2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

EDUKIMI FETAR MERRET QË NË BARKUN E NËNËS!

Më të lexuarat

Jo vetëm zhvillimi fizik dhe mendor, por edhe ai moral dhe fetar është i lidhur me mënyrën e jetesës së nënës gjatë shtatzënisë. Hapat e parë duhet t’i hedhim në këtë fazë, nëse dëshirojmë që fëmija ynë të ketë një zhvillim moral dhe fetar të mirë.

 Për të rritur fëmijë të mirë dhe të moralshëm, sipas fesë sonë, nëna që nga shtatzënia duhet të bëjë kujdes me mënyrën e jetesës së saj. Që nga e ngrëna dhe e pira deri te sjelljet ndikojnë në zhvillimin shpirtëror dhe të karakterit të fëmijës në barkun e nënës.

Edukimi i fëmijëve, të cilët Kur’ani Fisnik i përkufizon si “stoli e jetës së kësaj bote”, është një çështje e cila zë vend të rëndësishëm në jetën e çdo prindi, sepse është e vështirë të rritet një fëmijë i moralshëm, i dobishëm për shoqërinë. Prandaj, ata të cilët kanë vendosur të bëhen prindër, veprojnë me vetëdijen se po hedhin hapa drejt një procesi të vështirë. Disa lexojnë libra rreth zhvillimit të fëmijëve, disa të tjerë këshillohen me specialistë të fushës. Por, vetëm këto nuk janë të mjaftueshme për të rritur një fëmijë fetar, të edukuar dhe zotërues të vlerave morale. Profeti a.s., i cili është këshilluesi ynë në çdo çështje, në këtë rast edhe në edukimin e fëmijës, thotë: “Ai që është për xhehenem (shaki) është që në barkun e nënës, ai që është për xhenet (sa’id) është që në barkun e nënës”, duke na tërhequr vëmendjen se edukimi i fëmijës fillon që në barkun e nënës. Pra, feja jonë, e cila i kushton rëndësi të veçantë edukimit të fëmijës, na tregon se të pasurit fëmijë të mirë është në dorë të nënës dhe babait. Teologët thonë se për këtë duhet vepruar sipas “edukatës së shtatzënisë”. Edukatën e shtatzënisë e sqarojnë me hadithin e Profetit a.s. i cili thotë: “Gjeni një vend të mirë për farën tuaj (nutfeh), sepse rrënjët trashëgohen”. I Dërguari i Allahut a.s. në këtë hadith tregon se morali dhe edukata e prindërve trashëgohet te fëmija. Prandaj, për të pasur fëmijë të mirë, duhet të fillohet që nga zgjedhja e bashkëshortit/bahkëshortes, e deri te jetesa sipas rregullave të fesë pas shtatzënisë. Diçka tjetër është afrimi i bashkëshortëve sipas traditës profetike (sunetit), ashtu siç Profeti a.s. ka thënë: “Në emër të Allahut! O Allah, largo shejtanin prej nesh dhe prej atij të cilin ke dhënë të niset (fëmijës)! Nëse Allahu jep që me atë rast të niset ndonjë fëmijë, shejtani nuk do t’i bëjë dëm!” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi). Ky është një ndër treguesit se si mënyra e jetesës së prindërve ndikon fëmijën.

Po të shikohet me kujdes, qëndrimin e fesë sonë rreth kësaj teme e mbështesin edhe shumë kërkime shkencore. Kërkimet shkencore në mbarë botën tregojnë se fëmija fillon ta perceptojë botën që nga barku i nënës dhe që në barkun e nënës fëmija formon tridhjetë për qind të personalitetit të tij. Rreth kësaj kemi shumë shembuj nga jeta e prindërve të shumë dijetarëve, nënat e të cilëve gjatë shtatzënisë nuk hidhnin një hap pa abdes, ndërsa pas lindjes nuk i ushqenin asnjëherë duke qenë pa abdes, përveç ditëve të veçanta. Ndërsa baballarët bënin kujdes të mos sillnin furnizim haram në shtëpi, duke bërë kujdes në fitimin e tyre.

Babai i Imam Ebu Hanifes dhe molla

Një ditë, babai i themeluesit të shkollës juridike hanefite Imamu’l-A’dham Ebu Hanifes, Thabiti, kur po merrte abdes pranë një përroi. Sapo do të fillonte të merrte abdes shikon një mollë të cilën e kishte marrë uji. Pa e menduar se nga vjen, a është hallall apo haram, e kafshon mollën. Deri në atë moment,Thabiti nuk e kishte menduar nga kishte ardhur molla, e kupton gabimin dhe mendon se duhet të gjejë të zotin dhe t’i kërkojë hallallin. Ai u nis andej nga vinte uji. Me mollën në dorë, duke kërkuar, gjen bahçen nga ku kishte rënë molla dhe të zotin e saj.

Ia shpjegon situatën dhe i kërkon hallallin. Ky veprim i Thabitit i tërhoqi vëmendjen të pronarit të bahçes dhe i thotë që për t’ia bërë hallall kishte disa kushte. Ai i thotë që pranon çdo gjë, vetëm t’ia bëjë hallall. Tjetri i thotë që duhet t’i shërbejë atij dy vite duke punuar në bahçen e tij. Thabiti mendon: Më mirë t’i shërbej dy vite, sesa të vuaj dënimin në botën tjetër dhe pranon.

Pasi dy vitesh shkon pranë të zotit të bahçes, i thotë që koha është mbushur dhe i kërkon hallallin. Burri i thotë: “Sërish nuk ta bëj hallall. Kam një vajzë dhe vetëm po u martove me të do ta bëj hallall”. Thabiti pranon. Por burri i thotë se vajza e tij kishte të meta fizike. Ishte e verbër, e çalë dhe shurdhe. I thotë ta mendojë mirë që të mos pendohet pastaj. Duke menduar sërish si më parë, që më mirë dënimin në këtë botë se në tjetrën, pranoi. Pasi bëhet dasma dhe shikon nusen, mendon se ka ndodhur ndonjë gabim dhe nuk është ajo nusja e tij, sepse vajza që shikon nuk kishte asnjërën prej cilësive që burri i pati thënë. Shkon të pyesë të vjehrrin dhe ai i thotë: “Ime bijë është e verbër, sepse nuk ka parë haram. Është shurdhe, sepse nuk ka dëgjuar haram. Është e çalë, sepse nuk ka ecur në rrugë të ndaluar”.

Pasi kaluan vite nga kjo martesë lindi Imam Ebu Hanife. Nëna e tij e dërgon te mësuesi i tij për ta edukuar. Ebu Hanife, i cili më vonë do të merrte titullin “Imamu’l-A’dham”, që në moshën tre vjeçare e mbaroi Kur’anin për tri ditë. Për këtë, nëna e tij i tha: “Ah, mor bir! Sikur babai yt mos ta kishte kafshuar atë mollë do ta mbaroje për një ditë”.

Sa me ndjeshmëri kanë jetuar njerëzit më parë, saqë për diçka tepër të vogël, që mund të duket e parëndësishme tregonin kujdes dhe largoheshin nga të ndaluarat. Pikërisht prej atyre njerëzve kanë dalë dijetarë të mëdhenj si Imam Ebu Hanife e të tjerë.

Dy shtatzëni të ndryshme, dy karaktere të ndryshme

Historia e babait të Imam Ebu Hanifes është vetëm një ndër shembujt e shumtë të asaj kohe. Shembujt e mësipërm mund t’i gjejmë edhe në ditët tona. Një myslimane tregon se në shtatzëninë e saj të parë nuk kishte bërë kujdes me namazet dhe me të ngrënët dhe të pirët, ndërkohë që në të dytën kishte bërë kujdes në çdo drejtim. Nuk i linte namazet, kujdesej të lexonte çdo ditë Kur’an, largohej nga thashethemet, sillej mirë me të tjerët, etj. Ndryshimin e kuptoi pasi lindi dhe fëmija filloi të rritej. Fëmija i parë ishte më i shkujdesur, jo shumë i prirur për sa i përket pjesës fetare, ndërsa i dyti ishte i sjellshëm dhe i rregullt me namazin dhe Kur’anin, aq sa fjala e tij e parë ishte “Allah”!

Historinë e mësipërme e mbështet edhe një eksperiment i bërë në Amerikë. Pranë një gruaje shtatzënë lexohet një tregim. Pas disa kohësh pas lindjes e njëjta histori i lexohet fëmijës. Fëmija e njeh dhe buzëqesh. Ndërkohë që kur i lexohet një histori tjetër nuk reagon. Shkencëtarët këtë e sqarojnë me perceptimin e botës së jashtme nga fëmija që në barkun e nënës. Prandaj, duhet theksuar edhe njëherë se kandidatet për nëna duhet të bëjnë kujdes me të ngrënët, të pirët dhe mënyrën e jetesës së tyre.

Kriteret se si duhet të kalohet shtatzënia janë shumë të qarta në fenë tonë. Teologët thonë se ata të cilët jetojnë brenda kornizës së caktuar nga feja nuk do të kenë probleme, sepse mirësjellja dhe edukata në Islam është të jetosh sipas urdhrave të Zotit. Dhe kjo kornizë është e përbërë nga kryerja e lutjeve, fitimi i furnizimit të lejuar (hallall), forcimi i anës shpirtërore, qëndrimi larg të ndaluarës dhe kryerja e adhurimeve të detyrueshme. Furnizimi i lejuar (hallall) ndikon në moralin e personit. Prandaj, që të kemi fëmijë të moralshëm duhet të dimë nëse ajo që çojmë në stomak është e lejuar apo e ndaluar. Ndjeshmëria e nënës ndaj namazit dhe Kur’anit gjatë kësaj periudhe, e mëson fëmijën me namaz dhe Kur’an që në barkun e saj. Gjithashtu kujdesi i saj ndaj mbulesës së saj, përveç çfarë Allahu ka lejuar të zbulohet, mundëson që fëmija në të ardhmen ta mbrojë veten nga e ndaluara (harami). Mbi të gjitha, në sajë të gjithë këtyre që përmendëm, fëmija kur është fetus është i qetë dhe lind i shëndetshëm.

Ana Haxhiu

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit