Pyetja:
A është i vërtetë transmetimi i hadithit të Aliut radijallahu anhu që flet për namazin e harresës. Nga Aliu r.a. transmetohet se i ka thënë Muhamedit a.s.: “O i Dërguar i Allahut, Kurani ikën prej gjoksit tim, assesi nuk e mbaj mend.” Muhamedi a.s. tha: “O baba i Hasanit, a dëshiron që ty t’i mesoj disa fjalë (lutje) qe prej tyre do të kesh dobi ti, do t’i mësosh dhe me atë do të mbash mend gjithçka dhe kurrë nuk do t’i harrosh?” Aliu tha: “Po, o i Dërguar i Allahut.” Muhamedi a.s. tha: “Kur të vijë nata e xhuma, para se të flesh fal katër rekate namaz. Lexo në të parin: Fatihanë dhe suren Jasin, në të dytin: Fatihanë dhe Suren Duhan, në të tretin: Fatihanë dhe suren Sexhde, dhe në të katërtin: Fatihanë dhe suren Mulk.”?
Përgjigjja:
Falenderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Transmetimin e lartpërmendur (i cili është më i gjatë se aq sa është cekur), dijetarët e kanë rradhitur në mesin e haditheve shumë të dobëta, të cilët nuk merren për argument dhe nuk lejohet veprimi me to. Këtë transmetim Imam Ibn Xheuzij e ka përmendur në librin e tij “Hadithet e shpifura”, duke thënë se ky transmetim nuk është i vërtetë. [1]
Ndërsa Imam Dhehebiu thotë se ky transmetim është munker (i refuzuar). [2] Dhe Shejh Albani thotë se ky transmetim është munker (i refuzuar). [3]
Gjithashtu dhe Shejh Ebu Is’hak El-Huvejni thotë se ky hadith është munker (i refuzuar). [4]
Kështuqë, ky transmetim nuk merret parasysh dhe nuk i takon muslimanit të punojë me të dhe ta adhurojë Allahun me një adhurim për të cilin nuk ka bazë në Kuran dhe Sunet.
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami
—————————————————————————-
[1] El-Meuduat 2/140.
[2] Mizanul I’tidal 2/213.
[3] Silsiletu Daifeh 3374.
[4] Es’iletul hadith min mexheleti teuhid.