-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Metafizika dhe Ideologjia (përsëri për grupet) – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Prof. Rudian Zekthi

Metafizika dhe Ideologjia (përsëri për grupet)

1.

Në Suren El-Huxhuratë, ajeti 13, Allahu thotë: “O ju njerëz,vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më fisniku ndër ju është ai që më tepër është ruajtur e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”.

Duke qenë se në këtë rast kemi të bëjmë me një pohim eksplicit – të drejtpërdrejtë, themeluar nga fqinjësia pozicionale e dy koncepteve, popull dhe dallim, (sikurse thamë kur në ajetin 183 të Sures Bekare, vërejtëm të njëjtën analogji të kushtëzuar konceptuale, mes koncepteve agjërim dhe devocion), nuk ka dyshim për lidhjen gjenetike mes ndarjes së njerëzve në popuj dhe funksionit të pastër diferencues të kësaj ndarjeje. Nëse është kështu, atëherë ndarja e njerëzve në popuj, në vetvete nuk ka kuptim por vetëm funksion, pra Zoti e ka programuar kështu strukturën e Njerëzimit, heterogjene, me qëllim që dallimi të jetë i parmë – i dhënë  – zanafillor, pra  kushtëzim konstant dhe i përhershëm i perceptimit të njerëzve për identitetin e tyre, për mënyrën sesi e mendojnë dhe përfytyrojnë veten –  atë çka janë.Thënë ndryshe, ndarja e njerëzimit në popuj, nuk nënkupton kurrfarë diference vlere paraprake, për pasojë kurrfarë hierarkie të dhënë, siç edhe e konfirmon pjesa konkluduese e ajetit, ku konfirmohet se hierarkia themelohet mbi virtutet të cilat fitohen duke u përpjekur. Pra  përjashtohet që popujt të dallojnë për nga vlera apo rëndësia sipas një hierarkie të caktuar që në fillim nga Zoti, pra që ka popuj të cilëve Zoti u ka caktuar një mision e për këtë arsye  janë superiorë karshi popujve të tjerë.

E thënë ndryshe dallimi mes popujve që vjen prej Zotit, i përket rrafshit të formës dhe jo rrafshit të përmbajtjes. Pra Zoti nuk i ka ndarë popujt që në origjinë në popuj të mirë e të këqinj, të drejtë e të padrejtë, të prirur drejt besimit apo të prirur drejt mosbesimit, por i ka ndarë në rendin e cilësive neutrale, që në vetvete nuk kanë domethënie si origjina, territori, madhësia, gjuha, që po i quajmë këtu cilësi të rrafshit formal. Të qenit të ndryshëm të popujve në nisje është vetëm se kusht që të bëhet e mundshme që popujt të fitojnë vetëdijen e fatit të vet duke garuar me popujt e tjerë, garim në rrafshin e përmbajtjes, pra se cili popull do jetë më i drejtë, më vetëreformues, më kontribues në mirëqenien dhe mbarëvajtjen e përgjithshme të Njerëzimit.

2.

Në shkrimin tonë “Grupet”, ne jemi mbështetur pikërisht mbi këtë kuptimësi kuranore, kur  kemi treguar se të qenët e shoqërive – popujve (gjatë gjithë kohës termi shoqëri, në këtë diskutim ndërkëmbehet  si sinonim  i plotë me termin popull) të përbërë  nga grupet, nuk është thjesh një konstatim fakti, por thelbi i të qenit të tyre, pasiqë jeta e shoqërisë ( e çdo shoqërie) dhe vlera e saj, suksesi apo dështimi i saj, përcaktohet nga relacionet mes grupeve që e përbëjnë, ne kemi deklaruar se shoqëria si e tillë është vetëm një paketim për të mbajtur bashkë grupet.

 

“5. Sepse është e qartë se nuk është shoqëria që i kushtëzon dhe ndryshon grupet, por janë grupet (për çdo rast njëri prej tyre) që kushtëzojnë dhe ndryshojnë shoqërinë. Që do të thotë se Shoqëria si njëri prej tre rendeve të përkatësisë së individëve (dy të tjerët janë Grupi dhe Njerëzimi), në origjinë është e zbrazët, një formë e domosdoshme për të mbështjellë – paketuar aq grupe sa të mundet: derisa të paketohen të gjithë grupet që përbëjnë njerëzimin, aq shoqëri do të ketë.

 

  1. Shoqëria (ajo që në realitetin e sotëm gjeopolitik e quajnë shteti – komb) e vendos neutralitetin e zbrastësisë së saj gjenetike, në funksion të aspiratave të grupeve ( edhe si pjesë e Njerëzimit) dhe vetëm në këtë mënyrë ajo vetë mbushet me përmbajtje dhe kuptim. Kjo zbrastësi është funksion i këtij ekuilibri: i zhvillimit harmonik të aspiratave të individëve njëkohësisht si pjesëtarë të grupit dhe njerëzimit. Një shtet – komb që nuk e mbërrin këtë, ka humbur të vetmen mundësi për zhvillim dhe prosperim (megjithëse  edhe pse i humbet këto, sërish nuk i mbetet pak: inercia dhe mbijetesa).

 

  1. Për çdo rast, e mbërrin apo nuk e mbërrin këtë ekuilibër, shoqëria për nga natyra e vet gëzon këtë neutralitet të një forme pa përmbajtje të vetën, me qëllim që të jetë hapësira e përshtatshme që nga ballafaqimi midis aspiratave të grupeve (që gjenerojnë përmbajtjet e grupeve), të bëhet e mundshme që njëri prej grupeve, ai që në një moment dominon, të induktojë aspiratet dhe kuptimet e tij tek institucionet e shoqërisë dhe t’u imponohet grupeve të tjera. Pra për çdo rast grupet kushtëzojnë njëritjetrin,( si rregull njëri të tjerët, gati si rregull herë njëri prej tyre e herë një tjetër, por jo medoemos me radhë) dhe përmes këtij kushtëzimi mbarë shoqërinë ( dhe jo shoqëria grupet, ose në rastin më të mirë: shoqëria e bën këtë vetëm duke u përdorur si gadget nga njëri prej grupeve).

 

  1. Ngasa siç rezulton, shoqëria është ashtu si ka dashur dhe përcaktuar njëri prej grupeve që e përbëjnë atë, i cili grup në një moment të favorshëm dominimi, e ka përdorur neutralitetin e formës së  gatshme të shoqërisë për të implikuar dhe kushtëzuar me aspiratat dhe kuptimet e veta edhe grupet e tjera.”  Ndryshe thënë, shoqëria në vetvete nuk ka kapacitetin të përftojë një sistem vlerash, një botëkuptim,një metafizikë mbështetur tek natyra e saj dhe mënyra e saj e të qenit; dhe në këtë kuptim ajo në mënyrë të natyrshme është e destinuar të mbetet bosh. Që  shoqëria të mbushet e të ketë një përmbajtje, një sistem vlerash dhe një modul gjenerativ kuptimesh, ka dy rrugë: ose përmes ideologjisë – që në origjinë një anomali e pashmangshme, ose përmes metafizikës –  normale në origjinë, por me potencial të lartë anomalizmi gjatë rrugës.

 

Tek mundësia e paktë për ta shmangur anomalinë në ardhje , pra përmes një metafizike, mbështetet i gjithë suksesi i vetëm i mundshëm i një shoqërie ( a më shumë), i një populli (a më shumë). Dhe kjo është që shoqëria (a populli) të ketë në mesin e vet një grup me potencial të lartë imagjinate, që i kapërcen thekët e pakos ku gjendet i mbështjellë dhe si pjesë e Njerëzimit gjen një doktrinë a një metafizikë universale, të cilën pasi e përbrendëson vetë, ia indukton gjithë shoqërisë dhe institucioneve të saj, duke mundësuar potencialisht një epokë të re prosperimi dhe zhvillimi për mbarë shoqërinë (gjithmonë nëse metafizika e aspiruar është e duhura dhe përpjekja e grupit është optimale- – gjë e vështirë dhe rrallë,prandaj anomalia është zanafilla dhe shmangia e saj, me fat e mundshmja).

3.

Ndërsa  nëse shoqëria ( që për nga natyra është  formë e zbrazët)  synon të ketë një përmbajtje përmes një ideologjie, siç thamë është gjithmonë dhe pashmangshmërisht një anomali, sepse një ideologji mbështetet në përpjekjen për të nxjerrë nga fakti i  diferencave formale një kuptim  e prej tij një hierarki (e në rastin kur kjo ideologji është nacionalizmi), ku populli në fjalë qëndron në krye, duke e shpjeguar ekzistencën e Njerëzimit si një funksion plotësuaes e misionit të këtij populli.

Kjo rrugë është e vjetër dhe në shfaqjen e saj më të qëndrueshme në histori, ka patur trajtën e popujve perandorakë, të cilët madhësinë apo fuqinë apo epërsinë gjeopolitike të tyre, si elementë dallimi formal me popujt e tjerë, i kanë shfrytëzuar për t’i dominuar këta popuj duke e paraqitur këtë dominim si pjesë të rendit të gjërave.

Por në trajtën e saj të re, modern, kjo anomali është nacionalizmi si ideologji thelbi e së cilës është që nga elementët formalë – operacionalë të cilat vijnë nga Zoti dhe kanë vlerë dallimi dhe identifikimi, duke i shpallur ato të vlefshëm në vetvete, pra jo si start por si finale, jo si mjete por si qëllim, të nxjerrë një doctrinë për popullin që i gëzon këto elemente formale, duke i dhënë atij atribute eskatologjike, për realizimin e të cilave çdo gjë është e përligjur.Aq i dëmshëm dhe i papranueshëm saç nacionalizmi është, vjen prej shkeljes së caktimit të Zotit: Zoti ka caktuar që popujt të dallohen mes tyre në rrafshin e përmbajtjes, kurse nacionalizmi, si çdo ideologji mbështetet në mbitheksimin e dallimeve formale, duke i paraqitur ato sikur janë vetë përmbajtja.

Kjo është në thelb ajo që ka vërejtur B.Anderson tek “Komunitete Imagjinare”, kjo mundësi e epokës moderne (e shekujve 19-20) që pëemes industrializimit të imazheve dhe identifikimeve, ta lidhë ekzistencën e një individi me ekzistencën e Universit dhe Njerëzimit, përmes përkatësisë së tij tek një komb, superioriteti dhe misioni i të cilit me durim këmbëngulje e sakrifica, do vijë dita të dëshmohet nga Njerëzim dhe Universi.

 

Çka thamë na ndihmon të qartësojmë se çfarë ka ndodhur dy shekujt e fundit (Dy Shekujt e Modernes), në thelb shpjegohet si triumf i Ideologjisë mbi Metafizikën: dy metafizikat rivale, Komunizmi dhe Socialdemokracia, që u shfaqën si divergjenca më e madhe e Luftës së Ftohtë, në fakt rezultuan fasadë, sespe sidoms shekulli 20, përforcoi prirjen e shekullit të 19, se konflikti themelor botëror tashmë është ideologjik dhe jo metafizik, pra konflikt mes popujve të pajisur me një doktrinë formale, siç qe Nacionalizmi. Kjo kontradiktë kolosale (sepse është evidente se s’mund të jenë të  vlefshme  të dyja rrugët – edhe metafizika edhe ideologjia: ato e përjashtojnë njëratjetrën) shpjegon në njëfarë mënyre edhe pse Modernja qe një projekt global  skizofrenik dhe utopik.

 

Pra brendapërbrenda Modernes tendenca ideologjike nacionaliste e dominoi tendencën metafizike, dukei çuar popujt drejt një ideologjie të formës së zbrazët, e cila në fund përfundon të ushqejë vetveten. Dhe pas rënies së Modernes, Ky dominim tregon sesi sot në shekullin e 21, (pasi kanë kanë dështuar edhe metafizika e Komunizmit edhe e Socialdemokracisë)  Nacionalizmi gjendet realisht përballë një rivali,  pra një ideologjie tjetër, siç është Neoliberalizmi. I cili mund ta mundë Nacionalizmin  duke e luftuar me armët e tij, sepse si një përpjekje për ta shndërruar formën në përmbajtje, neoliberalizmi po e bren nacionalizmin, duke ekzaltuar veçantittë e Njerëzimit  Real në rivalitet me Njerëzime Imagjinare.

4.

Ai botëkuptim, ai system vlerash apo ajo skemë dispozitash që Zoti ua jep njerëzve, është çfarë deri më tani këtu e quajtëm metafizikë. Dhe këtu qëndron edhe thelbi i dallimit të metafizikës nga ideologjia: ideologjia është produkt i përpjekjes për të gjetur një skemë konceptuale duke u nisur nga të dhëna me status neutral, kurse metafizika është një skemë konceptuale përtej dhe mbi faktet, përmes së cilës tejkalohet (dhe përjashtimet janë rast pas rasti) neutraliteti i të dhënave dhe fakteve.

 

Ndërsa ajeti 13 i Sures Huxhuratë dekurajon përftimin e ideologjisë, një ajet tjetër, ajeti 48, i Sures

Maide, inkurajon përkushtimin tek metafizika dhe rivalizimin me të:  “Ne edhe ty (Muhamed) ta zbritëm Librin e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre..Gjyko pra mes tyre me atë që Allahu e zbriti, e mos pëlqe epshet e tyre e të largohesh nga e vërteta që i erdhi.Për secilin prej jush, Ne caktuam ligje program (të posaçëm në çështje të veprimit).Sikur të donte All-ahu, do t’ju bënte një bashkësi, por deshi t’ju sprovojë në atë që ju dha juve, andaj ju përpiquni për punë të mira.kthimi i të gjithëve ju është tek Allahu, e ai do t’ju njoftojë për atë që kundërshtoheshit.”

 

Pikërisht ate çfarë Allahu këtu e quan ligj e program është  ajo çfarë deri më tani e quajtëm metafizikë, si e kundërta e ideologjisë.Dhe ndriçimi i të njëjtës çështje nga dy ajete shumë të largëta me njëri – tjetrin (49-13 dhe 5-48), mundësohet nga prania në to i dy pohimeve të ngjashme ( “ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete…” 49 – 13; “ Sikur të donte Allahu do t’ju bënte një shoqëri…” 5 – 48) që asociohen bashkë në rendin e Asosacioneve të Lira Të Dukshme. Dhe njëri ajet e paralajmëron garën (pra thjesht që ka garë pa e thënë se për çfarë) mes popujve si ligj (dhe ndryshimet formale si fakte neutrale që mundësojnë njësinë e identiteteve gjatë garës), kurse ajeti tjetër tregon se për çfarë gare bëhet fjalë, pra për garë në rendin e metafizikave të dhëna paraprakisht, për aq sa secila prej tyre aspiron punë të mira.  Popujve, përmes grupeve dominuese (grupet e metafizikës duke mos harruar se Zoti ka caktuar të jemi formalisht të ndryshëm, grupet e ideologjisë duke mos harrus se Zoti do të bashkohemi tek punët e mira) u mbetet kjo garë dhe se cili e fiton garën është diçka që do të merret vesh vetëm tek Allahu.

Rudian Zekthi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit