Allahu i Lartësuar na e ka qartësuar në Librin e Tij (Kuranin), se jeta e kësaj bote është një kënaqësi e përkohshme dhe një përjetim mashtrues.
“Dijeni se jeta e kësaj bote është veçse lojë, kalim kohe në argëtim, stoli e krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve. Ajo i ngjan atij shiut, prej të cilit bima i habit bujqit, por pastaj ajo thahet dhe e sheh të verdhë, mandej përthyhet dhe kalbet. Ndërsa në botën tjetër ka dënim të rëndë, por edhe falje gjynahesh dhe dhurim kënaqësie nga Allahu. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim mashtrues.” (El-Hadid, 20)
Ebi Hurejra -Allahu qoftë i kënaqur prej tij!- thotë: Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Dynjaja është burg për besimtarin dhe xhenet për jobesimtarin.” (Muslimi)
Profeti ﷺ ka thënë: “Kjo botë është e mallkuar, kjo botë është e mallkuar përveç përmendjes së Allahut dhe kush e lartëson Atë, dijetari dhe i dituri.”
(Termidhiu thotë ky është hadith i mirë)
Ja kjo është e vërteta e dynjasë të cilën e kërkojnë dhe e përqafojnë shumë prej njerëzve, siç e ka cilësuar i Dërguari i Allahut ﷺ.
Ka largësi të madhe ndërmjet këtyre dhe atyre që e njohën të vërtetën e saj, prandaj ata iu afruan ahiretit, e kërkuan atë dhe punuan për të, sepse nuk barazohen këta dy grupe tek Allahu asnjëherë.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Kur të gjithë njerëzit do të tubohen, disa në Xhenet e disa në Xhehenem.”(Esh-Shura, 7)
Allahu i Madhëruar thotë:
“Nuk janë, kurrsesi, njëlloj i verbëri dhe ai që sheh, as errësira dhe drita, as freskia (e hijes) dhe vapa. Po kështu nuk janë të barabartë të gjallët dhe të vdekurit.”(El-Fatir, 19-22)
Vërtet i sprovuari me dynjanë jetoi në të i verbër.
“Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.” (El-Haxh, 46)
Dhe ai në ahiret është më i verbuar dhe më i humbur!!
/Burimi Jetës/