3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Gjashtë hapa për të përmirësuar të folurin tek fëmija yt.

Më të lexuarat

Gjashtë hapa për të përmirësuar të folurin tek fëmija yt.

Çelësa edukativë, edukim i suksesshëm, problematika të hidhura dhe gabimet e përhapura të edukatorëve.
Pyetje: Paqja e Allahut qoftë mbi ju!
Nisur nga besimi i madh që kam tek Allahu dhe pastaj tek ju, më intereson përgjigjja juaj…
Kam një fëmijë, i cili ka mbushur pesë vjeç. Ai është fëmijë i vetëm dhe ende nuk ka folur. Më parë, kur i kërkohej, i emërtonte sendet, ndërsa tani refuzon dhe shpreh bezdinë e tij, kur i drejtohen pyetja të tilla. Pyetjes nuk i përgjigjet dhe nganjëherë mjaftohet duke ia hedhur sytë pyetësit dhe vetëm duke i buzëqeshur atij, pa dhënë asnjë përgjigje.
Fëmija është shumë i llastuar. Dy prindërit e tij e kanë llastuar atë tepër dhe në familjen e babait dhe nënës së tij vonesa në të folur ka qenë shumë e pranishme. Për shembull i ati i fëmijës ka filluar të flasë mirë, vetëm pasi ka mbushur shtatë vjeç dhe po kështu ka ndodhur edhe me disa prej xhaxhallarëve të tij.
Fëmija nuk është në kontakt me fëmijë të tjerë dhe kjo për faktin se e ëma nuk del nga shtëpia,  përveç rasteve të rralla. Arsyeja tjetër është, se në familje nuk ka fëmijë të tjerë. Ai dëgjon shumë mirë dhe e njëjta gjë mund të thuhet për zhvillimin e tij të dukshëm. Gjumi i tij është i mirë dhe ushqimi i larmishëm. Ai kërkon ndihmën e të tjerëve dhe disa prej nevojave të tij i kryen vetë. Ambientohet me ndryshimet, buzëqeshet i pari me ty dhe kur i buzëqesh i pari, ai ta kthen buzëqeshjen. Është shumë i dhënë pas risive. Ulet shpesh të hajë vaktin e tij dhe këtë e bën sidomos kur është i pranishëm dikush tjetër veç dy prindërve të tij.
Ai nuk refuzon ta puthësh, madje shpesh ai të puth dhe të përqafon i pari. I hapën duart e veta duke të kërkuar ta mbash në shpinë, i percepton rreziqet, u përgjigjet disa direktivave dhe ndalesave, në të shumtat e rasteve i përgjigjet thirrjeve që i drejtohen, gëzohet pa masë me ardhjen për vizitë të të afërmve dhe kur ata ikin, ai mërzitet dhe e refuzon largimin e tyre, duke i tërhequr të afërmit nga krahu që ata të mos ikin. Të afërmve që na vijnë për vizitë, ai u kërkon të lozin me të, ka dëshirë të bjerë në sy të të tjerëve, është kureshtar dhe të shikon me vëmendje në çdo punë që ti bën.
E ndjen rrezikun dhe i mbrohet atij, ka aftësi ta kapë ecurinë e veprimeve, sikurse përgatitjen për gjumë, për të ngrënë, për të dalë; të cilave u përgjigjet me gatishmëri, apo ta hedhë topin dhe pret që t’ia hedhësh mbrapsht. Më parë ai lozte me disa lodra, me të cilat tani refuzon të lozë. Për momentin, nga lodrat preferon djepin dhe disa lodra të tjera. Disa herë bën me shenjë drejt sendit që synon ta ketë dhe disa herë të kërkon, që ti ta vendosësh dorën mbi sendin që ai dëshiron.
Ecën mbi majat e gishtave, por lëvizja e tij është harmonike. Ai ka ecur këmba-doras dhe më pas normal pikërisht në moshën e duhur. Në makinë ulet dhe qëndron ashtu siç duhet dhe nëse qëndron ulur për një kohë të gjatë, atëherë bën me shenjë me kokën e tij majtas-djathtas, për të shprehur refuzimin e tij kundrejt një gjëje të caktuar, i tregon vendet ku ndjen dhimbje, e shfaq llastimin fëmijëror në prezencë të disa prej të afërmve, ndonjëherë fle barkas, nxjerr zëra grykor, i pëlqen të dëgjojë këngë fetare, në disa raste shfaqen tek ai shenja ndrojtje, gëzon një ndjesi të shkëlqyer të vapës dhe të ftohtit, kur i flet për diçka, ai e pret me endje përmbushjen e saj, duke arritur ta hetojë lehtësisht seriozitetin për kryerjen e saj. Gjithashtu ai është i aftë të vështrojë në mënyrë konstante edhe pse ndodh që disa herë të shikojë lart.
Kur i kërkon të ta japë dorën për ta takuar, ai e jep dorën, shpik disa herë lodra dhe i kërkon të ëmës, ose kujtdo prej dajallarëve të tij, që të lozin me të. Disa herë, kur i refuzojmë disa prej kërkesave të tij, ai nuk flet. Fillimisht, siç e përmenda më herët, gjërat i thërriste me emrat e tyre përkatës, kur i kërkohej një gjë e tillë, ndërsa tani refuzon dhe kur i bëhet ndonjë pyetje në këtë kontekst, e shpreh ngushtimin e tij duke mos u përgjigjur dhe disa herë mjaftohet vetëm duke i hedhur vështrimin ose duke i buzëqeshur pyetësit. Po kështu nëse nuk e gjen të ëmën, vihet në kërkim  të saj, disa herë e shfaq pakënaqësinë e tij gjatë mungesës së saj dhe disa herë të tjera nuk pyet, disa herë e shfaq gëzimin e tij për ardhjen e të atit nga jashtë shtëpisë dhe disa herë nuk pyet.
Nuk do harroja të përmendja, se fëmija ka qenë nën trysninë e rreptë që dy prindërit e tij i bënin fëmijës që të fliste, kur ai ishte në moshën dy deri tre vjeçare. Gjithashtu nuk ua fsheh faktin, se shpeshherë fëmija ka qenë i pranishëm, kur dy prindërit e tij janë grindur, edhe pse ata të dy e duan njëri-tjetrin, por dihet se konfliktet janë ligj i jetës dhe ndër të tjera kanë ndodhur edhe si pasojë e ndrydhjes sonë shpirtërore prej mbajtjes së mendjes tek gjendja në fjalë e fëmijës sonë.
Ndodhte që fëmija të kundërshtonte për të shkuar tek berberi, por më pas ai bënte kthesë, madje tani ai i buzëqesh berberit dhe loz me të. Sigurisht që unë i kam bërë atij një grafi për veshin dhe rezultati doli shumë pozitiv. Fëmija loz me veten e tij gjatë gjendjes se shikimit të vetes së tij në pasqyrë, pëlqen ta imitojë të atin e vet gjatë nisjes së makinës, sigurisht brenda makinës kur e gjen bosh vendin e shoferit, si dhe është i aftë të kryejë disa gjëra që kërkojnë përpikëri, sikurse futjen e gypit në kutinë e lëngut të frutave.
Më falni për zgjatjen dhe e lus Allahun t’ju shpërblejë më së miri.
Përgjigjet ekspertja: Fatime Ali Abdul Meksudi
Zgjidhja:
Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin edhe mbi ju…
Vëlla i nderuar… Allahu ta stabilizoftë shpirtin në çështjen e djalit tënd dhe e furnizoftë atë me ëmbëlsinë e intelektit dhe përsosmërinë e të folurit.
Problemi i djalit tënd të dashur është vonesa e të folurit, teksa ai tanimë ka arritur moshën pesë vjeçare, fakt që e cekje në thënien tënde: “Më parë kur i kërkohej, i emërtonte sendet, ndërsa tani refuzon dhe shpreh bezdinë e tij, kur i drejtohet ndonjë pyetje në këtë kontekst. Pyetjes nuk i përgjigjet dhe nganjëherë mjaftohet duke ia hedhur sytë pyetësit dhe vetëm duke i buzëqeshur atij, pa dhënë asnjë përgjigje”. Nga këtu kuptojmë, se ai faktikisht ka folur, por ai është bezdisur nga insistimi juaj që ai të përgjigjet mbi emërtimet e sendeve, gjë prej të cilës ai ndihet i ngushtuar dhe e shfaq sikletin e tij duke mos u përgjigjur. Ashtu siç e përmendje edhe ti, trysnia e ushtruar nga dy prindërit mbi të, që ai të fliste që në moshën e tij të hershme tre vjeçare, ka shumë mundësi të jetë shoqëruar me metodën e krahasimit të tij me fëmijë të moshës së tij, me kritikë ose kërcënim, apo me ndonjë metodë tjetër që ka ndikuar në humbjen e vetëbesimit dhe sigurisë shpirtërore tek ai.
Kësaj duhet t’i shtohet fakti, se ai është një fëmijë i llastuar, pra atij i përmbushen që të gjitha dëshirat e tij, edhe pse ju nuk pajtoheni me të në disa veprime që ai bën, por duke qenë se ai këmbëngul dhe ushtron një trysni të vazhdueshme mbi ju, në fund (ashtu siç thoshit) atij i përmbushet dëshira; teksa dihet se rezultati normal i përkëdheljes është mbështetja totale tek njerëzit përreth.
Disa nga shkaqet e vonimit të të folurit:
Por vëlla i nderuar, pyetja që shtrohet këtu është, se cilat janë shkaqet që çojnë në përgjithësi tek vonimi në të folur ose destabilizimi i të folurit tek fëmijët, që më pas të njihemi me shkaqet specifike të fëmijës sonë të shtrenjtë dhe përmes tyre të arrijmë tek zgjidhja, që me lejen e Allahut do e ndihmojë atë të flasë:
1. Faktorët e trashëguar: të cilat, siç e përmendje edhe vetë, gjenden tek fëmija yt, duke qenë se i ati i fëmijës ka qenë i vonuar në të folur deri në moshën e tij shtatë vjeçare.
2. Faktorët fiziologjikë apo truporë: ju e keni kryer testin mjekësor tek mjeku, që ju ka vërtetuar, se fëmija nuk ka asnjë problem me dëgjimin.
3. Faktorët ambiental: sikurse zhvillimi i vonuar fiziologjik i fëmijës, gjë që nuk është evidente tek fëmija juaj, pasi ju ceknit se ai nuk ka zhvillim të vonuar. Tek këta faktor hyjnë edhe dembelizmi dhe mbështetja apo bazimi tek të tjerët, gjë që është evidente tek fëmija juaj i shtrenjtë. Kjo ndodh për shkak të përkëdheljes së tij të tepruar, që e ka bërë atë të ketë një personalitet tepër të varur tek ju. Po kështu nga faktorët ambientalë janë problemet familjare dhe konfliktet apo zënkat e shumta midis dy prindërve, që kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin shpirtëror të fëmijës, gjë që gjithashtu është evidente në rastin e fëmijës tuaj, duke qenë se ka pasur zënka midis dy bashkëshortëve dhe ka munguar aftësia për ta përmbajtur veten para fëmijës.
4. Faktorët shpirtërorë apo psikologjikë: ku më të rëndësishmit janë depresioni i tepërt i dy prindërve si pasojë e paaftësisë së fëmijës për të folur, gjë që është shfaqur tek ju në ngutjen dhe trysninë tuaj që i keni bërë fëmijës për të folur, teksa ai ka qenë në moshën tre vjeçare; duke shkaktuar kështu tek fëmija depresion, stres dhe trysni shpirtërore.
Hapa kurues:
Gjenden disa hapa, përmes të cilave, me lejen e Allahut, mund të praktikosh përmirësimin e të folurit dhe nxjerrjes së fjalëve, sa i përket fëmijës tënd të shtrenjtë. Prej këtyre hapave përmendim:
1. Evitimi i depresionit dhe frikës së prindërve, prej vonimit të djalit në të folur: një gjë që ju ndihmon në lidhje me këtë, është fakti se kjo frikë dhe ky depresion vetëm sa do e përkeqësojnë edhe më shumë çështjen dhe kurrsesi nuk ka për ta zgjidhur atë, pasi kjo ndjesi shndërrohet në sjellje që bartin shqetësim dhe stres, të cilat ju më pas do i ushtroni me fëmijën tuaj. Kjo gjë do e bëjë edhe atë të ndihet i stresuar dhe tensionuar. Kurimi i fëmijës tuaj ka nevojë për durim dhe mbështetje tek Allahu. Gjithashtu dhet të përdorni të gjitha shkaqet përkrahëse, prej të cilave përmendim largimin prej të gjitha metodave joedukative siç janë: kritika, kërcënimi, etiketimi i fëmijës me cilësi negative, si dhe krahasimi i tij me moshatarët e tij.
Pas mbështetjes tek Allahu, ajo çfarë e shton qetësinë tonë, është se një porcion i madh i problemit duket të jetë tek faktori trashëgimor, duke qenë se shumë prej anëtarëve të familjes kanë pasur probleme me vonesën e të folur deri në moshën shtatë vjeçare. Kësisoj, dy prindërit duhet ta mësojnë atë, që të mbështetet tek vetvetja, duke e aktivizuar atë në disa prej aktiviteteve të tij ditore dhe këtë duhet ta bëjnë qetësisht, pa u nxehur dhe nevrikosur.
2. Përdorimi i këngëve që i pëlqejnë fëmijës, i kërshërive dhe lodrave me kukulla. Kjo duhet bërë duke vendosur periudha të dedikuara ditore, në të cilat nëna dhe babai duhet t’i kushtojnë kohë fëmijës dhe të marrin pjesë në lojërat e tij, si dhe të stimulojnë tek ai dëshirën për të folur bashkërisht, por këtë të mos e bëjnë duke i kërkuar që të flasë, por ta bëjnë fillimisht në mënyra indirekte, si për shembull, babai nga prapa perdes, të bëj rolin e luanit, pra të imitojë me zë të lartë dhe argëtues luanin, apo edhe zëra të tjerë kafshësh dhe nga pas perdes t’i sfidojë nënën dhe fëmijën e tij duke thënë: A ka ndonjë që e ka zërin më të mirë dhe më të lartë se unë? Le të vijë të ma kallëzojë zërin e tij! Po kështu duhet të veprojë, duke imituar edhe zërat e kafshëve të tjera, normalisht jo në një ditë të vetme, por për çdo ditë të imitojë një zë ose dy zëra dhe këtë ta bëjë në një mënyrë sa më tërheqëse dhe pa ushtruar trysni mbi fëmijën. Po kështu mund të zhvillohen disa lojëra, që bazohen në figura të vizatuara, ku loja midis jush mund të zhvillohet në formë konkursi, duke u shpërndarë në fillim kartona të kafshëve të ndryshme dhe në vijimësi të lojës gjithsecilit prej jush i vjen radha për të imituar zërin e një kafshe.
Pra të luhen një sërë lojërash, që e ndihmojnë fëmijën të nxjerrë zë në një mënyrë të natyrshme dhe pa u shtypur. Gjithashtu kjo përfshirje në lojërat e tij, do ta bëjë djalin ta ndjejë ngrohtësinë dhe sigurinë familjare, që janë dy gjëra shumë të domosdoshme për të. Prej gjërave të dobishme në këtë kontekst, është edhe të kënduarit me zë të lartë, duke dëgjuar kasetat ose kompjuterin, kërcimi me fëmijën duke e kapur atë për dore dhe brohoritur me të disa refrene, gjë që mund të bëhet edhe duke vrapuar me të, etj.
3. Moslënia e fëmijës vetëm para kompjuterit apo televizorit as edhe për një kohë të shkurtër të periudhës së ardhme, derisa ai të arrijë të mbështetet tek vetvetja në të folur. Nëse ai do shfaqë dëshirën për të shikuar televizor, atëherë duhet se s’bën që në shoqërinë e tij të ulet edhe dikush nga dy prindërit, me qëllim që ta joshë të flasë. Kjo sjellje duhet të jetë e vazhdueshme, edhe nëse ai fillimisht nuk i përgjigjet këtij stimulimi, pasi gjërat do të përmirësohen shumë me kalimin e kohës, me ndjesinë e fëmijës se atij po i kushtohet vëmendje dhe me bisedën në mënyrë indirekte para tij mbi veprimet që bëjnë personazhin e filmave vizatimor, për shembull duke thënë: “Çfarë po bën kështu kjo macja?!”, por duke mos e pyetur dhe duke mos i drejtuar atij pyetje direkte, por duke bërë sikur ju po pyesni televizorin… e kështu me radhë.
4. Mësimi i përshkallëzuar i fëmijës që të mbështetet në vetvete në disa prej çështje, që i takojnë atij dhe disa prej gjërave të tij ditore, për shembull në lidhjen e lidhëseve të këpucëve, ngrënie, sjelljen e gotës së ujit dhe të tjera gjëra, për të cilat deri më tani ai mbështetet tek njerëzit që ka përreth. Kësisoj, kur ai të kërkojë gotën e ujit, nëna t’i thotë se është e zënë dhe t’i thotë se gotën e ke në filan vend, duke e lënë atë të kujdeset vetë për veten.
Nëse ai bën ndonjë gabim, mos e kritiko dhe as mos e përzë, por vendose atë para përgjegjësisë së mbajtjes së pasojave të gabimeve të tij, pasi ajo që ne duam të bëjmë është që ai të fitojë besim në vetvete dhe të bindet se ai është i aftë të bëjë çdo gjë. Duhet ta nxisim atë për këtë gjë, duke i thënë se ai është i madh dhe mund ta bëjë atë që i kërkohet, pa pasur nevojë për asnjë ndihmë.
Kështu duhet të veprohet në të gjitha veprimet e tij të thjeshta ditore, përmes të cilave tek ai do arrijë mesazhi i fshehtë, se ju si prind keni besim tek ai dhe se ai është i aftë që t’i bëjë vetë gjërat e veta. Me kalimin e kohës ai do arrijë të flasë disa fjalë pa pasur ndrojtje prej njerëzve që e rrethojnë. Metoda e nxitjes dhe stimulimit të pandërprerë do ju ndihmojë në lidhje me këtë.
5. Vendosja e kritereve dhe kufijve për fëmijën: sepse fëmija që jeton pa kufij, rregulla dhe kritere, shfaq shenja depresioni dhe destabilizimi. Kjo ndodh sidomos kur fëmija është i vetëm, kur atij i përgjigjemi në të gjitha dëshirat dhe kërkesat e tij, kur tregohet gjithmonë tolerancë me të dhe kur ai lihet të bëjë si do pa asnjë komandë, kriter apo udhëzim. Prej gjërave që ndihmojnë në ushtrimin e kufijve në shtëpi janë:
– Shpërblimi i tij kur angazhohet me rregullat e vendosura, përmes lavdërimit, mburrjes dhe përmendjes së të mirave të tij. S’ka problem nëse jepen disa shpërblime materiale dhe morale të vogla, si për shembull të shoqërohet në një shëtitje, vizitë ose lojë, për një kohë më të gjatë sesa koha bazë.
– Zakonet e mira; prej të cilave përmendim: ta mësosh djalin tënd të dashur të flejë dhe ta hajë me familjen me orar, të lozë me orar, ta bëjë gjimnastikën me orar, të shkojë në kopsht me orar, si dhe ta bëjë me orar çdo aktivitet ditor të përsëritur; sepse zakone të tilla si këto e programojnë automatikisht fëmijën mbi atë që dëshirojmë prej tij.
– Të bartë pasojat në lidhje me përgjegjësitë e tij personale: të ngarkohet ta sistemojë dhomën që ka bërë rrëmujë apo ta pastrojë vendin që ka bërë pis… Këto metoda i mësojnë fëmijës të mbajë përgjegjësi për sjelljen e tij.
6. Të regjistrohet në kopsht, por kjo duhet të bëhet në përputhje me disa kushte dhe atribute të caktuara, si për shembull: këto kopshte të bazohen në aktivitete dhe jo vetëm në mësimin përmes të shkruarit. Gjithashtu duhet që edukatoret të informohen mbi gjendjen e fëmijës, pra mbi faktin se ai është i vonuar në të folur, me qëllim që ta ndihmojnë atë në riaftësimin e të folurit. Nëse nuk e gjejmë një mundësi të tillë, atëherë na duhet medoemos, që ta rrethojmë fëmijën me një atmosferë dhe ambient shoqëror fëmijëror, nënkuptojmë me komshinj që kanë fëmijë, duke i vizituar shpesh ata, ose me shokë, ose duke e anëtarësuar fëmijën në ndonjë klub sportiv, që të aktivizohet përbri fëmijëve të tjerë në mësimin e disa sporteve, duke i theksuar mësuesit ose trajnerit gjendjen e fëmijës sonë, pa u vënë fare në siklet.
7. Mbështetja tek Allahu, pas praktikimit të këtyre hapave dhe fitimit të vetëbesimit nga ana e fëmijës, si dhe pasi atij t’i jenë ofruar specifika të karakterit bisedimor. Një gjë e tillë do të ndihmojë që në ditët që do vijnë, të bëhet e mundur vendosja një programi për fëmijën, në të cilin do ketë disa evenimente, që me lejen e Allahut, do e ndihmojnë fëmijën tuaj të shtrenjtë në çështjen e të folurit.
Do të na kënaqte shumë fakti, që të ishim në korrent me të rejat e djalit tuaj të shtrenjtë.
Lus Allahun, që t’i lumturojë ditët tuaja dhe t’ju furnizojë me mirësi dhe begati.

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit