-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Barrierat

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Barrierat

Ai që është shtrirë sa gjërë e gjatë,  është kokra e dembelit, ai ankohet dhe e justifikon dembelizmin e vet se dyert janë të mbyllura, se asgjë nuk është si më parë, se të gjitha përpjekjet e tij kanë dështuar, se nuk ka më shpresë…
Po, mund ta kesh dëgjuar edhe vetë teksa e përsërit për të kushedi të satën herë:
Çdo zgjidhje sjell një mijë e një probleme të reja…
Gjërat po përkeqësohen gjithnjë e më shumë..
Hapat e ri prodhojnë gabime të reja…
Edhe kur buzëqesh, motoja e tij është:”Buzëqesh sot, se nesër do të jetë akoma më keq…”
Gjatë viteve të shkollës, mësuesi e sfidonte gjithmonë, ia hante hakun, e qortonte dhe kritikonte, derisa më në fund ia arriti ta demoralizojë dhe e la shkollën, ose të paktën ia nxorri qejfit saqë iu desh dyfishi i viteve të shokëve të tij, për ta përfunduar.
Në profesion, nuk gjeti që nuk gjeti një punë, edhe pse kishte vende bosh, ndërkohë që kishte merita pafund! Të gjitha rrugët ishin të mbyllura. A nuk mjaftojnë njëqind përpjekje për të treguar se është i pafat?!
Jeta e tij bashkëshortore ishte një dështim i plotë, tre martesa që përfunduan me ndarje dhe në mënyrë të çuditshme!
Nuk ke përse habitesh kur sheh që edhe investimet e tij të shkojnë bashkë me erërat, duke e rënduar me borxhe.
Me barrierat duhet të konfrontohemi si nga jashtë kur vijnë: një person që synon të të privojë, të ndjek para e mbrapa me akuza, të etiketon si dështak dhe humbës, nga dështimi i jetës bashkëshortore etj… apo nga brenda nesh, si frika, besimi i ulët tek vetja, humbja e kohës, frika nga ndryshimi. Barriera mund të shfaqet edhe në një lloj tendence drejt idealizmmit, një pengesë normale e cila ashtu siç të del ty përpara, u del dhe të tjerëve, por që të tjerët e kapërcejnë falë durimit, këmbënguljes dhe parapërgatitjes. Sakaq, ty të mbërthen dhe të gozhdon në vend, nuk ke vullnet ta kapërcesh dhe bie pre e skemave të ngritura.
Barrierat dhe pengesat janë diçka normale e kësaj jete që jetojmë.
Nëse ke arritur në një post, status, kohë, punë, arritje etj… dhe nuk je përballur me pengesa e probleme, dije se ke arritur në një rrugë të mbyllur, rezultati i të cilës është relaks e rehati, e cila në fakt nuk të motivon drejt lartësive.
Ndonjëherë, pengesat nuk janë gjë tjetër veçse iluzion i ngritur në mendjet tona për shkak të tufanit “Po sikur”? Mbetjet e tij më të pakta janë ankth i brendshëm, kaos, ngurtësi dhe paralizë totale para ndryshimit. Kur e hetojmë, nuk del asgjë në dritë përveç imazhit që kishim krijuar për veten dhe maskave që kishim vendosur, duke iu qasur problematikës nga pozicioni negativ…
Frika, nuk është gjë tjetër veçse ajo që ne e shohim si frikë, as siguria nuk është veçse ajo që ne e shohim të sigurt – thoshte një poet arab.
A nuk të bën përshtypje se një insekt si milingona, nëse ia vendos gishtin para, nuk ndalon por ndryshon drejtim në kërkim të një dalje tjetër? Ajo nuk e justifikon veten me pengesat që i dalin para, duke fajësuar dhe mallkuar ato, por sillet majtas, djathtas dhe rrotull, sikur kërkon të thotë:
Kush përleshet me pengesat gjithmonë triumfon
Përveç kur heq dorë dhe në një vend qëndron.
Si është e mundur që disa prej nesh, e përplasin kokën për murit që u qëndron para një mijë e një herë, duke mos menduar qoftë dhe një herë që të ndryshojë drejtim, aq më tepër që shanset janë të shumta?
Pengesat duhen parë si dhuratë, pasi ngacmojnë dhe stimulojnë energjitë tona të brendshme për tu konfrontuar dhe për të triumfuar. “Mos e humbni shpresën tek Zoti” (Jusuf, 87)
Duhet pasur parasysh se edhe koha është në favorin tonë, pasi koha sillet rrotull dhe ditët janë si qeveritë.
Kjo botë askujt nuk i takon
Një gjendje, përherë nuk qëndron.
Kur u pyet një kalif mbi kënaqësinë më të madhe, u përgjigj:”Të jetosh derisa të shohësh fundin e atyre që të kanë lënduar dhe privuar.”
Njeriu i mençur nuk gëzohet me të keqen e tjetrit, as nuk i mallkon njerëzit. Gjithçka që mundet të bëjë, është të shmangë të keqen e tyre, tu ruhet pusive dhe të dalë i shpëtuar nga ligësitë e tyre. E nëse është njeri i fisëm dhe i virtytshëm, ai lutet për ta dhe orvatet ti justifikojë.
Pengesat dhe barrierat, në fakt nuk janë veçse stimuj që Zoti i vendos në rrugën tonë, për të na nxitur drejt qëllimit final, për të na forcuar vullnetin, unifikuar forcat dhe forcuar dobësitë tona.
 
Përktheu: Elmaz Fida
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit