Autoritetet ukrainase kanë thënë të premten, 4 mars se trupat ruse kanë marrë kontrollin e centralit bërthamor, Zaporizhzhia, disa orë pas shpërthimit të zjarrit në objektet e tij. “Personeli operacional është duke vëzhguar situatën e njësiteve të energjisë”, ka thënë një autoritet lokal për mediat, raporton agjencia e lajmeve, Reuters. Personeli është duke vazhduar punën dhe duke vëzhguar situatën, ka thënë autoriteti. Një zjarr ka shpërthyer disa orë më parë në këtë central – më i madhi në Evropë – pas sulmeve ruse. Shërbimet ukrainase të emergjencës kanë thënë se kanë shuar zjarrin, i cili ka qenë jashtë kontrollit në centralin bërthamor, Zaporizhzhia në juglindje të Ukrainës. Centrali bërthamor në Zaporizhzhya prodhon më shumë se një të pestën e energjisë brenda Ukrainës. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Çështje Bërthamore ka thënë më 4 mars se ka vendosur qendrat për incidente dhe emergjenca në gatishmëri të lartë pas situatës në Zaporizhzhia. Sekretarja amerikane e Energjisë, Jennifer Granholm ka thënë në mbrëmjen e 3 marsit se nuk ka shenja fillestare për rritje të niveleve të rrezatimit në central. Kryetari i Zaporizhias, Dmytro Orlov, ka thënë se forcat ruse kanë sulmuar disa objekte në afërsi të centralit bërthamor. Ai ka thënë se qyteti nuk ka furnizime me ujë dhe rrymë. Një protokoll i Konventës së Gjenevës kufizon sulmet ushtarake në objektet bërthamore. Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka bërë një video-adresim, duke u bërë thirrje evropianëve “të zgjohen”. “Tregojuni politikanëve tuaj – forcat ruse janë duke sulmuar në centralin bërthamor të Ukrainës”. Zelenskiy ka biseduar me presidentin amerikan, Joe Biden dhe kryeministrin britanik, Boris Johnson për t’i njoftuar rreth situatës në centralin bërthamor. Shtëpia e Bardhë ka thënë se “presidenti Biden i është bashkuar presidentit Zelensky për t’i bërë thirrje Rusisë që të ndalë aktivitetet ushtarake në këtë zonë dhe t’iu ndihmojë zjarrfikësve që të kenë qasje në atë zonë”. Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë kombëtare për energji bërthamore, Energoatom, ka thënë se fillimisht zjarrfikësve nuk u është mundësuar qasja në strukturën që ka qenë duke u djegur. “Ka rreziqe të mëdha. Luftime në stacion. Reaktorët janë në rrezik”, ka thënë, Ihor Murashov në Telegram. Zyra e kryeministrit britanik, Boris Johnson ka thënë se “veprimet e pamatura të presidentit rus, Vladimir Ptutin mund të rrezikojnë sigurinë e gjithë Evropës”. Granholm ka thënë në Twitter se ka biseduar me ministrin ukrainas të Energjisë, Herman Halushchenko që reaktorët në Zaporizhzhia “të jenë të mbrojtur me struktura të forta mbrojtëse” dhe që të ndalen në mënyrë të sigurt. Në pjesën tjetër të Ukrainës, banesat e civilëve janë shkatërruar në qytetin Çerniv, pas bombardimeve në orët e para të 4 marsit. Për sulme të vazhdueshme raportohet edhe në jug të Ukrainës, ku besohet se rusët kanë marrë kontrollin e qytetit Herson, duke tentuar të fitojnë kontrollin e gjirit të Detit të Zi. Mijëra persona besohet se janë vrarë dhe më shumë se 1 milion ukrainas kanë ikur nga shteti. Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Putin, ka thënë të enjten, 3 mars, se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj. Komentet televizive të Putinit kanë qenë në kundërshtim me deklaratat e qeverive të Perëndimit dhe agjencive të inteligjencës se fushata ushtarake e Putinit po përballet me probleme logjistike, gabime taktike dhe rezistencë më të madhe sesa është pritur nga Ukraina. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
/rel/ Përgatiti: Krenare Cubolli