4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

POROSI PËR FEMRËN MUSLIMANE

Më të lexuarat

Allahu, azze ue xhel, i ka lavdëruar gratë muslimane të cilat janë besimtare, durimtare, e të devotshme dhe i ka përshkruajtur se ato janë besnike që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu. Prandaj Allahu, azze ue xhel, kur i ka përshkruar cilësitë e besimtarëve  ka thënë: “Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre:“Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër.Ju jeni njëlloj (në shpërblim).” Ali Imran 195.

Motra ime muslimane, pasi që Allahu të nderoi e fisnikëroi me këtë fe dhe të bëri mbretëreshë të vërtet,  dëshiroja ta dhuroj një buqetë këshillash, i cili i përmban në vete dhjetë këshilla që i përngjajnë trëndafilave të bukur dhe me aromë të këndshme: 

Këshilla e parë:  Gruaja muslimane beson se Allahu është Zoti i saj dhe se Muhamedi është i dërguari i saj dhe se Islami është feja e saj. Gjurmët e besimit të saj shihen qartazi në fjalët, veprat dhe mendimet e saja, pra ajo është e kujdesshme prej hidhërimit të Allahut dhe i frikësohet dënimit të Tij të dhimbshëm si rezultat i kundërshtimit të urdhërave të Tij.

Këshilla e dytë: Gruaja muslimane është e kujdesshme për faljen e pesë  kohëve të namazit me nënshtrim të plotë dhe me abdesë në kohën e duhur, duke mos e preokupuar prej namazit asnjë preokupacion tjetër dhe penguar prej adhurimit asnjë dëfrim. Tek ajo shihen qartazi gjurmët e namazit, për shkak se namazi largon prej imoralitetit dhe të këqijave dhe është fortifikatë e madhe prej mëkateve.

Këshilla e tretë: Gruaja muslimane është e kujdesshme në veshjen e mbulesës dhe ajo nderohet e fisnikërohet me veshjen e saj. Nuk paraqitet  vetëm se e mbuluar duke kërkuar mbrojtje prej Allahut, azze ue xhel, dhe duke e falënderuar Atë që e fisnikëroi dhe e mbrojti me veshjen e hixhabit dhe dëshiroi pastrimin e saj. Thotë i Lartësuari: “O ti i Dërguar , thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët.” Ahzab 59.

Këshilla e katërt: Gruaja muslimane është e kujdesshme në nënshtrimin ndaj burrit të saj, është e butë me atë, e mëshiron, e thirr në të mirë dhe e këshillon, e qetëson, nuk e rrit zërin e saj ndaj tij dhe nuk është e vrazhgët me atë në fjalim.          Transmetohet me një hadith të vërtet se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ajo grua që i falë pesë kohët e namazit, e agjëron Ramazanin, e mbron nderin e saj dhe e respekton burrin e saj, hyn në Xhenetin e Allahut.”

Këshilla e pestë: Gruaja muslimane i edukon fëmijët e saj me nënshtrim ndaj Allahut, azze ue xhel, i ushqen me besim të vërtet dhe ia mbjell në zemrat e tyre dashurin ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, sal-allahu alejhi ue selem, dhe i largon prej mëkateve dhe moralit të shëmtuar, thotë Allahu a.v.xh.: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëjt  e fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” Tehrim 6.

Këshilla e gjashtë: Gruaja muslimane nuk vetmohet me burrë të huaj, transmetohet me një hadith të vërtet se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem,  ka thënë: “Nuk është vetmuar një grua me një burrë, vetëm se shejtani ka qenë i treti i tyre.” Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu, hadithi është i vërtet.

Pra, ajo nuk udhëton e vetmuar pa mahrem, nuk i viziton tregjet dhe vendet  publike vetëm se me nevojë edhe atë duke e mbuluar trupin e saj me hixhab.

Këshilla e shtatë: Gruaja muslimane nuk i përngjason  burrave në atë çka është  e veçantë vetëm se për burrat. Thotë Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem: “I mallkoftë Allahu ata burra që i përngjasojnë  grave dhe ato gra që i përngjasojnë burrave.” Transmeton Buhariu ,Ebu Davudi. Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh.

Poashtu ndalohet përngjasimi me jobesimtaret në atë çka veçohen ato prej zbukurimeve dhe pamjeve, ku  thotë Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem: “Kush i përngjason një populli ai është prej tyre.” Transmeton Ahmedi dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtet .

Këshilla e tetë: Gruaja muslimane në radhët e grave thirr në fenë e Allahut, azze ue xhel, me fjalë të bukura, e duke e vizituar fqinjën e saj, e duke komunikuar me motrat e saj muslimane me telefon e me internet, e duke shpërndarë libra dhe kaseta islame. Ajo vepron me atë çka e thotë dhe kujdeset ta shpëton veten dhe motrat e saja nga dënimi i Allahut. Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Të bëhesh shkaktar për udhëzimin e një njeriu është më mirë për ty se sa të posedosh deve të kuqe .” Transmeton Buhariu dhe Muslimi

Këshilla e nëntë: Gruaja muslimane e ruan zemrën e saj prej dyshimeve dhe epsheve, syrin e saj prej haramit, veshin e saj prej muzikës dhe gjërave të turpshme, të gjitha gjymtyrët e saj prej thyerjes së ligjit të Allahut dhe e di se kjo është devotshmëria. Transmetohet se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem,  me një hadith të vërtet ka thënë: “Turpëroni prej Allahut më turp të vërtet, se kush turpërohet prej Tij me turp të vërtet, e mbron kokën e tij dhe vetëdijen, barkun dhe çka ka në të, dhe kush e kujton pleqërinë i harron kënaqësitë e kësaj bote”. Transmeton Tirmidhiu.

Këshilla e dhjetë: Gruaja muslimane nuk i kalon ditët dhe netët e saja në gjëra të kota, e ruan kohën e saj dhe e shfrytëzon në të mirë. Nuk është përgojuese, bartëse fjalësh, ofenduese, e papërqendruar e neglizhente. Allahu, azze ue xhel, thotë: Largohuni nga ata që fenë e tyre e marrin si lojë dhe dëfrime që janë mashtruar nga jeta e kësaj bote.!Enam 70, dhe thotë për një popull që e humbë jetën e tyre duke e kaluar në gjëra të kota : “Kur Ora (e Kiametit) t’u vijë papritur, ata do të thërrasin:“Të mjerët ne, sa shumë që e kemi neglizhuar (Kiametin) në jetën e Tokës!” dhe do të bartin gjynahet e veta mbi shpinat e tyre. Eh, sa e shëmtuar është ajo barrë!” Enam 31.

 Autor: Aid El Karni                                                                

Përkthehu: Irfan Jahiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit