-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

A kanë folur melekët edhe me njerëz tjerë përpos me pejgamberët?

Më të lexuarat

PYETJA:

A kanë folur melekët edhe me njerëz tjerë përpos se me ata që kanë qenë të dërguar të Allahut?

***

Përgjigjja:

Melekët janë krijesa të Allahut të Madhërishëm të cilat kryejnë punë të caktuara me të cilat i ka ngarkuar Allahu Fuqiplotë. Melekët nuk bëjnë asgjë jashta asaj me të cilën i ka ngarkuar Allahu Fuqiplotë.

Në mesin e melekëve, meleku që ka qenë i ngarkuar me dërgimin e shpalljes te të dërguarit e Allahut, ka qenë Xhibrili (paqja e Allahut qoftë mbi të). Por, krahas melekut të shpalljes, me pejgamberët e Allahut kanë kontaktuar edhe melekët tjerë, sipas urdhërit të Allahut Fuqiplotë. Kështu, nga jeta e të dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit ﷺ është e njohur se me të kontaktoi meleku i kodrave dhe i tha se është dërguar me urdhërin e Allahut që ta bëjë atë që e urdhëron ai për banorët e Taifit të cilët e refuzuan në fillim thirrjen e Muhamedit ﷺ dhe e gjuajtën me gurë.

Po ashtu, në disa transmetime flitet edhe për kontakte të melekëve të ndryshëm me të dërguarit e Allahut, paqa e Allahut qoftë mbi të gjithë ata. Ndërkaq, sa i përket kontaktit abo bisedës së melekëve me njerëz të rëndomtë të cilët nuk kanë qenë pejgamber, i dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi ﷺ qartë e ka pastruar këtë dilemë.

Buhariu ka transmetuar hadithin në të cilin qëndron se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Para jush ka pasur njerëz nga Beni Israilët me të cilët kanë biseduar melekët, dhe nuk kanë qenë të dërguar. Nëse në umetin tim ka të tillë, ky do të ishte Omeri”. [1]

Pra, melekët kanë biseduar me njerëz nga popujt e mëparshëm, edhe pse nuk kanë qenë të dërguar të Allahut.

Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu

——————————————————–

[1] Transmeton Buhariu në Sahihun e tij, kapitulli: “Veçoritë e sahabëve”.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit