4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Shqipëria do ta hap njëanshëm tregun, Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm një protestë e Albinit dhe përfshirja në jetën politike në Kosovë – deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Prishtinë

Më të lexuarat

Një ditë më parë në Prishtinë, u mbajt mbledhja e dy Qeverive, e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Pas mbledhjes së dy qeverive, ku u nënshkruan 19 marrëveshje, kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë Edi Rama kanë mbajtur një konferencë për media.

Kreu i ekzekutivit të Shqipërisë gjatë kësaj konference ka folur për “Ballkanin e Hapur, qeverisjen Kurti dhe raportimet për rrëzimin nga pushteti, raportet ndërshtetërore e personale etj.

Rama: ‘Ballkani i Hapur’ nuk na bashkon e as na ndanë, Shqipëria do ta hap njëanshëm tregun

Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për media në Prishtinë pas mbledhjes së përbashkët ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” nuk e bashkon Shqipërinë dhe Kosovën, por se nuk i pengon në marrëdhëniet bilaterale.

Rama theksoi se heqja e tarifave në këtë nisme duhet të bëhen edhe me Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Është e vërtetë që Ballkani i Hapur nuk na bashkon, po ama është po kaq i vërtet që ky nuk na ndanë. Që do të thotë se në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme, ky nuk është sekret që do të thotë se nuk do të na pengojnë për marrëdhënie bilaterale”, tha Rama, shkruan Telegrafi.

Ai shoi se sa i përket tarifave doganore, Shqipëria do ta hap tregun.

“Porosia ime nga qeveria që unë e drejtoj është se çdo gjë që jetësohet me Ballkanin e Hapur duhet ta jetësojmë edhe me Kosovën. Heqja e të gjitha tarifave doganore për kompanitë është sot në Ballkanin e Hapur, duam ta bëjmë edhe më Kosovën. Për sa i përket tarifave, Kosova na ka kërkuar kohë që ta bënë një studim të fizibilitetit, por që ne do ta hapim në mënyrë të një anshme”, shtoi ai.

Edi Rama: Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm një protestë e Albinit, ndryshe s’ka kush ta rrëzojë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është deklaruar edhe rreth asaj nëse po tenton që ta rrëzoj Albin Kurtin nga pushteti.

Në pyetjet e gazetarëve të cilët thanë se është përfolur se po punon që ta rrëzoj Qeverinë Kurti, Rama u përgjigj se Kurtin mund ta rrëzoj vetëm një protestë e tij.

“Qeverinë Kurti mund ta rrëzoj vetëm një protestë e Albinit, përderisa Albini nuk del në protestë kundër qeverisë së vet, nuk ka kush ta rrëzoj”, tha Rama.

Ai shtoi se me Kurtin ka shumë raporte miqësore.

“Me Albinin kemi një marrëdhënie që është e kahershme që është shumë miqësore e që do të jetë e tillë gjithmonë. Juve ju duket shaka por është e vërtetë. Po të jeni kur ne jemi bashkë dhe të shikoni volumin e qeshjeve dhe auto-ironisë që na bashkon, mbase do habiteni pastaj e do thoni jo mor ky nuk qenka vëllai i Vuçiqit por i Albinit, andaj më lejoni të jem vëllai i të dyve se ndoshta do t’ju duhem në të ardhmen”, tha Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një takimi në Prishtinë

Ndonëse shpeshherë është folur për raportet jo shumë të mira mes të dy kryeministrave, Rama edhe sot në fillim të mbledhjes së përbashkët tha se është kënaqësi e veçantë sa herë që takohet me Kurtin.

“E falënderoj në veçanti Albinin, dhe është një kënaqësi e veçantë edhe pse pak kush e beson kur e them, por që kur ne takohemi kemi një sinergji të plotë dhe qeshim jo pak”, tha Rama.

Rama: Po spekulohet për arsye politike, nuk jam i interesuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se pas çdo mbledhje të përbashkët i afrohen pak më shumë qëllimit madhor të dokumentit të partneritet strategjik mes dy vendeve tona të nënshkruara në Prizren më 2014.

“Kemi rënë dakord që me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të organizojmë për herë të parë Kuvendin e përbashkuar të të dyja republikave. Një seancë jubilare ku deputetët e të dyja shteteve do të jenë bashkë për t’iu adresuar popullit shqiptar”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Shqipërisë shtoi se gjithashtu sot kanë rënë dakord që të publikojmë revistën e përbashkët qeveritare në fund të viti, për të parë të gjitha marrëveshjet dhe nivelin e zbatimit të tyre.

Rama pati edhe disa fjalë për ata për të cilët tha se kanë dëshirë të bëjnë komente mes raporteve të dy qeverive.

“Me qeverinë aktuale kemi shkallën më të lartë të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara,, përfshirë edhe të atyre marrëveshjeve që janë nënshkruar në ta kaluarën. Shpresoj që ky të konsiderohet një fakt e jo të shërbej si arsye për të bërë spekulime të natyrës politike, sepse unë jam i pa interesuar që të përfshihem në jetën politike të Kosovës”, tha Rama.

Rama tutje shtoi se do të ishte çudi nëse ai do të pajtohet për çdo gjë me Kurtin.

“Do të ishte çudi sikur të binim dakord me Albinin për çdo gjë, kjo do të ishte problem atëherë, fakti që nuk biem dakord për çdo gjë do të thotë që jemi në rregull”, u shpreh Rama. /Telegrafi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit