.

Duke mbështetur këtë mendim, ai thotë:

“Kjo është fitnja e ligësive (menakir) duke heshtur ndaj tyre ose duke u kënaqur me to, të gjitha këto sjellin shkatërrimin. Kjo ka qenë edhe sëmundja e popujve të mëparshëm. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga të këqijat që bënin.” (el-Maide: 79)” (Ahkamul Kuran 2/331)

Fjala “fitne” në arabisht vjen në shumë kuptime, në etimologjinë e saj ajo ka kuptimin e sprovës, por në varësi të kontekstit merr edhe kuptime të tjera. P.sh. në këtë rast, në shqip është përshtatur si ndëshkim, pasi konteksti duket qartë që e përcakton si të tillë.

Nisur nga komenti i mësipërm, mund të themi se njerëzit duhet të ruhen edhe nga sprova e heshtjes ndaj së keqes dhe miratimi i saj (edhe heshtja është shpeshherë miratim), pasi kjo sjell përhapjen e ligësive, pasojat e të cilave që sjellin ndëshkimin e Zotit i prekin të gjithë, jo vetëm ata që kanë qenë nismëtarët apo vepruesit e kësaj të keqeje, por edhe të tjerët që kanë heshtur.

Ky problem, i konformizmit ose heshtjes dhe miratimit, apo sëmundje, siç e quan dijetari i mësipërm, janë një defekt që është shfaqur edhe më herët dhe do të shfaqet edhe tek muslimanët, ndaj për sëmundje të njëjta ka edhe pasoja të njëjta, ashtu siç edhe kura është e njëjtë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit