3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nuk ke punë me besimin tim, feja është çështje personale! Justinian Topulli

Më të lexuarat

Nuk ke punë me besimin tim, feja është çështje personale!
Kjo shprehje është përkthimi praktik i mendësisë së sotme laiciste moderne dhe post-moderne.
Feja, besimi në Zot dhe marrëdhënia me Të, që nga momenti kur u krijua njeriu, nuk ka qenë kurrë çështje vetëm personale, por edhe komunitare. Kjo është kaq e vërtetë, saqë studiues modernë si Emil Durkheim, nisur nga dimensioni thellësisht social i fesë, i kanë mëshuar idesë se feja është produkt social, duke e reduktuar rolin e saj pasaktësisht vetëm në një element social-kulturor, që shërben për formësimin e kohezionit social të grupit.
Por ndërkohë, studime të sotme në fushën e psikologjisë konjitive, përmes eksperimenteve dhe jo thjesht vëzhgimit, kanë konstatuar se feja ka edhe dimensionin e saj individual dhe personal, po aq të thellë dhe më shumë madje, sesa ai shoqëror. Pra, se ajo nuk është e indoktrinuar nga shoqëria, siç thuhet shpesh në mënyrë të pasaktë nga një mendësi e sotme moderne, por lind bashkë me njeriun, njëlloj si aftësia e çdo qenieje njerëzore për të folur.
E thënë me terma fetarë islamë, shumë më të hershme sesa këto përfundime bashkëkohore, feja është e natyrshme, është pjesë e fitras së çdo individi që vjen në këtë botë, siç e thotë këtë Allahu në Kuran dhe Profeti në hadith, por është edhe xhemat dhe nuk mund të ekzistojë edhe pa të, siç shprehej për Islamin Umeri, duke perifrazuar gjithë korpusin e shpalljes për këtë gjë, se “Nuk ka Islam pa xhemat”.
Të dyja këto natyra të fesë në përgjithësi dhe Islamit në veçanti, e bëjnë fenë një bashkëshoqëruese të pandashme të qenieve njerëzore.
Duke qenë i tillë, Islami është edhe marrëdhënie personale e intime me Krijuesin, por edhe marrëdhënie sociale me Të dhe me bashkësinë, me të cilën ndan të njëjtin besim dhe identitet.
Në Islam nuk ekziston një praktikë apo institucion rrëfimi, ku individët janë të detyruar apo të këshilluar të kërkojnë falje mëkatesh përmes priftit, duke i hapur barkun atij, për ato që kanë bërë në vetmi dhe për gjëra që nuk ua dinë ndoshta njerëzit. Por në të njëjtën kohë, njeriu nga natyra e tij, e ka shpesh të pamundur të mos i qajë hallet e tij personale me dikë, që mendon se mund ta qetësojë apo këshillojë. Dhe ky njeri, sigurisht në mjaft raste mund të jetë hoxha, roli i të cilit nuk e kalon këshilluesin dhe edukatorin fetar e shpirtëror.
Në Islam, nuk lejohet të rrëmohet jeta personale e dikujt, qoftë kjo edhe mëkatare, por nëse mësohet për të, nga vetë rrëfimi i personit apo njerëz të sigurt pranë tij, roli i hoxhës, por edhe i çdo besimtari, është të japë këshillën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme personale. Por ama, nëse mëkatet dhe shkarjet e personit janë publike dhe tejkalojnë dimensionin intim personal, dhe sidomos kur fillojnë e bëhen pjesë e një fenomeni kolektiv, Islami e bën obligim ndërhyrjen e këshillës dhe kritikës, edhe publike madje. Ka kaq shumë hadithe dhe praktika nga jeta profetike dhe e sahabëve, për të tilla raste, saqë do të zgjateshim së tepërmi nëse do ceknim dhe shtjellonim një pjesë të tyre. Por këtu do të mjaftohem vetëm me një ajet Kurani, i cili i vë kapakun dhe vulën këtij dimensioni social të fesë.
Allahu thotë në Kuran në suren Ali Imran: “Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve. Ju urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun.”
Ky ajet tregon dimensionin thellësisht social të Islamit dhe domosdoshmërinë e ndërveprimit të bashkësisë së besimtarëve për të promovuar dhe nxitur të mirën dhe për të kritikuar dhe ndaluar të keqen, nga cilido qoftë kjo. Aq i rëndësishëm është ky dimension i fesë, saqë ka prej dijetarëve që e kanë konsideruar atë si shtyllë të gjashtë të Islamit, dhe kjo për vetë natyrën obligative që përçon ky ajet dhe mjaft hadithe profetike, të cilat e konsiderojnë jetike për jetën e bashkësisë islame, urdhërimin për të mira dhe ndalimin apo kritikën e së keqes. Dhe në historinë islame ky rol është ngritur në nivelin e një institucioni, që quhet Hisbeh.
Por ndërkohë, ky vetëkontroll social i shoqërisë, është krejt i natyrshëm e njerëzor dhe aspak i shpikur nga marksistët apo komunistët për herë të parë në historinë njerëzore, me teoritë e tyre mbi luftën e klasave dhe diktaturën e proletariatit. Fakti që komunizmi që ne përjetuam, futej pa leje deri në të brendshmet e njeriut dhe kërkonte të kontrollonte mendjen dhe sjelljen e tij në çdo centimetër, në mënyrë të dhunshme, nuk do të thotë aspak se kontrolli social islam, përmes urdhërimit për të mira dhe ndalimit nga e keqja është komunizëm dhe luftë klasash! Kjo është absurde dhe këndvështrim afetar i fesë, me sytë e dekonstruksionit ideologjik, duke lidhur dhe interpretuar me një padije të theksuar, normat dhe praktikat shekullore të fesë me ideologjitë moderne, thjesht pse përkojnë pjesërisht mes tyre!
Të jesh pjesë e një komuniteti dhe të identifikohesh me të, duke ndarë elementë të përbashkët identitarë, është e natyrshme dhe krejt normale të marrësh reagime, dhe të forta madje, nëse shfaq publikisht bindje dhe sjellje, të cilat bien ndesh me atë që beson dhe praktikon kjo bashkësi. Nëse dikush që e identifikon veten si musliman, del e thotë se mbulesa e gruas nuk është obligim, dhe nisur nga zgjedhja personale, mund ta vërë dhe heqë pa asnjë problem, apo më keq akoma, se fjala salat në Kuran nuk ka për qëllim faljen rituale që ne kryejmë rregullisht pesë herë në ditë, se zekati është taksë për të zhvatur njerëzit, se agjërimi nuk duhet bërë, apo se Kurani është i ndryshuar dhe Allahu mund të jetë energjia kozmike që na rrethon, se Xheneti dhe Xhehenemi janë këtu në tokë në jetën e kësaj bote, etj. etj. si këto, do të ishte anormale që kjo bashkësi të mos reagonte dhe të pranonte zgjedhjen personale të këtij njeriu!
Sigurisht, çdokush mund të besojë ose jo, çfarë të dojë dhe për këtë është përgjegjës para Zotit, por një musliman apo cilido që e përcakton veten si pjesëtar të këtij komuniteti, nuk mundet që të besojë çfarë të dojë, të thotë çfarë ka qejf dhe të vazhdojë të identifikohet me këtë grup, duke mbajtur një këmbë brenda tij dhe një këmbë jashtë tij dhe të mos ketë reagime prej tij, sidomos kur bëhet fjalë për çështje, të cilat ky grup, dhe konkretisht muslimanët si bashkësi, i konsiderojnë vija të kuqe identitare dhe parime të pacenueshme të fesë që ata besojnë. Kjo nuk është çështje lirie personale, apo thyerje e censurës “komuniste”, kjo është përpjekje për t’i imponuar bashkësisë islame një identitet që nuk e ka, është dhunë verbale egoiste individuale për të kërkuar nga kjo bashkësi që të pranojë identitete hibride, dhe kjo, në emër të tolerancës, lirisë individuale, zgjedhjes personale dhe individualizmit fetar!
Shkurt pra, në emër të pasojave atavike të mendësisë së sotme post-moderne, muslimanët u dashka të pranuakan çdo ngjyrë bindjeje fetare, deri në ekstrem, sikur të kishte të bënte thjesht me çështje shkollash juridike islame, apo interpretimesh sektare, që nuk prekin vijat e kuqe të Islamit! Nëse nuk e bëjnë këtë dhe reagojnë ndaj tyre, qenkan mesjetarë, të prapambetur, intolerantë, madje edhe komunistë!
La ilahe ila Allah, çfarë nuk po na shohin sytë dhe dëgjojnë veshët!
Pasha Allahun, është më e ndershme, e sinqertë dhe e kuptueshme, që dikush që ka hequr dorë nga Islami, plotësisht apo pjesërisht, ta thotë troç se “nuk ka ç’më duhet më me muslimanët” dhe të shohë punën e tij, sesa ta identifikojë padrejtësisht veten me ta dhe pastaj të kërkojë ta pranojnë atë ashtu siç është, si të ishte Islami një shoqëri post-moderne, që pranon pa problem me krahëhapur çdo lgbtiq+!
Është e papranueshme që vuajtjet, brengat, dilemat shpirtërore dhe luhatjet mes paqartësive intelektuale që ka një individ, t’i ngrejë në nivelin e një identiteti, në të cilin kërkon të thëthijë edhe të tjerët! Shkoni dhe bini rehat për vete, atje ku ju pëlqen dhe na lini rehat edhe ne të tjerëve, ndërkohë ne si trashëgimtarë të profetëve, që mbartim pjesë nga trashëgimia e dijes së tyre, do të vazhdojmë të bëjmë detyrën që na ka ngarkuar Allahu, me aq sa kemi mundësi e takat dhe Zoti na faltë kusuret e mangësitë tona njerëzore.
Ama, nëse kërkoni të vazhdoni të jeni pjesë e këtij komuniteti, dhe ne dëshirojmë me gjithë shpirt të mos ndaheni prej nesh, duhet detyrimisht të pranoni parimet dhe normat e tij të trashëguara brez pas brezi, që nga koha e Profetit (alejhi salatu ue selam). Nëse keni paqartësi dhe dilema, kërkoni t’i sqaroni ato, e nëse nuk arrini të gjeni përgjigjen që ju kënaq, mos kërkoni të bëni pjesë të kësaj bashkësie çdo interpretim të skajshëm e të veçuar modern e post-modern, që bie ndesh me njëzëshmërinë apo konsensusin shekullor të muslimanëve.
Justinian Topulli
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit