5.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

LIDERSHIPI EDUKATIV DHE FUSHA PERSONALE E MORALIT DHE SJELLJES

Më të lexuarat

Edhe në këtë njësi do të vazhdojmë të flasim për lidershipin edukativ sipas mësimeve të përfituara nga rrëfimi i Llukmanit a.s. në Kur’an. Në tre njësitë paraprake kemi trajtuar lidershipin edukativ në:

  • Aspektin e besimit i manifestuar në Teuhid, besimin e pastër në Zotin një,
  • Aspektin e meditimit në dijen dhe fuqinë e pakufishme të Allahut e cila parasheh frikën prej Tij dhe vëzhgimin e Tij në çdo gjë që bëjmë, e fshehtë apo publike, dhe
  • Aspektin shoqëror i manifestuar në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja për ta ruajtur shoqërinë nga rrënimi moral dhe përmbysja e vlerav

Në këtë njësi do të shpalosim qasjen Kur’anore nga rrëfimi i Llukmanit a.s. përkitazi me edukimin personal dhe reflektimin e tij në raport me vetveten dhe të tjerët.

Kur besimi i pastër lëshon rrënjë në zemër, atëherë efektet e tij pozitive duhet të vërehen deri në gjymtyrë, sepse nuk mund të paramendohet  që një mysliman i sinqertë të kundërshtojë vetveten duke shfaqur të kundërtën e asaj që fsheh në zemër dhe as të jetë i devotshëm dhe të bëjë vepra të këqija!

Kjo është e pamundur! Konsiderojmë se e meta më e madhe në historinë e myslimanëve e cila madje edhe ka çuar në rënien e qytetërimit islam dhe ka përfshirë të gjitha nivelet e shoqërisë, duke filluar nga liderët e deri tek njerëzit e thjeshtë, është kundërthënia morale dhe etike ndërmjet asaj që thonë e besojnë dhe asaj që veprojnë. Kjo demagogji, jo vetëm që ndalohet rreptësisht në fe por konsiderohet si një nga mëkatet e mëdha!

Allahu xh.sh. thotë:

O besimtarë, përse thoni atë që nuk e bëni? 3. Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e bëni!” [ Saf: 2-3]

Në vazhdën e këshillave dhënë të birit, Llukmani a.s. kaloi tek çështja e edukatës dhe moralit që duhet të ketë në raport me njerëzit, duke e ndaluar nga nënçmimi i njerëzve dhe nga mburrja ndaj tyre. Mesazhi i fshehur brenda rreshtave të këtyre këshillave parasheh që, përderisa ndalohet nga këto tipare, të shfaq të kundërtat e tyre, respektivisht barazinë me të tjerët dhe ndalimin e shfaqjes së epërsisë! Epërsia vlen vetëm në  devotshmëri dhe në vepra, në moral, sjellje e dije, pavarësisht nga njeriu, rraca, ngjyra, gjinia, pozita a familja.

Kështu na mëson Kur’ani:

O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” [Huxhurat: 13]

Kjo është peshorja e vërtetë e njohjes së njerëzve dhe trajtimit të tyre. Islami ka bërë një lidhje të fuqishme ndërmjet besimit dhe moralit duke e konsideruar këtë të fundit si pjesë të pandarë të personalitetit të besimtarit ngase nuk mund të paramendohet që një besimtar të pretendojë besim të fortë në njërën anë dhe në anën tjetër të bëjë vepra që janë në kundërshtim të plotë me moralin islam.

Pejgamberi Muhammed a.s. ka qenë i dalluar në fushën e moralit e madje edhe është marrë shembull dhe model për moralin. Për këtë shkak në Kur’an nuk mund të gjesh ndarje ndërmjet besimit dhe veprës së mirë dhe këtë me qëllim që ana e brendshme dhe ana e jashtme e besimtarit të jenë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën.

Së këndejmi, ajo që ne shohim sot tek disa myslimanë të cilët bëjnë vepra që ndeshen direkt me besimin dhe moralin islam nuk është gjë tjetër pos një treguesi të fortë të injorancës së tyre në raport me fenë, sistemet, ligjet dhe normat e shtetit. Është po kështu edhe pasojë e neglizhencës së institucioneve fetare përkatëse për të prezantuar bukuritë e fesë dhe etikën e trajtimit të këtij defekti moral dhe edukativ tek ata njerëz.

Me këtë rast nuk do të doja të lë pa përmendur dhe rolin denigrues të disa qarqeve mediatike dhe institucioneve të caktuara që mundohen të shpërfytyrojnë Islamin duke e prezantuar ashtu siç nuk është! Duke qenë se mendjemadhësia dhe kryelartësia janë sëmundje të lashta dhe si të tilla janë ndër më të shëmtuarat dhe irrituarat, atëherë këshilla e Llukmanit përmban edhe këtë porosi për tu larguar prej tyre. Kjo edhe për faktin se ato janë djallëzore sepse i pari që shfaqi mendjemadhësi  dhe  kundërshtoi  ta  respektonte  urdhrin  e Allahut për t’i bërë sexhde Ademit a.s. ishte djalli. Këtë na e shpjegon Allahu në disa vende në Kur’an, si:

Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formën; e u thamë engjëjve: “Përuljuni në sexhde Ademit!” – Të gjithë iu përulën, përveç Iblisit. Ai nuk ishte nga ata që u përulën. Allahu tha: “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”. [ A’rafë: 11-12].

Rasti i Llukmanit a.s. me të birin e tij në këtë kontekst eshtë paralajmërim për ne që të qëndrojmë largë prej dy tipareve shumë të shëmtuara, e ato janë:

Ndalimi nga mendjemadhësia dhe kryelartësia

Në arabisht shprehja e përdorur për këtë sëmundje shpirtërore e morale është tesau’ur ose es-sa’aru (التصعّر أو الصّعْرُ)e cila kuptimisht nënkupton një sëmundje e cila shfaqet në qafë tek devetë ose njerëzit dhe që pamundëson lëvizjen lirshëm të kokës. Kjo bën që fytyra e njeriut ose devesë të mbetet e mbajtur anash ose pjerrtas. Nga kjo perspektiv është huazuar si shprehje figurative për ta shprehur mendjemadhësinë dhe kryelartësinë [1].

Është lloj prej llojeve të mendjemadhësisë, e cila pavarësisht kësaj mbetet ndër tiparet më të urryera të moralit. Bile është koka e të gjitha paturpësive dhe të këqijave. E duke qenë e tillë, ajo ka zënë vend në këshillën e Llukmanit a.s., për të birin si tipar e sjellje që duhet ikur prej saj. Allahu xh.sh., thotë:

Mos i  trajto  njerëzit  me  nënçmim  dhe  mos  ec  në  tokë  me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!” [ Llukman: 18]

Kuptimi i ajetit: mos e kthe fytyrën në shenjë mendjemadhësie ndaj njerëzve, por kur të flasësh me ta kthehu me tërë fizikun tënd kah ai, me fytyrë të buzëqeshur e dashamirëse, pa shfaqur arrogancë a mendjemadhësi. Me fjalë tjera, ji modest dhe sillu butë me ta! Mbi këtë bazë duhet ndërtuar raportet tona me të tjerët.

Siç është e ditur në fushën e i’xhazit shkencor dhe retorik në Kur’anin Famëmadh, secila shprehje që përdoret në Kur’an fsheh në vete kuptime, dimensione dhe fshehtësi edukative, morale e gjuhësore, që po të përdorej një shprehje tjetër nuk do të arrinte t’i mbulonte e madje as që do të mund ta shprehte qëllimin për çka flitet e trajtohet në kontekstin përkatës. I madhëruar qoftë Allahu që na begatoi me shpalljen e këtij Libri të qartë, të saktë, të përsosur, pa kundërthënie as kontradita.

Sa shpjegim të bukur i ka bërë Imam Kurtubiu këtij ajeti: Në këtë ajet janë tre mesele:

E para: sa’ri nënkupton animin. Hereviu ka thënë: la tusaa’ir (لَا تُصَعِّرْ): mos ua kthe shpinën në shenjë mendjemadhësie. Kur ta godet devenë një sëmundje që i mbetet qafa e përdredhur thuhet: Esabe el-beire saarun ve sajedun. Thuhet për mendjemadhin: fihi sa ‘arun ve sajed. Kuptimi i shprehjes kur’anore la tusaa’ir (لَا تُصَعِّرْ) është: mos ia impono   faqes   tënde   sa’rin   (përdredhjen).

Në hadith qëndron: “Do të vijë koha kur ndër njerëz nuk do të ketë tjerë vetëm se es’ar dhe ebter (mendjemëdhenj dhe farësosur).” Kështu: es’ar nënkupton njeriun që në shenjë mendjemadhësie e kthen fytyrën në anën tjetër duke synuar me këtë përbuzjen e njerëzve. Kjo shprehje është atribut për njerëzit më të paturpshëm, ata që nuk kanë fe. Në  hadith  qëndron:  “Secili  sa’ar (mendjemadh) është i mallkuar.”

E dyta: Kuptimi i ajetit: mos e kthe anash fytyrën tënde në shenjë mendjemadhësie dhe përbuzje ndaj  njerëzve.  Ky  është  interpretimi  që  Ibën Abbasi r.a. dhe disa të tjerë kanë bërë. Sipas një interpretimi tjetër, kuptimi është: mos e përdredh nofullën tënde ndërsa përmendet në praninë tjetër ndonjë njeri sikur me këtë ti po e nënçmon. Së këndejmi, kuptimi i ajetit është: kthehu kah njerëzit me modesti, afërsi dhe dashamirësi madje edhe kur të flet më i vogli ndër ta, dëgjoje me vëmendje derisa ta mbarojë.

Kështu ka vepruar Pejgamberi a.s. Me këtë kuptim është edhe hadithi i Enesit r.a., në të cilin qëndron se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mos e urreni njëri-tjetrin, mos e kini zili njëri-tjetrin dhe mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit (duke e braktisur njëri-tjetrin), por jini vëllezër, o robërit e Allahut! Nuk është aspak e lejueshme për një mysliman që të mbajë mëri me vëllain e vet mysliman për më shumë se tri ditë.” Shprehja “Mos e braktisni njëri-tjetrin…” në arabisht është: (la tedaberu) e cila nënkupton kthimin e shpinës dhe lëçitjen.

I është thënë i’radit (largimit, heqjes dorë, braktisjes, shmangies,   qëndrimit   mënjanë;   refuzoj,   mos pranimit) tedabur, sepse atë që e urren zakonisht ia kthen shpinën. Kështu vepron edhe ai që të urren. Për dallim nga ai që e do dhe të do që njëri-tjetrin e shikoni përballë dhe qëndroni ashtu për ta bërë të kënaqur e lumtur. Në porosinë e Llukmanit a.s., gjegjësisht në fjalën saar fshihet dhe kuptimi i tedâburit [2].

Në Kur’anin Fisnik dhe në hadithet e Pejgamberit Muhammed a.s., kemi porosi të shumta për t’i ikur këtij tipari të urryer dhe për tu fisnikëruar me tiparet e modestisë dhe përuljes. Me këtë rast do të donim të përmendim sa për ilustrim tekstet në vijim:

Dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty!” [Shuara: 215]

Mos i drejto sytë e tu nga kënaqësitë që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre dhe mos u hidhëro për ta! Me besimtarët sillu butë!” [ Hixhr: 88]

Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër  ndaj  jobesimtarëve  e  të  mëshirshëm  midis   tyre…” Fet’h: 29]

Natyrisht ka edhe shumë ajete tjera të cilat përmbajnë porosi të këtilla. Ndërsa sa i përket haditheve me këtë përmbajtje, nga ato ka shumë. Ato nxisin besimtarin në modesti dhe butësi. Në hadithin e Abdullah bin Mes’udit r.a. qëndron se Pejgamberi a.s. ka thënë: “A t’iu rrëfej për atë që i ndalohet zjarrit apo zjarri i ndalohet atij (nuk ndëshkohet në botën tjetër): I ndalohet çdo të thjeshti, të buti dhe të lehti.”[3]

Në hadithin e Talha bin Ubejdullahut të cilin e ka cituar Imam Hejthemiu qëndron: “…Kush bëhet racional në shpenzimeAllahu do ta pasurojë; e kush bëhet shpërdorues dhe ekstravagant, Allahu do ta varfërojë. Kush bëhet modest për hir të Allahut, Allahu do ta ngrisë, e kush shfaqet mendjemadh, Allahu do ta shemb përdhe (do ta ndëshkojë).[4]

Në një hadith të saktë qëndron: “Allahu më ka shpallur që të jemi modestë dhe të mos shfaqim krenari ndaj njëri-tjetrit dhe as mos t’i bëjmë padrejtësi njëri-tjetrit.[5]

Si përmbyllje të kësaj nënnjësie themi se ndër parimet më të rëndësishme të lidershipit dhe pikat e tij edukative që duhet pasur në konsideratë është dëlirsia shpirtërore dhe pastrimi nga tiparet e urryera, në radhë të parë nga mendjemadhësia dhe kryelartësia në njërën anë, dhe fisnikërimi me tipare të çmuara, me virtyte të larta ku bën pjesë modestia dhe butësia. Sepse, nuk ka dobi nga fëmija arrogant e mendjemadh ndaj prindërve, vëllezërve e motrave; nuk ka dobi nga studenti  arrogant ndaj kolegëve e profesorëve, as nga nëpunësi që shfaq egërsi ndaj eprorit; nuk ka dobi as nga ushtari kryelartë ndaj komandantit dhe as nga komandanti që shfaq kryelartësi ndaj ushtarit! Nuk ka dobi nga askush që dallohet me vese të urryera!

Në kohën tonë, si imazh dhe kuptim shtesë i mendjemadhësisë është edhe përdorimi i celularit ndërsa dikush të flet dhe ka nevojë serioze për ndihmën tënde. E si të jetë ndryshe ky ves i ligë kur një aparat të thjeshtë e vë mbi lartësinë e një njeriu, një krijese të Allahut xh.sh.

Nuk krahasohet Krijuesi me Krijesat!

Atëherë pse ky fodullëk te njeriu?

Në hadithin Kudsij qëndron: “Krenaria është pelerina ime (shprehje figurative retorike që nënkuptojnë madhërinë e Allahut xh.sh.), ndërsa madhështia petku(shprehje retorike për lartëmadhërinë e Allahut)kush m’i konteston ato ose më rivalizon në to, do ta hedh në zjarr  (do ta ndëshkojë).[6]

Ecja me kryelartësi dhe ngritja e zërit                                   

Prej tipareve shoqëruese të mendjemadhit është edhe merehi, për kuptimet e të cilit janë dhënë disa shpjegime: gëzimi i tepërt dhe entuziazmi më i madh se pozita e vërtetë që ka njeriu; ecja ngadalë me fodullëk dhe vetëpëlqim, ecja duke u shalakatur, mohimi i të vërtetës dhe mendjemadhësia, refuzimi i të vërtetës dhe nënvlerësimi i sajçuarja e kohës dëm pa realizuar asnjë punë të dobishme për veten, familjen, rrethin, shoqërinë, fenë...Është kjo që ne e shohim sot në shoqëritë tona, jo vetëm tek të rinjtë e të rejat por edhe tek grupomoshat tjera, të cilët bëjnë një jetën të shthurur, të zhytur në mëkate, të ikur nga përgjegjësitë fetare, familjare, shoqërore, akademike, shtetërore që  kanë.

Të tillë i sheh tek ndjekin lukset; vetura luksoze, telefona të mençur të versioneve më të reja, përhapës të thashethemeve dhe të pavërtetave në rrjete sociale facebook, twitter, instagram, etj. Mjerë ata për dënimin që do ta kenë ndërsa kanë harruar! Djalli ua ka hijeshuar këto vepra të këqia duke i bindur se ata nuk janë duke bërë gjë tjetër pos mire! Këto  dezinformata  që  po i  përhapin  gjithandej  do  të shndërrohen në tmerr e dënim për ta!  Ky është sindromi i kësaj kohe që ka prekur shumicën absolute të rinisë sonë, përveç një pjesë të vogël, për çka ne e lusim Allahun të jemi prej tyre!!!

Këto ishin disa prej tipareve të merehinëve në kohën tonë. Gjithsesi se ishte e rrugës që Llukmani a.s. ta këshillonte të birin nga ky moral i ulët që mbretëronte edhe në atë kohë, dhe megjithëse me kuptime e imazhe të ndryshme nga merehi i kohës sonë, efektet negative të tij janë të njëjta në çdo kohë, andaj dhe është i ndaluar në çdo kohë! Por, duke krahasuar kohët dhe duke marrë parasysh  zhvillimet e reja, del që pasojat e kësaj dukurie janë shumë të rënda sot se që ishin dikur!

Se merehi ka këtë kuptim mësojmë edhe nga shpjegimi i Imam Kurtubiut, i cili thotë se merehi nënkupton kibrin – mendjemadhësinë. Merehi është entuziazëm dhe ecje me gëzim pa ndonjë punë ose nevojë. Njerëzit që kanë këtë moral zakonisht   janë dhe mburravec dhe mendjemëdhenj sepse merehi në fakt nënkupton ecjen duke u shalakatur… [7]

Kur’ani na ka rrëfyer për këshillën që Llukmani a.s. ia ka dhënë të birit:

 dhe  mos  ec  në  tokë  me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!” [ Llukman: 18]

Ecja është proces i domosdoshëm në jetë por jo ecje me kryeneqësi por me modesti e thjeshtësi. Ecje të drejtë, të qetë, ashtu siç i ka hije njeriut me edukatë. Ajo që u tha më parë për moralin e urryer të mendjemadhësisë, thuhet edhe për këtë. Edhe në një vende tjera Kur’ani e ka cilësuar si moral të keq dhe të urryer. Allahu xh.sh., thotë:

Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!” [Furkan: 63]

Ky dënim është për shkak se gëzoheshit në tokë, pa kurrfarë të drejte dhe ngaqë keni qenë të ndërkryer.” [Gafir: 75]

Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër  ndaj  jobesimtarëve  e  të  mëshirshëm  ndërmjet vete…” [Fet’h: 29]

Edhe në hadithe gjejmë vërejtje të ashpër dhe kërcënim për ata që dallohen për këtë moral të urryer të cilin Allahu nuk e do përveç në raste të caktuara si në sheshe lufte me armiqtë. Në hadithin e Abdullah Halid, i biri i Semmakut qëndron se Ebu Duxhane ditën e betejës së Uhudit e kishte vënë një shall të kuq dhe me kryelartësi  parakalonte  ndërmjet  dy  radhëve  të  ushtarëve.

Pejgamberi a.s. e shikoi dhe tha: Është ecje që e urren Allahu përveçse në këtë vend. [8]

Në hadithin e Xhabir bin Utejkut të shënuar në Sunenin e Ebu Davudit dhe të saktësuar nga  Imam Albani qëndron se Pejgamberi a.s., ka thënë: “…ka kryelartësi të cilën e do Allahu dhe kryelartësi të cilën e urren. Sa i përket asaj që e do, ajo është kur njeriu (ushtari) mburret dhe ec kryelartë në luftë dhe kur jep sadaka. Ndërsa atë që e urren Allahu është kryelartësia me padrejtësi dhe mburrje.”

Kuptimi i hadithit është si në vijim: Kryelartësia që Allahu e do është ajo kur në momente lufte ushtari ose komandanti përdorë këtë si taktikë, strategji për të mposhtur armikun. Kryelartësia në lëmoshë ka kuptimin e gëzimit për atë që i jep të varfërit duke mos konsideruar kurrë se ka dhënë shumë. Përkundrazi, tërë atë që e jep, e jep duke e llogaritur si të paktë. Ndërsa sa i përket llojit të urryer të kryelartësisë është kur ajo manifestohet në padrejtësi, gjegjësisht njeriu e lartëson veten dhe i thur lavde për shkak të padrejtësisë që i ka bërë tjetrit duke ia marrë pasurinë e të ngjashme. E këtillë është edhe kur shprehet në momente mburrje, pra kur njeriu përmend tipare personale para të tjerëve, pasurinë, pozitën, vetëm e vetëm që të mburret para tyre… [9]

Padyshim, natyra njerëzore e urren një qëndrim të tillë. Këtë dukuri e gjejmë të theksuar dhe tek sportistët dhe atletët të cilët e përdorin për qëllime të caktuara (mburren para njëri-tjetrit para se të fillojë ndeshja ose gara që ta frikësojnë njëri-tjetrin dhe ta thyejnë emocionalisht para mundjes fizike). Konteksti i lidershipit edukativ në kaptinën Llukman na zbulon një dukuri tjetër të urryer, atë të ngritjes së zërit për shkak të shqetësimit të dëgjuesit pa pasur nevojë. Natyrisht, edhe këtu ka raste përjashtimi, pra kur lejohet ngritja e zërit, por në përgjithësi ajo është e urryer. Ata që kanë njohuri themelore fetare e dinë se ngritja e zërit, fishkëllima, duartrokitja janë tradita të periudhës para islame dhe shoqërisë së atëkohshme (xhahilijeti) e cila kryente ritualet fetare dhe lutjet në Qabe në këtë formë. Allahu xh.sh., na rrëfen për këtë:

Lutja e tyre në Shtëpinë e Shenjtë ishte vetëm me fërshëllima dhe rrahje duarsh. Prandaj (atyre do t’u thuhet:) Provojeni ndëshkimin, pasi kurrë nuk besuat”! [Enfalë: 35]

Fatkeqësisht forma të këtyre traditave të ndaluara i gjejmë edhe sot prezente në mesin tonë në salla  ligjëratash, në ambiente shkollash, në qendra tregtare, në institucione shtetërore. Jo rrallë i shohim tek bërtasin e fishkëllejnë duke mos çarë kokën se me këtë i shqetësojnë të tjerët dhe ua prishin rehatinë. Që të mos jemi viktimë e kësaj dukurie, këtë këshillë Kur’anore në kaptinë Llukman, duhet ta rikujtojmë mbrëmje e agim.

Por jo të gjithë janë të këtillë. Komunikimi i mirëfilltë dhe me edukatë në disa vende myslimane është ngritur në nivel kombëtar, si p.sh. në Malajzi, Indonezi, Brunei Darussalam, ku edhe kam patur fatin të jetoj e të punoj dhe të shijoj këtë kulture të lartë komunikimi. Kujtoj se njëherë i pata pyetur për sekretin e zërit të vogël në bashkëbisedim, më patën thënë: Ngritja e zërit është tipar i majmunëve në xhunglat tona. Ndërsa neve që jemi njerëz dhe myslimanë nuk na përket ta ngrisim zërin si ata!

Ju lumtë atyre për këtë kulturë dhe moral të lartë!

Arsyeja pse Kur’ani e shëmbëllen zërin e lartë me zërin e gomarit qëndron në shëmtinë e zërit të lartë dhe irrtimin e njerëzve prej tij. Në ajet aludohet se zëri i gomarit ka qenë i urryer njësoj si sot! Ashtu do të jetë përgjithmonë. Të vërtetën e ka thënë Allahu xh.sh., kur thotë:

Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më I vrazhdë është zëri i gomarit”!” [Llukman: 19]

Ekspozeja Kur’anore përkitazi me rëndësinë e lidershipit edukativ nga kaptina Llukman, respektivisht rrëfimi i Llukmanit a.s, me popullin, fëmijët, studentët, mjafton sa për të marrë mësim dhe për tu udhëzuar e vepruar sipas këtyre ajeteve. Aty gjetëm shumë elemente që skicojnë qartë dhe bukur rrugën që duhet ndjekur në edukimin e fëmijëve, studentëve, ushtarëve, duke i fisnikëruar si metalet, në mënyrë që të xhvishen nga çdë e metë, tipar i urryer tek Allahu xh.sh.

 

Aspekti moral etik dhe udhëheqës në rrëfimin e Llukmanit a.s.

  • Rrëfimi i Llukmanit ndalon nga dy tipare të urryera;
  • mendjemadhësia në ecje, ngritja e zërit dhe humbja e kohës
  • Për të shpëtuar nevojitet të përvetësojmë tiparet e robërve të sinqert të Allahut xh.sh.
  • ndalimi i tesaurit – refuzimit e përbuzjes së njerëzve
  • Citatet profetike e ndalojnë një gjë të tillë.
  • Nevoja e ndërgjegjësimit, respektivisht pastrimit dhe dëlirjes shpirtërore dhe fizike
  • Nevoja dhe domosdoshmëria e lidhjes së moralit me kredon
  • Domosdoshmëria e harmonisë ndërmjet fjalëve dhe veprave dhe kujdesi nga kundërthënia ndërmjet tyre

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] Shih: https://almaany.com/ar/dict/ar-ar/الصعر/.

[2] Shih: Tefsiri i Imam Kurtubiut https://furqan.co/qurtubi/31/18.

[3] Hadithin e shënojnë Tirmidhiu në Sunen, nr. 2488: Imam Ahmedi në Musned,

1/415, Ibn Hibani në Sahih, 2/216.

[4] Hadithin e shënon Imam Hejthemiu në Mexhmeu ez-zevaid, 1/255

[5]  Hadithin e shënon Imam Muslimi në Sahih, nr. 2865. Shihe komentin në:https://dorar.net/hadith/sharh/16720.

[6] Hadithin e shënojnë Ebu Davudi në Sunen, nr. 4090; Imam Ahmedi në Musned, nr. 9359; Ibn Maxheh në Sunen, nr. 4174. Në këtë hadith janë përmendur krenaria dhe madhështia në shembull të rrobave, të cilat mbase mund të keqkuptohen nga lexuesi i rëndomtë. Dijetarët kanë përmendur se pelerina dhe petku janë përmendur vetëm si shembull për të treguar se si njeriu nuk pranon ortakëri në pelerinë dhe petk, po kështu Allahu xh.sh., nuk pranon ortakëri në krenari dhe madhështi. Ky ishte mendimi i Hattabiut, autorit të komentarit të Sunenit të Ebu Davudit. Përkthyesi.

[7] Shih: Tefsiri i Kurtubiut, https://furqan.co/qurtubi/31/18.

“…dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do

mendjemëdhenjtë e mburracakët!” [Llukman: 18]

[8] Hadithin e shënon Imam Hejthemiu në Mexhmeu ezzevaid, nr. 112.

[9] Shih: https://dorar.net/hadith/sharh/29358.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit