Nga hoxhë Sokol Kondakçiu
Besimi është fuqi mbrojtëse nga poshtërsitë dhe shtytës drejt vlerave fisnike, andaj edhe kur Allahu i Madhërishëm i thërret robërit e Vet në atë që është produktive, ose kur i largon nga gjërat destruktive, këtë e paraqet si kërkesë të imanit të qëndrueshëm në zemrat e tyre. Ai shpesh në Librin e Tij thotë: “O ju të cilët keni besuar”, pastaj e përmend obligimin me të cilin i detyron, si p.sh.:“… Ta keni në kujdes Allahun dhe të jeni me ata të drejtit.” (Teube: 119)
Pejgamberi i Allahut ka sqaruar qartë se besimi i fortë pa dyshim prodhon karakter të fortë dhe serënia rapide e moralit përfundimin e ka në dobësimin e besimit, në bazë të madhësisë së të keqesapo dobësisë së saj. Lidhur me njeriun e pandër-gjegjshëm me sjellje brutale, i cili bën punë tëndyta pa u brengosur prej askujt, Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Turpi dhe besimi janë të dyja të përbashkëta, nëse njëra humbet, humbet edhe tjetra.” Hakimi dhe Taberaniu.
Po ashtu për njeriun, që shqetëson fqinjët e vet dhe i dëmton feja ka qëndrim të ashpër, dhe për të Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Për Allahun, nuk beson, për Allahun, nuk beson, për Allahun, nuk beson!” – I thanë: “Kush, o Pejgamber i Allahut?” Tha: “Ai, nga të këqijat e të cilit nuk janë të sigurtë fqinjtë e vet!” Buhariu.
Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] kur i mëson ithtarët e vet që t’u shmangen punëve të kota, fjalëve të pamatura dhe të pavend thotë:
“Kush i beson Allahut dhe Ditës së Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë.” Buhariu. Kështu vazhdon në mbjelljen e vlerave dhe mbikëqyrjen e tyre, derisa t’i japin frytet e veta duke u bazuar në sinqeritetin dhe përsosmërinë e besimit. Mirëpo, duhet ditur se disa pjesëtarë të fesë e shohin si të lehtë kryerjen e ritualeve fetare obligative; ata para masës tregohen se janë aq të përpiktë në kryerjen e tyre, por njëkohësisht bëjnë vepra të cilat, i injoron karakteri fisnik dhe besimi i vërtetë. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi vesel-lem] iu kërcënua atyre njerëzve të dyfishtë dhe ua tërhoqi vërejtjen umetit për ta. Për atë se imitimin e formës së ritualeve fetare mund ta bëjë ai, i cili nuk e ka absorbuar shpirtin e tyre apo nuk është ngritur në nivelin e tyre. Ndoshta edhe fëmija i vogël mund t’i imitojë veprimet e namazit dhe përsërit fjalët që thuhen në të. Ndoshta edhe një artist mund të ekspozojë nënshtrimin dhe të aktrojë ceremonitë më të rëndësishme, mirëpo as kjo e as ajo e para nuk i ndihmojnë me asgjë besimit të shëndoshë dhe qëllimit fisnik. Gjykimi për shkallën e të mirës dhe shkëlqyeshmërinë e sjelljes i takon një peshoje, e cila asnjëherë nuk gabon, e ajo është: karakteri i lartë. Në këtë kontekst transmetohet, se një njeri i ka thënë Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem]:
“Filania përmend se shumë falet, agjëron dhe jep lëmoshë, mirëpo ajo i dëmton me fjalë fqinjtë e saj.” Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] tha:
“Ajo është në zjarr.” Pastaj njeriu tha: “O Pejgamber i Allahut, filania përmend se pak falet, agjëron dhe se jep lëmoshë disa copa djathi, por nuk i dëmton fqinjët e saj.” Ai tha: “Ajo është në Xhenet.” Ahmedi. Në këtë përgjigje çmohet vlera e karakterit të lartë, e po ashtu ngrihet lart lëmosha si ritual me karakter shoqëror, dobia e së cilës transferohet te të tjerët, andaj edhe nuk është kushtëzuar pakësimi i saj siç është kushtëzuar pakësimi i namazit dhe agjërimit, të cilat nga aspekti ezoterik janë rituale personale. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] nuk u ndal vetëm me përgjigjen e kësaj pyetjeje në ndriçimin e lidhshmërisë së karakterit me besimin e vërtetë, dhe adhurimin e sinqertë, por atë e bëri bazë të begatimit në këtë botë dhe të shpëtimit në botën tjetër.
Çështja e karakterit është më e ndërlikuar se kjo dhe patjetër duhet të ketë udhëzim të vazhdueshëm dhe këshilla të njëpasnjëshme, që të thellohet në zemra dhe ide, dhe se besimi, mirëqenia dhe morali janë elemente unike të pandara, dhe asgjë nuk mund ta copëtojë litarin e tyre. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] një ditë i pyeti shokët e vet:
“A e dini cili është i falimentuar?” Thanë: “Te ne, i falimentuar është ai i cili nuk ka para dhe pasuri.” (Pejgamberi) Tha:“Njeri i falimentuar prej umetit tim është ai, i cili në Ditën e Gjykimit do të vijë me namaz, zekat dhe agjërim, por dikë e ka sharë, për dikë ka shpifur, dikujt ia ka rrëmbyer pasurinë, dikë e ka vrarë e dikë e ka goditur, dhe çdonjërit prej tyre do t’i japë prej të mirave të veta, e nëse i harxhohen të mirat, para se t’i paguajë borxhet, merren prej mëkateve të tyre e i hidhen atij, e pastaj ai hidhet në zjarr.” Muslimi.
Ky pra është i falimentuari. Sikur tregtari i cili në dyqanin e tij ka artikuj në vlerë prej një mijë e ndërkaq ka borxhe, vlera e të cilave është dy mijë; atëherë si mund të konsiderohet pasanik ky i ngrati? Po ashtu, edhe njeriu i cili i kryen disa rituale fetare, por përsëri pas tyre mbetet i gatshëm për të keq, fytyrë mërrolur e i i gatshëm për armiqësi, si mund të konsiderohet i devotshëm? Transmetohet se Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] për këto situata ka përmendur një shembull mjaft të përshtatshëm, edhe atë duke thënë: “Morali i vyeshëm i shkrin mëkatet siç e shkrin uji borën, ndërkaq morali i prishur i deformon veprat ashtu siç e prish uthulla mjaltin.” Bejhekiu.
Prandaj, kur zhvillohen ndytësirat në shpirt, përhapet e keqja e tyre dhe shtresohet rreziku i tyre, njeriu del prej fesë së vet, ashtu siç del lakuriqi prej rrobave të veta, e me këtë pretendimi i tij për besim është trillim, sepse çfarë vlere ka feja pa moral? Dhe ç’do të thotë plangprishësia krahas thirrjes sate se i takon Allahut?
Duke i konfirmuar këto parime të qarta të lidhshmërisë së besimit me karakterin e drejtë, Pejgamberi i ndershëm thotë: “Personi tek i cili gjenden tri gjëra është munafik (hipokrit), edhe nëse agjëron, falet dhe e kryen haxhin e umren, dhe thotë: ‘Unë jam musliman’. Ato janë: kur flet, rren, kur premton, mashtron, dhe kur i besohet diçka, tradhton.” Muslimi. Sipas një versioni tjetër thotë: “Shenjat e munafikut (hipokritit) janë tre: kur flet rren, kur premton e then premtimin dhe kur të jep besë tradhton, edhe pse falet, agjëron dhe kujton se është musliman.” Po ashtu thotë:“Personi tek i cili gjenden katër veti është munafik i plotë, kurse personi tek i cili gjendet një prej atyre vetive, tek ai gjendet një shenjë e hipokrizisë, derisa ta lërë atë: Kur i besohet diçka tradhton, kur flet gënjen, kur ia jep besën dikujt nuk e mban dhe kur armiqësohet me dikë I tejkalon caqet.” Buhariu.
Botuar ne Kibla