9.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Prevalla në kaos

Më të lexuarat

Parku Nacional “Mali Sharri”, përkatësisht Prevalla, karakterizohet me vlera të veçanta natyrore që kanë rëndësi të posaçme rekreative dhe turistike për qytetarë të vendit dhe të huaj. Por, betonimet me ndërtimet ilegale në këtë pjesë kanë hijezuar të gjitha këto vlera natyrore.
Edhe pse para dy viteve pati nisur një aksion për rrënimin e ndërtimeve pa leje në Prevallë, aksioni nuk është vazhduar nga ministri aktual i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ferid Agani për t’ia liruar frymën këtij parku kombëtar dhe për ekzekutimin e mbi 40 vendimeve, të nënshkruara nga ish-ministri i kësaj ministrie, Dardan Gashi për rrënimin e objekteve pa leje.

Shoqëria civile deklarohet se Prevalla është në kaos nga ndërtimet pa leje dhe nuk ka vend më për atraksion dhe turizëm në atë zonë. Sipas tyre, ka dështuar qeverisja lokale dhe ajo qendrore për mbrojtjen e këtij parku.

Ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi deklaroi se nuk është vazhduar me ekzekutimin e 40 vendimeve që kanë mbetur të nënshkruara dhe rishikimi i rreth 200 lejeve në aspektin e tejkalimit në atë zonë.

Ai thotë se gjatë implementimit të li gjit për parqet nacionale, ka qenë aksioni në Prevallë.

“Fatkeqësisht nuk është vazhduar me ekzekutimin e vendimeve që kanë mbetur të nënshkruara nga unë dhe kolegët e mi. Kanë qenë diku edhe 40 ose 50 objekte pa leje dhe rishikimi i diku 200 lejeve në aspekt të tejkalimit të lejeve në atë zonë. Ne në atë kohë kemi rrënuar diku 300 objekte. Kanë mbetur diku tash gati një vit pa ekzekutuar vendimet edhe për 40 ose 50”, thekson Gashi.

Ish-ministri Gashi deklaron se ministri aktual i MMPH-së, Ferid Agani, ka qëndrime tjetër sa i për ketë Prevallës dhe sa i përket lumenjve.

“Unë sa e kam parë ministri Agani ka qëndrime të ndryshme sa i përket Prevallës dhe sa i përket lumenjve. Për të dyja këto deri më tash nuk është vazhduar në njërën anë dhe në anën tjetër. Qëndrimet e tij nuk janë të ngjashme sikur që kam pasur unë ose qeveria e kaluar. Mendon se duhet të ndërpriten rrënimet në Prevallë dhe mendon se duhet të lejohet prapë eksploatimi i zhavorrit nëpër lumenj”, tha Gashi.

Ai thotë se çdo administratë është e obliguar që t’i implementoi vendimet ose t’i qet nga funksioni. Gashi dyshon se vendimet nuk po ekzekutohen nga ministri Agani shkas i objektit “Kulla e Jetimëve”.

Kurse, sa i përket pronësisë së këtyre objekteve pa leje, ish-ministri thekson në listën e fundit nuk ka pasur ndonjë zyrtar të lartë të shtetit, përveç siç tha ai objekti “Kulla e Jetimëve” që ka qenë objekt i hetimeve dhe bastisje për dyshime terroriste.

Ky objekt sipas tij, është ilegal qysh prej fillimit deri më sot.

Ish-ministri i MMPH-së thotë se synimi ka qenë edhe në qendrën turistike në Brezovicë për rrënim.

Sipas Gashit, patën filluar me incizimin e gjendjes në Brezovic ë qysh atëherë dhe kanë identifikuar dy tre qind objekte që duhet të largohen.

Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk kanë dashur të deklarohen për ndërtimet pa leje në Prevallë dhe çështjen e lumenjve, edhe pse KosovaPress ka parashtruar pyetje me shkrim dhe ka bërë kërkesa nëpërmjet telefonit lidhur me këtë temë tash e më shumë se 2 javë.

Për pretendimet se nuk ka leje “Kulla e Jetimit” në Prevallë, përgjegjësi i organizatës humanitare “Kalliri Mirësisë” që vepron në “Kullën e Jetimëve”, Kemajl Januzi, tha për KosovaPress se këtë veprimtari humanitare e kanë filluar në vitin 2001, në parcelën e blerë prej 10 ari. Komuna e Prizrenit, sipas tij, ua ka dhënë lejen për objektin e ndërtuar diku 2006 ose 2007, por prapë iu është është marrë para disa muajve.

“Unë me dijen time tejkalime nuk kemi, fqinjëve për 40 objekte ju ka ardhur për rrënim. Po ajo është shuar, dy muaj tre pritem u ndal, për çka nuk e di ata e dinë. Mandej, pas kësaj më erdhi vendimi mu a prej Komunës për rrënim si shkas i ndërrimit të destinimit të veprimtarisë. Në vendim të komunës thuhet, se: ne, Komuna ta kemi lëshuar lejen për jetimë, kurse ti po e shfrytëzon edhe për restorant. A këtë punë ne e bëjmë që 10 vjet”, tha Januzi.

Ai thotë se nëse është ashtu, atëherë duhet komuna me kërkuar me shkrim mbylljen në qoftë se është ndërruar destinimi.

Januzi thotë se në statutin e tyre të organizatës thuhet se si organizatë humanitare kanë të drejtë me pasur shkollë, kolegje, hoteleri, etj. por me kusht mos qenë fitimprurëse, fitimi me i shkuar jetimëve.

Sipas tij, mbi 90 për qind e ndërtimeve në Prevallë kanë bërë tejkalime në vilat e tyre, kjo ka qenë edhe një prej shkaqeve që iu kanë marrë kompetencat komunës së Prizrenit.

Monitoruesja në kuadër të Organizatës Joqeveritare (OJQ) “Ec më ndryshe” në Prizren, Elmedina Baxhaku, theksoi për KosovaPress, se niveli lokal dhe ai qendrorë kanë dështuar për sa i për ketë mbrojtjes së parkut kombëtar “Sharri”, përkatësisht Prevallës për degradimet. Sipas saj, gjithçka mundesh me i thanë Qendrës së Prevallës, pos jo vend atraksion turistik.

“Është një kaos në Prevallë, është betonuar po thuajse një pjesë e madhe. Janë objektet të grupeve të targetuara qoftë nga politika dhe biznesi, dhe deri më tani nuk ka as një lëvizje nga institucionet përkatëse… Natyrisht, gjithçka mundesh me i thanë Qendrës së Prevallës, pos jo vend atraksion turistik, për vet faktin që është betonuar në tersi”, tha Baxhaku.

Prevalla e dikurshme sipas saj, po i mungon qytetarëve të Prizrenit, natyrisht të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe turistëve të huaj. /KP/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit