9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

KMDLNJ kërkon mirëkuptim nga SBASHK-u: Në përballjen e dy të drejtave të padiskutueshme, realizimi i të drejtës së nxënësve ka përparësi

Më të lexuarat

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar që të ndërpritet greva dhe të fillojë mësimi, në mënyrë që të shmangen pasojat për nxënës.

KMDLNj thekson se për shkak të grevës 300 mijë nxënës po i humbin orët e mësimit.

Lexoni të plotë reagimin e KMDDLNj-së:

Për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK-u dhe mospërmbushjes së kërkesave nga qeveria e Kosovës, mbi 300.000 nxënës të të gjitha niveleve po humbin orët e mësimit në kohën kur shumë orë janë humbur më herët dhe kur arsimin e kemi thuaja në fund të pusit. E drejtë e njeriut është të kërkosh përmbushjen e tyre edhe përmes grevës, kur bëhet në përputhje me ligjin dhe mandatin që e ka dhe, në këtë kontekst SBASHK-u është edhe në kuadër të ligjit dhe të mandatit.

E drejta për shkollim është gjithashtu e drejtë e njeriut e që në rastin konkret greva e SBASHK-ut po ua mohon nxënësve në Kosovë përjashtimisht rasteve të rralla që nuk iu binden SBASHK-ut. Pa asnjë dyshim se nxënësve në Kosovë, me këtë grevë po iu shkelen të drejtat e njeriut. Qeveria e Kosovës është treguar kryeneçe duke bërë përpjekje, jo ta zgjidhë problemin përmes një marrëveshjeje të negociuar me SBASHK-un, por ka sulmuar frontalisht SBASHK- un duke përdorur fjalor linçues, bullizues, kërcënues dhe shantazhues sidomos ndaj kreut të Sindikatës, Rrahman Jasharaj sikur edhe duke i penalizuar përmes heqjes së pagës për kohën që kanë bërë grevë.

Edhe kërcënimi i sindikalistëve grevistë me pasoja, heqja e pagës dhe përpjekja për thyerje të grevës janë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtare.

Në anën tjetër të drejtat e njeriut e humbin kuptimin kur me këtë veprim i shkelni të drejtat e të tjerëve, të nxënësve, në rastin konkret.

KMDLNj, në të gjitha reagimet ka deklaruar se greva mbetet mundësi dhe veprim i fundit, vetëm pasi të shteren përpjekjet tjera e që në këtë rast nuk janë shfrytëzuar nga adresa kryesore e përgjegjësisë institucionale, Qeverisë së Kosovës përkatësisht Ministrisë për Arsim që, në vend të dialogut, ka ofruar muskuj përballë SBASHK -ut, prandaj KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon shkarkimin e ministres, Arbërie Nagavci.

Përpjekjet për ndërmjetësim kanë dështuar shkaku se Presidentja nuk ishte e paanshme, Avokati i Popullit ishte kundërthënës (sipas SBASHK – ut), kurse kërkimi i ndërmjetësimit ndërkombëtar që edhe dështoi ishte nën çdo dinjitet. Në ndërkohë situata në terren ka filluar të lëvizë duke shfaqur mospajtim me kohëzgjatjen e grevës sikur që edhe presioni qeveritar po ndikon.

Dje, më datë 22 shtator 2022, një numër i konsiderueshëm i prindërve të cilët kanë fëmijët në institucionet parashkollore kanë realizuar një marsh për të bërë thirrje tek palët për të arritur marrëveshje në mënyrë që të hapen institucionet parashkollore. KMDLNj e ka monitoruar gjithë marshin, nga Qeveria e Kosovës deri tek zyrat e SBASHK-ut.

Prindërit kanë pohuar se fëmijët e tyre janë ata të cilët kanë pësuar shumë gjatë këtyre javëve të mosshkuarjes në kopsht, nga mungesa e aktiviteteve, socializimit, arsimimit (për moshën 5 vjeç), edukimit, por edhe se ata kanë shterur gjithë mundësitë e pushimit nga puna për arsye të kujdesit ndaj fëmijëve. Prindërit pohuan se mund të rëndohet gjendja e tyre edhe më shumë sepse në këtë situatë ata mund të mbesin dhe pa punë shkaku i mos hapjes së çerdheve.

Në situatën e krijuar duhet një zgjidhje e ndërmjetme, as kërkesa e SBASHK-ut e as refuzimi i qeverisë, si ishte deri më tani.

Nëse nuk do të ketë marrëveshje, situata dhe qëllimi i grevës do të degradojë deri në masën që të krijohet një anarki. Në përballje e dy të drejtave të padiskutueshme siç është kjo e SBASHK-ut dhe e nxënësve përparësi ka realizimi i të drejtës së nxënësve sepse prodhon pasoja shumë më të rënda andaj KMDLNj kërkon nga SBASHK -u të tregojë mirëkuptim duke hequr dorë nga kërkesat maksimale për faktin se mosmbajtja e mësimit po prodhon efekte zinxhirore në të gjitha fushat, që nga entet parashkollore e deri te arsimi universitar.

KMDLNj thërret që procesi mësimor të fillojë menjëherë në të kundërtën edhe SBASHK do të ketë përgjegjësi konkrete për shkelje të drejtave të njeriut përmes bllokimit të procesit mësimor. Po shteren kufijtë e durimit për prindër dhe nxënës të cilët nuk duhet dhe nuk mund ta pësojnë për shkak të kryeneçësisë së qeverisë dhe SBASHK- ut. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit