Ne dhe fëmija dy vjeçar… loja një botë gjigante…
Kur ke një fëmijë, që është në vitin e tij të dytë, duhet të dish se në fakt tanimë në shtëpinë tënde ti ke një shkencëtar të vogël, që çdo gjë që ka në shtëpi, e konsideron laborator eksperimentesh dhe gjithësinë që gjendet rreth e rrotull tij, e konsideron se vërtitet sipas dëshirave të tij; në këndvështrimin e tij fëminor, fëmija yt mendon se ai është sunduesi i gjithë botës përqark.
Nëse arrin të kuptosh çfarë vërtitet në kokën e tij dhe të sillesh me të mbi këtë bazë, do jesh kështu në hapat e parë të zhvillimit të shkencëtarit të së nesërmes dhe novatorit të ardhshëm. Zhvilloje novacionin e fëmijës tënd sot, që nesër të jesh krenar me të; kuptoje fëmijën tënd duke mos i kërkuar atij të të kuptojë.
Loja ka rregulla
Fëmija im hyn në zyrë dhe i hedh tutje të gjitha gjërat me vlerë të gjendura në të.. E ëma i thotë: “Ti je një fëmijë budalla, përderisa bën një gjë të tillë!”
Fakti është, se fëmija nuk mendon në këtë mënyrë, përkundrazi këtë që bëri, ai e konsideron një zbulim të ri të tijin. Ai i hedh gjërat nisur nga fakti, se kur ato bien, lëshojnë zëra specifikë dhe kryejnë lëvizje specifike, gjë që për të përbën një kërshëri të madhe; kurse përsa i përket të dëmtuarit të sendeve, një gjë e tillë as që është objektiv i fëmijës.
Sado t’ia përsërisim urdhrat dhe fjalët tona fëmijës, ai nuk do na përgjigjet, sepse ai nuk heton ndonjë kuptim për shprehjen “mos e bëj”, madje fëmija e përsërit atë që ne e konsiderojmë gabim, duke synuar në fakt përsëritjen e zbulimit apo eksperimentimit të tij, i thyen rregullat sepse ai nuk është i vetëdijshëm për ekzistencën e tyre.
Ajo që kërkohet prej nesh, është ta joshim atë me diçka tjetër tërheqëse për të, që e zhvillon novacionin e tij dhe i ngop nevojat e tij zbuluese; kjo është loja.. fjala magjepsëse që josh çdo fëmijë.
Loja mund të jetë një gjë pa qëllim në vetvete, por mund të jetë një mjet shumë i rëndësishëm për zhvillimin e fëmijës; e rëndësishme është të dish sesi të zgjedhësh lojëra, që bëjnë për këtë moshë..
Lojëra që bëjnë për një fëmijë dy vjeçar janë ato lojëra, që mund të çmontohen dhe që mund t’i ngopin kërshëritë e fëmijës, që lahen dhe që janë të vështira për tu thyer. Gjithashtu është e rëndësishme, që ato të mos jenë të shtrenjta, pasi fëmija do t’i thyejë ato, nisur nga dëshira e tij për të mësuar se çfarë fshihet brenda tyre; t’i sjellësh fëmijës dhjetë lojëra të lira është më mirë, se t’i sjellësh një lojë të shtrenjtë, sepse fëmija në këtë moshë, as që e kupton shtrenjtësinë e lojës.
Në këtë moshë.. kujto:
Loz me fëmijën tënd sot, që nesër të bëhet novator dhe kreativ..
Loz me fëmijën tënd me lojërat e tij të preferuara dhe përkushtoji atij kohë nga koha jote, pasi një gjë e tillë është një investim shumë i rëndësishëm për ty si prind.
Gjenden disa lojëra, që mund t’i lozësh me fëmijën tënd, për shembull:
– Loja e flluskave: luaje këtë lojë me të në një formë të tillë, që fëmijën ta bësh t’i kapë flluskat dhe t’i plasë në dorën e tij, gjë që i mëson atij se çdo veprim e bën një efekt.
– Loja e kukullave që flasin: silli kukulla të tilla dhe kurdisi, në mënyrë që fëmijës t’i shkojë zëri i tyre, pasi fëmija e konsideron realitet gjithçka që e rrethon.
– Bisedo me të: fëmija në këtë moshë do që të trajtohet si i rritur, foli atij thjeshtësisht dhe përkushtoji kohë, që të ndjejë se ti interesohesh për të.
– Shfrytëzoje pasionin e tij fëminor për të imituar: kryej në sytë e tij lëvizje të thjeshta dhe kërkoi të të imitojë; aftësia për të të imituar do t’i japë atij hare.
– Loja me top: dil me të në ndonjë park a lulishte dhe bëje atë të luaj top dhe ta godasë topin, sepse kështu do e ndihmosh, që të zhvillojë aftësitë e tij lëvizëse.
Gjenden sa e sa lojëra të cilat mund t’i lozësh me fëmijën tënd..
Edhe ti vetë je i ftuar të shpikësh dhe ideosh lojëra të dobishme për fëmijën tënd, pasi fëmija yt është vërtetë i meritueshëm që t’i përkushtosh prej kohës tënde.
Në përfundim të kësaj fjale mbi fëmijën në vitin e dytë të jetës së tij, mos harro se fëmija yt është investimi më i rëndësishëm i jetës tënde.
…