-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Çmime të ngritura përditë dhe inflacion rekord në Kosovë

Më të lexuarat

Ditëve të fundit në Kosovë, sërish ka rinisë të ndodhë ngritje e madhe çmimesh të shumë produkteve, e sidomos të prodhimeve bazike ushqimore, që po ndikojnë dukshëm në ç’ekuilibrimin evident të gjendjes sociale te shumica e kosovarëve të varfër.

Çmimet në Kosovë, po vazhdojnë të ngriten hovshëm dhe përditë. Tregtarët kosovarë, sidomos ata të pandërgjegjshmit nuk rreshtin së ngrituri çmimet, sidomos të produkteve bazë ushqimore, dhe të cilat kanë ndikim të qenësishëm në mirëqenien e kosovarëve. Për ta, për tregtarët e pandershëm dhe të prirur për të shfrytëzuar situatat kaotike, janë thuaja të panjohura rezolutat, rekomandimet dhe sugjerimet e autoriteteve dhe zyrtarëve të vendit. Ngritje e madhe dhe e vrullshme çmimesh po ndodhin pikërisht vetëm disa ditë pas miratimit të Rezolutës nga Kuvendi i Kosovës për  frenimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë dhe disa ditë pas paralajmërimeve zyrtare për monitorim rigoroz ndaj tregtarëve abuzues.

Kështu, ditëve të fundit, sërish ka rinisë të ndodhë ngritje e madhe çmimesh të shumë produkteve, e sidomos të prodhimeve bazike ushqimore, që po ndikojnë dukshëm te ç’ekuilibrimi evident i  gjendjes sociale te shumica e kosovarëve të varfër.

Siç dihet, në këtë muaj, u veçuan fillimisht si ditë të veçanta 11,12 dhe 13 gushti kur shpërtheu ngritja e vrullshme e të gjitha produkteve elementare ushqimore.

Në këto ditë, anembanë Kosovës pati ngritje goxha të ndjeshme të çmimeve te vezët  (kompleti i tyre 30 vezësh) me çmime të reja të ngritura, sipas të dhënave të ATK-së, prej 4, 26 eurosh, por edhe prej 4.50 eurosh, për dallim nga java e kaluar kur ky komplet vezësh tregtohej me 4.09 euro. Ndërsa, në korrik të vitit 2021, një komplet prej 30 copë vezësh ka kushtuar në Kosovë diku më së shumti 2.15 euro.

Ngritje çmimi u pa në të gjitha pikat e shitjes anembanë Kosovës në ditët e apostrofuara në këtë shkrim edhe te vaji ushqimor (thuaja te të gjitha llojet e tij). Vaji i luledielli, që në Kosovë është më i konsumuari shitej me 2.93 euro, ndërsa vjet në korrik një litër vaj të lulediellit ka kushtuar diku 1.56 euro.

Edhe të gjitha produktet bazike ushqimore (mielli, buka, mishi i viçit dhe ai i pulës, qumështi, dhe karburantet) kanë shënuar këtyre ditëve prap rritje çmimesh edhe krahasuar me pak kohë dhe ditë më parë, dhe krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Mielli tregtohet tani me mbi 80 centë kilogrami, (vjet me 0,52 centë), buka me 50-60 centë në vend të 0,35 centësh sa ishte në korrik të vitit të kaluar, mishi i viçit sipas të dhënave të ATK-së tani kushton 9,19 euro deri në 10 euro për kilogram, ndërkohë që në korrikun e vjetshëm ka kushtuar 7,45.  Mishi i pulës ka shkuar në 4.5 euro kilogrami derisa vjet shitej me 2.64 euro. E kështu me radhë.

Ndërkohë, sërish në këto tre-katër ditët e fundit, të po këtij muaji, të gushtit pra ka nisur një ngritje goxha e vrullshme e shumë  produkteve ushqimore. Tani, me çmime të reja të ngritura tregtohet edhe buka, dhe shumë produkte të miellit, edhe vezët, edhe vaji ushqimor dhe shumë lloje djathrash.

Edhe më alarmuese gjendjen e krijuar në Kosovë si pasojë e ngritjës enorme të çmimeve, e bëjnë të dhënat e institucioneve  financiare ndërkombëtare. Në bazë të të dhënave më të reja të Bankës Botërore, çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë nga prilli deri në korrik 2022, janë rritur për 19.2 për qind, që i bie që në këtë shkallë, 19.2 për qind pra, ishte edhe inflacioni për produktet ushqimore në vendin tonë..

Sa i përket shteteve të rajonit, Banka Botërore rendit Shqipërinë me inflacion 13.2 për qind, Serbinë me 19.3 për qind, Maqedoninë e Veriut me 21.5 për qind dhe Malin e Zi me 23.1 për qind.

Në përditësimin e saj të sigurisë ushqimore, Banka Botërore njoftoi se nga prilli deri në korrik 2022, inflacioni në produkte ushqimore është i lartë në pothuajse të gjitha vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Ndërsa, Agjencia e Statistikave ka treguar se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2022, me muajin korrik 2021, ishte 14.2 për qind.

Banka Botërore njofton më tej se që nga 11 gushti 2022, indeksi i çmimeve bujqësore është 1% më i lartë se dy javë më parë.

Çmimet e misrit dhe të grurit janë 2% më të larta krahasuar me janarin 2022, ndërsa çmimet e orizit janë rreth 6% më të larta.

Krahasuar me mesataren e janarit 2021, indekset e çmimeve të misrit dhe grurit janë 20% më të larta, ndërsa indeksi i çmimit të orizit është 16% më i ulët.

Ngarendja për ta ngritur çmimin e bukës normale që tregtohet me shumicë në Kosovë, gjatë ditës së djeshme, e hënë, 23 gusht dhe ditës së sotme, nga 50 në 60 centë, është thjesht abuzim dhe tendencë për ta shfrytëzuar situatën dhe frymën që ka kapluar zhvillimet në sferën e çmimeve edhe në vendin tonë. Sepse, nuk mund të arsyetohet furrëtari për ngritjen e çmimit më të ri të bukës (buka në disa furra të Prishtinës ka nis të tregtohet nga 60 centë, ndërsa bureku nga 1,20 deri në 1,30 centë) dhe  produkteve të tjera nga mielli me faktin se “letra e burekut” që paska kushtuar më herët 6.30 centë për kilogram, tani po u tregtoka me 12 euro.

Një kilogram mish më parë ka kushtuar 6 euro ndërsa tash është 8 euro. Ose, një thes miell gjatë vitit të kaluar që ka kushtuar 8 euro e diçka, tani kushton 15 euro. Sepse, për këto lëvizje çmimesh të miellit apo “letrës së burekut” janë ngritur sa e sa herë deri më tash çmimet e bukës dhe të produkteve të tjera të miellit. Nuk është edhe gjithaq i qëndrueshëm arsyetimi se në çmimet e ngritura të bukës dhe pjekurinave të tjera të miellit po ndikuaka tani edhe aplikimi i reduktimeve dhe kostoja e konsumimit të karburanteve gjatë reduktimeve. Sidoqoftë, kjo është çështje e diskutueshme, në mungesë të masave ligjore nga ana e autoriteteve, mbetet vetëm çështje e ndërgjegjes së tregtarëve dhe, në rastin konkret e furrëtarëve.

Deri tash, edhe në valën e re të ngritjes së çmimeve, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, praktikisht po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme abuzive për ngritje çmimesh të egra të shumë produkteve ushqimore. Siç po shihet, por edhe siç kanë vrejtur në shumë raste inspektorët e tregut në qendra të shumta të vendit, gjatë operacioneve të tyre inspektuese, goxha do çmime të produkteve ushqimore janë edhe të nxitura dhe të vendosura nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale.

Me fjalë të tjera, po del të jenë vetëm fjalë, sado që të shkruara -e zeza në të bardhë, masat e qeverisë të bëra publike kohë më parë për frenimin e shpërthimit egërsisht të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore.

Shifrat e çmimeve të reja të sipërpërmendura në këtë shkrim, tregojnë më qartë se edhe Rezoluta e VV-së, e miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës ditë më parë, që synonte adresimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë në Kosovë dhe në njëfarë mënyre vendosjen e një tavani të çmimeve për produktet bazë ushqimore, për të pasur sado pak njëfarë mbikëqyrjeje tek çmimet e produkteve bazë, tani po del vetëm një parollë pa asnjë efekt dhe pa asnjë ndikim të vetëm në ecurinë e frenimit të çmimeve të egra.

Akoma nuk po shihet ndonjë hap konkret i Qeverisë aktuale për të stopuar sadopak ngritjen abuzive të çmimeve, edhe pse nëpërmjet rezolutës së miratuar Kuvendi i Kosovës ishte fortë i qartë në kërkesën ndaj Qeverisë për të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve bazë.

Çmimet e reja të ngritura që po ndodhin në dy-tre ditët e fundit po dëshmojnë se sado që Kuvendi përmes rezolutës ka kërkuar nga ekzekutivi që edhe nëpërmjet instrumenteve monitoruese, t’i ndalë përpjekjet për shfrytëzim të kësaj situate nga tregtarët abuzues, thuaja deri më tash nuk është bërë asgjë. Më fjalë të tjera, siç po shihet nga shifrat më të fundit të çmimeve të shumë produkteve bazë ushqimore asnjë kërkesë dhe synim i Rezolutës nuk është përmbushur. Thjesht, si me të si pa të, tregtarët, ata që gjithnjë treguan prirjet e tyre abuzive, edhe këtyre ditëve i quan çmimet në stratosferë, duke e quar në qiell edhe marzhën e fitimit.

Nuk ka ndonjë informacion as se ku kanë arritur punët rreth ligjit të ri të inicuar, po kështu nga Qeveria, për rregullimin e çmimeve për produktet bazike. Ishte premtuar se do të dorëzohet në fillim të gushtit, por ende nuk ka asgjë zyrtare se çfarë është bërë me këtë ligj, që po e kontestojnë jo pak ekonomistët për disa përmbajtje të tij.

Po dalin të jenë goxha të paefektshme edhe premtimet e kryeministrit Kurti të bëra në shumë raste gjatë muajit që shkoi se  “ditëve në vijim do të publikohen masat e reja të Qeverisë për çmimet e larta të produkteve esenciale”.

Mbase të trimëruar nga deklarata e kryeministrit Kurti që ka deklaruar disa herë gjatë korrikut dhe fillim gushtit se “vendosja e çmimit tavan për naftën ka dhënë rezultate”, në mbledhjen e sotme të Qeverisë sërish u miratuan unanimisht plotësim-ndryshimet e Udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve të tjera. Mbetet të shihet në vijim sa do të jetë i efektshëm ky Udhëzim administrativ, i cili është rikthyer si “vazhdimësi e masave mbrojtëse për konsumatorët dhe operatorët ekonomik të rregullimit të çmimeve të produkteve të naftës.

Ndërsa, as sot në mbledhjen e Qeverisë nuk u tha ndonjë fjalë rreth masave të premtuara nga kryeministri dhe ministrat përkatës të kësaj qeverie, për të stopuar apo për të parandaluar në njëfarë mase egërsimin e mëtejshëm të çmimeve në vend.

Çmimet pra, vetëm sa janë ngritur, por me vrull të përshpejtuar në këto dy-tre ditët e fundit dhe me shifra marramendëse të përqindjeve të ngritura./buletiniekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit