1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

NJË DIALOG NGA I CILI MUND TË MËSOSH SHUMË – Ibrahimi alejhi selam dhe mbreti zullumqarë

Më të lexuarat

Allahu i madhëruar thotë: “A nuk e ke parë atë që polemizoi me Ibrahimin rreth Zotit të tij, pasi Allahu i kishte dhënë pushtet të madh? Kur Ibrahimi tha: ‘Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje!’ Ai tha: ‘Edhe unë jap jetë dhe shkaktoj vdekje!’ Ibrahimi tha: ‘Zoti im e sjell Diellin nga Lindja, sille ti nga Perëndimi!’ Atëherë, ai që nuk besonte mbeti i hutuar. Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit zullumqarë.” El Bekare, 258.

Shpjegimi i ajetit

“A nuk e ke parë atë që polemizoi me Ibrahimin rreth Zotit të tij, pasi Allahu i kishte dhënë pushtet të madh?”

Domethënë, a ke mësuar, a di për injorancën, paturpësinë dhe kokëfortësinë e atij që polemizonte për çështje që nuk lënë vend për dyshime? Ai u tregua i tillë veçse për një shkak: sepse Allahu i kishte dhënë pushtet e pasuri të madhe. Kjo e kishte bërë atë që të kalonte kufijtë dhe të ishte mizor me popullin e tij. Arroganca e kishte shtyrë, gjithashtu, që të polemizonte me Ibrahimin (alejhi selam) rreth Zotit të gjithësisë, duke pretenduar, madje, se ishte i barabartë me Zotin dhe mund të bënte gjithçka që bënte edhe Zoti.

“Kur Ibrahimi tha: ‘Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje!’”

Ibrahimi (alejhi selam) i tregoi një fakt shumë të rëndësishëm për t’u kuptuar: se Allahu ka pushtetin absolut për të administruar çdo çështje, se në dorën e Tij është gjithçka. Për ta sqaruar këtë, Ibrahimi (alejhi selam) u mjaftua duke përmendur një nga fuqitë më të mëdha që janë në dorën e Zotit: dhënien e jetës dhe marrjen e saj. Dhënia e jetës është zanafilla e saj në këtë dynja, ndërsa vdekja shënon fillimin e dytë të jetës: atë të ahiretit. Por ky polemizues kryeneç përgjigjet:

“Ai tha: ‘Edhe unë jap jetë dhe shkaktoj vdekje!’”

Po ta vështrojmë me kujdes, ai nuk ka thënë: “Unë jam ai që jap jetë dhe jap vdekje”. Pra, ai po dredhonte në mënyrën e argumentimit, duke bërë lojëra fjalësh. Ai kurrsesi nuk mund të pretendonte se dhënia e jetës apo vdekja ishin në dorën e tij. Ai mendonte se duke urdhëruar që një njeri të ekzekutohej, në këtë mënyrë kishte dhënë vdekjen, dhe nëse urdhëronte që të lihej gjallë, në këtë mënyrë kishte dhënë jetë. Kështu, ai mendonte se bënte të njëjtën gjë si edhe Allahu i Lartësuar. Por ky krahasim nuk ishte aspak i drejtë dhe i pranueshëm për një polemikë. Kur Ibrahimi (alejhi selam) e pa se ai nuk po polemizonte sipas rregullave dhe nuk po bënte asnjë argumentim të drejtë, i solli atij një tjetër fakt, të cilit ai nuk mund t’i bënte bisht apo ta kalonte me lojëra fjalësh.

“Ibrahimi tha: “Zoti im e sjell diellin nga lindja, sille ti nga perëndimi!’”

Kështu, Ibrahimi (alejhi selam), duke marrë në konsideratë mënyrën argumentuese të kundërshtarit, i tha se meqë Allahu e sjell Diellin nga Lindja, le ta sillte ai nga Perëndimi. Me fjalë të tjera: “Nëse vërtet mendon se ti ke pushtet të barabartë me Zotin dhe mund të kryesh çdo gjë që e kryen Zoti, atëherë bëje këtë që të them. Sille Diellin nga Perëndimi!” Përpara kësaj sfide të Ibrahimit, kundërshtari mbeti i habitur dhe i çarmatosur.

“Atëherë, ai që nuk besonte mbeti i hutuar.”

Pra, u çorodit, u turbullua dhe nuk mund të kthente një përgjigje. Me kaq, polemika mori fund dhe dyshimet e tij u hodhën poshtë. Çdo kryeneç e arrogant që kërkon të kundërshtojë të vërtetën, do të ketë gjithmonë të njëjtin përfundim. Ai gjithmonë ka për të qenë i mposhtur, sepse Allahu i Lartësuar thotë:

“Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit zullumqarë.”

Pra, Allahu do t’i lërë ata gjithmonë të zhytur në kufrin dhe humbjen e tyre, sepse kjo është vetë zgjedhja e tyre. Ata e kanë zgjedhur me vullnet humbjen dhe mohimin. Nëse ata do të kërkonin udhëzimin dhe rrugën e drejtë, Allahu i Lartësuar do t’umundësonte atyre çdo mënyrë dhe rrugë që ata t’i gjenin. Ky ajet është argument i prerë i qartë që vërteton se Allahu i Lartësuar është absolutisht i vetëm në zotërimin dhe pushtetin e Tij mbi gjithçka. Ky fakt bën të detyrueshëm që Ai të veçohet dhe të adhurohet si Një i vetëm. Vetëm Atij duhet t’i përkushtojmë çdo adhurim, vetëm tek Ai duhet të kthehemi të penduar, të përkushtuar me nënshtrim dhe bindje, vetëm Ai e meriton që t’i mbështetesh e t’i kërkosh zgjidhje për gjithçka dhe në të gjitha gjendjet.

Për ngjarjen e treguar në ajet, imam Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:

“Në këtë dialog mes Ibrahimit (alejhi selam) dhe atij mbreti, fshihet diçka e bukur dhe shumë e vërtetë. Politeizmi në botë është shfaqur mbi dy koncepte kryesore të gabuara: ose mbi adhurimin e yjeve dhe trupave qiellorë, ose mbi adhurimin e varreve apo të të vdekurve. Pikërisht këto dy koncepte kryesore idhujtarie kanë marrë pamje e forma të ndryshme nga njerëzit. Kështu, në përgjithësi, idhujt kanë format e pamjet ose të trupave qiellorë, ose të njerëzve që kanë vdekur. Ndërsa Ibrahimi (alejhi selam), me dy argumentet që solli, në mënyrë tepër të zgjuar, i hodhi poshtë të dyja këto forma idhujtarie kaq të përhapura në botë.

Me argumentin e parë që solli, Ibrahimi (alejhi selam) vërtetoi se i vetmi që mbizotëron, sundon dhe vepron në këtë botë është Allahu i Lartësuar. Të gjithë i janë nënshtruar pushtetit dhe sundimit të Tij. Të gjithë jetojnë dhe vdesin sipas përcaktimit dhe pushtetit të Tij. Nga kjo kuptohet që asnjë krijesë e nënshtruar ndaj Zotit nuk meriton që të adhurohet, duke i kushtuar dashuri, madhërim dhe bindje totale, sepse kjo është e drejta e Atij që i sundon krijesat. Si mund ta lësh adhurimin e Sunduesit, Dhuruesit të jetës dhe të vdekjes, dhe të adhurosh atë, jeta dhe vdekja e të cilit është në dorën e dikujt tjetër? Krijesat nuk kanë mundësi të bëjnë as dëm, as dobi, qoftë kur janë gjallë, qoftë kur janë të vdekura. Atëherë, si mund të konsiderohet si zot dhe të adhurohet një gjë kaq e pafuqishme?! Si mund të adhurohen këta idhuj dhe jo i Plotfuqishmi?!

Në argumentin e dytë, Ibrahimi (alejhi selam) përmend Diellin, një prej trupave qiellorë më të spikatur dhe më të dobishëm, që shumë njerëz e kanë adhuruar. Ibrahimi (alejhi selam) thotë se ky Diell është nën drejtimin dhe pushtetin e të Plotpushtetshmit, Allahut të Madhëruar. Dielli, pra, është i nënshtruar dhe lëviz sipas caktimit të dikujt tjetër. Dielli nuk ka pushtet mbi asgjë. Ai thjesht lëviz dhe vepron sipas ligjeve të vendosura nga Krijuesi i tij. Me fjalë të tjera, trupat qiellorë nuk e meritojnë adhurimin e krijesave, sepse edhe ata janë të krijuar dhe të nënshtruar ndaj pushtetit të të Plotfuqishmit.”

(Marrë nga libri “Çelësi i portës së vendit te lumturisë”).

Tefsiri i Sa’dit
Përktheu: Uthman Agolli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit