Padakortësia e Berlinit për llojin e politikës së Beogradit ndaj Moskës
Gjermania e ka paralajmëruar Serbinë se afërsia e saj me Rusinë mund të komplikojë qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian, raporton Agence France Presse, duke cituar një burim nga qeveria gjermane.
Gjermania e ka paralajmëruar Serbinë se afërsia e saj me Rusinë mund të komplikojë qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian, raporton Agence France Presse (AFP), duke cituar një burim nga qeveria gjermane.
Dy ditë para samitit në Berlin, i cili duhet të forcojë bashkëpunimin e BE-së me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, një burim i paidentifikuar tha se në rastin e Serbisë, “marrëdhëniet me Rusinë sigurisht që i përkasin anës së errët”.
Zyrtari gjerman kujtoi marrëveshjen e nënshkruar në fund të shtatorit nga ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe kolegu i tij i atëhershëm serb Nikola Selakoviç për vazhdimin e konsultimeve mes dy ministrive në dy vitet e ardhshme.
“Ne u ndjemë të befasuar dhe të zhgënjyer,” shtoi ai.
“Nëse Vuçiç zgjedh një rrugë tjetër…”
AFP thekson se Serbia e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës në Kombet e Bashkuara, por refuzon t’i bashkohet sanksioneve evropiane kundër Moskës.
Megjithatë, Berlini “konsideron se një diskutim intensiv me presidentin Vuçiç është i dobishëm.”
“Ai është një politikan me përvojë që mund të analizojë implikimet e luftës ruse kundër Ukrainës”, tha një burim nga qeveria gjermane.
“Nëse zgjedh të ndjekë rrugën drejt Evropës, atëherë do të ketë mbështetjen e BE-së dhe qeverisë gjermane. Nëse zgjedh një rrugë tjetër, pasojat do të jenë të ndryshme”, shtoi ai.
Krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, liderët e BE-së dhe kancelarja gjermane duhet të marrin pjesë në samitin e procesit të Berlinit më 3 nëntor.
Aty pritet të nënshkruhen tre marrëveshje – për njohjen reciproke të dokumenteve personale, diplomave universitare dhe profesionale. /tesheshi.com/