Nuk ka rrugë përmes së cilës arrihet lumturia, përveç se me respekt ndaj Allahut, prandaj kush bën sa më shumë vepra të mira, ju largohet mëkateve, ai jeton i lumtur. Madje ky është afër Zotit të Tij, i Lartësuari thotë:“Kush bën vepër të mirë qoftë ai mashkull apo femër, duke qenë besimtarë, Ne do ti japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do tu japim shpërblim më të mirë për veprat e tyre.”[Nahl: 97.]
Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Jeta e mirë i përmbledh të gjitha anët e kënaqësisë, rehatisë në çdo aspekt qofshin ata.”[Tefsir Ibn Kethir, 2/908.] Lumturia rritet kur njeriu e bën Teuhid – e njëson Allahun siç e meriton Ai, kur e lidh zemrën me Krijuesin e Tij, kur çdo çështje ia dorëzon Atij.
Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Teuhidi hap dyert e mirësisë, kënaqësisë, lumturisë, gëzimit dhe dëfrimit.”[Zadul mead, 4/202.]
Lumturia i forcon nyjet e saj me mirësi ndaj krijesave, duke ia bashkangjitur asaj edhe dëgjueshmërinë ndaj Allahut.
Shejhul islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Lumturia në bashkëveprim me krijesat është të bashkëveprosh me ta për Allahun, të shpresosh për këtë vepër nga Allahu e të mos i bësh ata të të duan me zor për Allahun, të kesh frikë Allahun me ta, e jo ti bësh që të të frikësohen jo për Allahun, t’ju bësh mirë atyre duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, jo që ta kthejnë një ditë atë mirësi që ua ke bërë, mos ju bën padrejtësi atyre duke pasur frikë Allahun, e jo ata.”[Fetava shejhul islam, 1/51.]
Kush e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit e ka shijuar ëmbëlsinë e lumturisë, jeton me zemër të hapur, të qetë, të çiltër si dhe me gjymtyrë të sigurta e të qeta.
Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Shejhul-islam Ibn Tejmijen e kam dëgjuar duke thënë: Dunjaja e ka një xhennet, kush privohet nga hyrja në të, nuk ka mundësi të hyjë në Xhennetin e ahiretit. Kurse në një rast tjetër më tha: Çfarë mund të më bëjnë armiqtë e mi, kur Xhennetin dhe kopshtet e saj i kam në gjoksin tim me vete, ku do që të më dërgojnë përsëri ato i kam me vete.”[Vabilu sajib, fq. 60.]
SHKËPUTUR NGA: “HAPAT DREJTË LUMTURISË”