0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024


Ukraina nisi në Siri – Nga Blerim Shala

Më të lexuarat

Krimet nuk maten. Veçmas kur bëhet fjalë për krimet e luftës dhe për krimet kundër njerëzimit.

Çfarë mund të matet është mënyra se si flitet për to, si reagohet ndaj tyre, çka bëhet që ato të ndalen, dhe që autorët e këtyre krimeve të ndëshkohen me gjyqin e drejtësisë, dhe me gjyqin e kujtesës së përhershme.

Lufta në Ukrainë, e shkaktuar nga një agresion i pashoq në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, ka shkaktuar një mobilizim të paparë në Perëndim, në të gjitha aspektet e mundshme, politike, diplomatike, ushtarake, financiare, humanitare.

Kjo luftë, mbi të gjitha, ka prekur ndërgjegjen e thuaja të gjithë politikanëve në Perëndim, të cilët në të gjitha krizat e mëparme botërore në njëzet vjetët e fundit, kanë qenë të ndarë dhe të përçarë. Për më shumë, thuaja të gjitha ngjarjet madhore politike dhe historike, duke filluar këtu nga Lufta e Amerikës në Irak (në vitin 2003), e tutje, kanë pasur rol të dorës së parë në zhvillimet e brendshme politike në të gjitha shtetet kryesore të Perëndimit, pastaj, në mëkëmbjen e Popullizmit në Evropë dhe në Amerikë, në suksesin e BREXIT-it në Britaninë e Madhe, në fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, etj.etj.

Duket që Rusia dhe Vladimir Putin kanë bërë për Perëndimin atë që nuk kanë mundur të bëjnë Presidentë dhe Kryeministra, intelektualë dhe analista të shumtë në Amerikë dhe në Evropë, të cilën kanë paralajmëruar qëmoti rënien politike dhe historike të Perëndimit.

U tha që në krye të këtij shkrimi që krimet nuk maten, dhe nuk do të duhej të mateshin, sepse para se të gjithash, diçka e tillë nuk është e moralshme. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, tek e fundit, më së paku janë statistikë. Megjithatë, ky ‘dorëshkrimi’ i luftës ruse në Ukrainë, me rrënimin e qyteteve të tëra, me bombardimin e shkollave, spitaleve, kopshteve të fëmijëve, me vrasjen e civilëve, është parë tashmë në Siri, mbase, me përmasa dhjetëfish më të mëdha se sa në Ukrainë. Për këto tmerret e Sirisë, kur janë bërë rrafsh me tokë dhjëtëra qytete të mëdha, është folur dhe shkruar dhjetëfish apo edhe qindfish më pak se sa tani për tmerrin e Ukrainës. Për më shumë, ajo dyndja e madhe e refugjatëve nga Siria për Evropën Perëndimore, në vitet 2015 dhe 2016, përmes Turqisë, Greqisë dhe Ballkanit, u keqpërdor në mënyrën më të keqe të mundshme nga Popullistët e djathtë në të gjitha anët e Evropës, për të fituar pushtetin në emër të ‘Vlerave qytetëruese të Evropës dhe të Perëndimit’, madje, në ‘mbrojtje’ të këtij Qytetërimi, i cili sipas tyre rrezikohej nga qindra mijëra refugjatë të tmerruar, pos tjerash, edhe nga bombat ruse të cilat tani po bijnë në Ukrainë, në Evropë, madje, në Perëndim, sipas vlerësimeve mbizotëruese në të gjitha kryeqendrat e Perëndimit  (për ta, Ukraina është Evropë dhe Perëndim).

Perëndimit nuk i bëhej vonë çka po ndodhë në Siri. Teksa, lufta atjepari, ka qenë  (dhe mbetet), në të vërtetë, një ‘Laborator’ luftarak, historik dhe politik, në të gjitha mënyrat e mundshme. Aty u mbars ISIS-i, aty Rusia nisi t’i tregojë dhëmbët e vet ushtarak dhe politik, aty Irani dëshmoi rolin e vet në rajon, aty dështoi SHBA-ja, me abstenimin e vet të njohur në periudhën e Presidentit Obama, aty Evropa nuk bëri gjë prej gjëje.

Siria ishte larg, Ukraina është fare pranë.

Rusia ishte në Siri. Rusia është në Ukrainë.

Po mos të kishte sukses në Siri, kur Perëndimi i tha Putinit dhe Moskës zyrtare, ‘Mund të bëni çka të doni, neve nuk na intereson fare’, nuk mund të imagjinohet dot që Putin, në shkurtin e vitit 2022, do t’ia mësynte Kijevit dhe Donbasit. Këtu mund të shtohet që Perëndimi mbeti i heshtur  (realisht), edhe kur Rusia aneksoi Krimenë, në vitin 2014.

Heshtje pas heshtje, Putin bëhej më i zëshëm dhe më i zhurmshëm, derisa mendoi që mund ta kurorizojë këtë ‘zingjirin’ e fitoreve të tij ushtarake dhe politike edhe me pushtimin e Ukrainës, dhe me isntalimin e një pushteti kukull të tij në Kijev.

Mbase, edhe për shkak të të gjitha këtyre abstenimeve të Amerikës dhe Evropës nga politika dhe historia të cilat i çelën udhë Putinit për këtë invazion të Ukrainës, reagimet në Perëndim pas 24 shkurtit, jorrallë morën trajtën paradoksale, në formë  (ta zëmë), edhe të ndalimit të interpretimet të veprave të Tchaikovskyt, kompozitorit të madh rus  (të shekullit XIX), në koncertet e ndryshme.

Tchaikovsky pa një pa dy, pa hak as pa hile, si thuhet, u bë dëm kolateral i kësaj përplasjeje të madhe të Perëndimit dhe Rusisë.

Kjo po ndodhë në po ato mese dhe ambiente qytetëruse, të cilat duartrokitën me të madhe vendimin e Komitetit të Nobelit që Peter Handke, shkrimtari austriak, ta fitojë Çmimin e Nobelit për Letërsi për vitin 2019, si u tha në atë kohë, ‘për një punë influencuese që me gjenialitetin gjuhësor ka eksploruar periferinë dhe specificitetin e eksperiencës njerëzore’.

Handke ka qenë mbrojtës i regjimit të Slobodan Miloševićit, arsyetues i të gjitha luftërave dhe krimeve të Serbisë së viteve të nëntëdhjeta, mohues i gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë, i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Kosovë.

Kush nuk ishte i gatshëm t’i dëgjojë këto fjalë të boshjakëve, shqiptarëve dhe kroatëve në atë kohë.

/klantv/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit