9.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Psikologjia e torturës

Më të lexuarat

Nga: Dr. Muhamed El-mehdij

Psikologjia e torturës

Tortura është akt që nuk njihet tek qeniet e tjera, madje as tek kafshët grabitqare dhe të egra. Nëse bishat e egra luftojnë me njëra-tjetrën, këtë e bëjnë për hir të ushqimit, ose në mbrojtje të femrës dhe të vegjëlve të tyre. Egërsirat e ndërpresin dyluftimin nëse u garantohet ushqimi dhe siguria e familjes. Ushtrimi i torturës dhe të kënaqurit me të nuk njihet tek kafshët e egra, ashtu siç njihet tek qeniet humane.
Prandaj themi që tortura është një produkt njerëzor, të cilën e ushtrojnë një shtresë e caktuar që vuajnë nga çrregullime të personalitetit. Ajo i aftëson ata ti kapërcejnë  kufijtë e njohur të dhembshurisë, keqardhjes, drejtësisë, respektit, shenjtërisë së jetës dhe dinjitetit njerëzor. Njeriu, është një qenie e veçantë. Aq sa meriton nderimin, lartësimin dhe dinjitetin, teksa ngjit majën e udhës hyjnore, po aq zbret poshtë teksa joshet dhe jepet pas instinkteve, të cilat e zhysin në thellësitë skllavërisë, të cilat nuk njihen dhe as nuk arrihen nga krijesat e tjera.
Sipas Psikoanalisteve njeriu ka dy instikte te forta,” eros ose libido “ (instikti i jetes, etja, uria, nevojat seksuale etj.) dhe “thanatos” (instikti i agresivitetit, i vdekjes).Të dyja këto instinkte në situata normale kontrollohen nga pushteti i vetëdijes, ndërgjegjes ose superegos. Sakaq, nëse ky kontroll dobësohet, për shkak të mjegullimit të arsyes dhe injorimit të ndërgjegjes – siç po ndodh me civilizimin perëndimor i cili i ka shkelur të gjithë normat morale dhe ndërgjegjen – atëherë këto dy instinkte, shpërthejnë duke mos njohur kufi dhe dritë të kuqe. Ato përligjin vrasjen, torturat dhe poshtërimin e njerëzve dhe ç’është më e keqja, justifikohen me pretekstin e përdorimit të pakontrolluar të forcës ose gabimeve individuale nga ana e disa ushtarëve.
Nëse do të flasim për torturën dhe psikologjinë e torturës, do i qasemi asaj nga këndvështrimi përgjithësues, si një akt njerëzor, i jashtëm qoftë (amerikan, anglez, izraelit etj…) apo i brendshëm në formën e qeveritarëve apo eprorëve diktatorë dhe të pashpirt. Nga barbarizma dhe egërsia me të cilën ushtrohet akti, si i jashtmi dhe i brendshmi janë njëlloj. Madje, mund të themi se plaga e torturuesit të brendshëm është më e dhimbshme.
Specifikat psikologjike të torturuesve:
Torturuesit, mund të torturojnë në mënyrë indirekte, duke dhënë urdhër, dhënë dritën jeshile, heshtur ose mbyllur njërin sy. Këta përbëjnë majën e piramidës politike ose ushtarake dhe në përgjithësi i ikin përgjegjësisë, për shkak të masave paraprake që marrin, gjë e cila e vështirëson shumë nxjerrjen e tyre para gjyqit. Shpesh herë, ato manipulojnë dhe ligjin, ashtu siç manipulojnë humanizmin e njeriut. Por torturuesit mund ta ushtrojnë këtë akt edhe në mënyrë direkte, ku hyjnë xhelatët dhe ekzekutuesit e torturave. Në përgjithësi, këta i përkasin shtresës së ushtarëve ose eprorëve me grada të ulëta. Në rast të ndonjë skandali kur publikohen aktet e shëmtuara të tyre, ata mund të përdoren dhe si dash kurbani. Nëse hetojmë specifikat psikologjike të torturuesve, do i gjejmë si vijon:
1 – Sadizmi, ku hyjnë ata persona të cilët ndjejnë kënaqësi teksa vuan dhe lëngon dikush tjetër.  Kënaqësia mund të jetë emocionale, por mund të jetë dhe seksuale. Sadizmi është një çrregullim i thellë i personalitetit, i cili e shtyn personin ti nënshtrojë të tjerët dhe tu shkaktojë sa më shumë dhimbje. Kjo specifikë mund të haset si tek eprorët që japin urdhrat, ashtu dhe tek ekzekutuesit e tyre.
2 – Bindja e verbër. Kjo cilësi është tepër e rëndësishme për dikë që torturon njerëzit. Njerëz të tillë, i ekzekutojnë urdhrat e eprorëve në mënyrë të verbër. Ata nuk dinë të kundërshtojnë, madje as që lodhen të arsyetojnë. Vetëdija dhe ndërgjegja e tyre thuajse nuk ekziston. Në përgjithësi, këta xhelatë i përkasin asaj shtrese me intelekt tepër të ulët dhe kulturë pothuaj inekzistente. Ata janë tipa që manipulohen dhe binden kollaj që akti që po bëjnë, i shërben atdheut dhe njerëzimit.
3 – Psikotiku dhe antisociali. Ai është një person josocial, që nuk i respekton normat, ligjet, vlerat dhe traditat e shoqërisë. Është person agresiv, nuk e ka ndjenjën e fajit apo të pendimit, nuk mëson nga përvojat e kaluara dhe nuk e njeh keqardhjen, dhembshurinë, drejtësinë dhe dinjitetin. Gjithçka që i intereson, është të arrijë qëllimet e veta edhe pse ato bazohen tek lëndimi i të tjerëve.
Psikotiku nuk i përket dhe ai domosdoshmërisht shtresës së ulët të popullsisë, madje ai mund të jetë president shteti, ose epror i lartë. Në këtë rast, cilësitë psikopate të tij i kemi të mbuluara me një maskë diplomatike. Prandaj ky tip psikopati shpesh herë njihet me emrin psikopati xhentil dhe ai është më i rrezikshëm sesa psikopati agresiv i cili e manifeston hapur agresivitetin e tij. I pari, i ka të gjithë cilësitë e psikopatit plus ato të mashtrimit dhe maskimit. Ai është oportunist dhe pragmatik. Për të, ligji dhe vlerat morale janë të pakuptimta, veçse në rastin kur i shërbejnë interesit të tij.
4 – Personi paranojak. Ky person është shumë mendjemadh dhe arrogant. Ai i sheh të gjithë si armiq dhe pret më të keqen prej njerëzve. Prandaj, ai ka mendim dhe opinion të keq për njerëzit. Ai përdor agresivitetin parandalues ose mbrojtës, duke u justifikuar se po mbron veten ose të tjerët nga terrorizmi apo e keqja e cila pritet të ndodhë nga X, i cili është gjithmonë i lig sipas tij. Personi paranojak e përbuz tjetrin dhe nëse do të mundej, do e shtypte. Prandaj ai nuk njeh shenjtëri dhe dinjitet dhe kurrë nuk do të ndjejë keqardhje dhe dhembshuri, sepse ai i konsideron të gjithë djaj, ose insekte të cilat duhen shtypur dhe torturuar.
5 – Racionalizmi Ushtruesit e torturave përdorin justifikimin si mekanizëm mbrojtës. Kështu ata qetësojnë ndërgjegjen e tyre duke e justifikuar atë që bëjnë. Për shembull, ata të thonë se torturat janë instrument i ligjshëm për vendosjen e rendit dhe sigurisë aq të nevojshme për njerëzit. Ose justifikohen me nevojën për të nxjerrë informacione të rëndësishme, të cilat sigurojnë paqen, gjithmonë sipas këndvështrimit të tyre dhe të eprorëve të tyre. Në fund të fundit, sipas tyre, torturat lidhen ngushtë me vlera atdhetare dhe sigurie, të cilat i bëjnë ta pranojnë torturën si instrument të ligjshëm.
Mjetet e torturës:
Mjetet e torturës janë aq të ndryshme dhe të larmishme, sipas kulturave të ndryshme. Ato fillojnë nga rrahjet, djegiet me zjarr, zhytja e kokës në ujë shumë të ftohtë ose shumë të nxehtë, futja e kokës në një thes plot me minj ose gjarpërinj, privimi i viktimës nga gjumi, varja me këmbë përpjetë për një kohë të gjatë, dhunohet vetë viktima seksualisht, gruaja e tij ose e vajza. Përveç goditjeve me elektroshok dhe lëshimi i kafshëve të egra.
Shumë eskpertë të torturave, studimeve të sigurisë dhe politikave të tjerë, u shtojnë dhe ato psikologjike. Ata u shërbejnë me korrektësi diktatorëve dhe tiranëve, për tu garantuar qeverisjen dhe pushtetin. Ata i torturojnë dhe thyejnë edhe psikologjikisht kundërshtarët e tyre, të cilëve ua njohin pikat e dobëta njerëzore dhe nëpërmjet tyre ushtrojnë dhunë.
Psikologët i kanë koleksionuar funksionet e përbashkëta të gjithë mjeteve të torturës, të cilat janë:
1 – Të shkaktojnë sa më shumë dhimbje tek viktima. Kjo, duke ushtruar presion mbi sistemin nervor me të gjithë format e mundshme, si rrahjet, djegiet, elektroshok etj… Ata i kapërcejnë të gjithë kufijtë me qëllim që viktima të mos i përballojë dot dhimbjet. Ata duan që ai – viktima – të rrënohet psikologjikisht bashkë me mekanizmat e tij mbrojtës. Për këtë ata e rrisin torturën në mënyrë të përshkallëzuar, derisa viktima të dorëzohet ose të vdesë nga dhimbjet. Në fakt, ata nuk e dinë kur mund të dorëzohet viktima, apo kur mund të vdesë, prandaj ato mund të ndodhin në çdo çast.
2 – Mungesa e kufirit kohor. Kjo realizohet duke i thënë viktimës se torturat do të vijojnë deri në pafundësi. Kjo bën që ai ta humbasë shpresën se mund të shpëtojë prej tyre, e për rrjedhojë humbet dhe rezistencën.
3 – Një seri instrumentesh të pafund. Torturuesit përdorin një larmi të gjerë instrumentesh torturuese. Ata e befasojnë viktimën me instrumente dhe mjete që nuk i ka dëgjuar më parë, gjë e cila i shkakton atij ankthin e pritshëm. Ai pret nga çasti në çast që instrumentet të shtohen dhe torturat të bëhen më të dhimbshme.
 4 – Abuzimi fizik. Kjo bëhet duke e ekspozuar trupin e viktimës ndaj llojeve të ndryshme të torturave, të cilat e bëjnë të besojë se duan ta shkatërrojnë nga çasti në çast, pa ia ditur për shëndetin e tij.
5 – Abuzimi psikologjik. Diçka e tillë ndodh duke kapërcyer të gjithë vijat e kuqe. Kështu, nëse e dinë se viktima është krenar dhe me besim tek vetja, bëjnë ç’mos që ta ofendojë, poshtërojnë dhe t’ia thyejnë zemrën. Nëse e dinë se është krenar për nderin dhe vlerat morale të cilave u beson, abuzojnë me të seksualisht me qëllim që ta bëjnë të ndihet i turpëruar dhe i ç’burrëruar. Nëse e dinë se është shumë i lidhur me bashkëshorten dhe fëmijët, i sjellin dhe abuzojnë me ta fizikisht, psikologjikisht dhe seksualisht në sytë e viktimës. Kjo, me qëllim që ta rrënojnë psikologjikisht dhe t’ia dobësojnë çdo fije rezistence.
Efektet psikologjike të torturës:
Kjo varet nga sasia dhe larmia e torturave, si dhe nga personaliteti i personit që torturohet. Edhe nëse sigurohet mbështetja e duhur pas torturës, në përgjithësi efektet janë si më poshtë:
1 – Shembja i të gjithë hipotezave bazike. Më parë, personi besonte në shenjtërinë e dinjitetit të njeriut dhe në vlerën e dhembshurisë, keqardhjes dhe drejtësisë. Por pas torturave çnjerëzore, të gjithë këto hipoteza lëkunden, bashkë me shumë vlera bazike. E gjithë struktura e tij psikologjike pëson dëmtime dhe i kalon vitet në kërkim të një formule e cila i shpjegon atë që i ndodhi dhe si mund ta përvetësojë për ristrukturimin e tij mendor dhe psikologjik. Ai e kalon pjesën e mbetur të jetës si të përbëhej nga mbetjet e një njeriu, sidomos nëse është fëmijë ose i ri.
2 – Çrregullimi i stresit traumatik. Ky çrregullim i ngjet atij që është ekspozuar ndaj ngjarjeve të tmerrshme dhe të llahtarshme, kërcënime të rënda të jetës dhe shëndetit. Në këtë rast, viktimës i vijnë në mendje kujtimet e torturave në gjendje zgjimi, sikur të shihte një film në kinema. Kjo mund ti ndodhë edhe gjatë gjumit, në ëndrra. Sa herë që shikon ose dëgjon diçka që i kujton torturat, ai përjeton frikë dhe panik sikur këto tortura po ushtrohen mbi të në ato çaste. Ai orvatet ti shmanget gjithçkaje që i kujton torturat. Veç kësaj, ai pëson çrregullime dhe në sistemin nervor, gjë e cila e bën shumë të ndjeshëm ndaj ngacmuesve vizivë ose dëgjimorë. Ne shohim që ai fillon e dridhet sa herë që dëgjon ndonjë zë, ose shikon diçka që i kujton torturat.
3 – Depresioni. Viktima fillon e vuan nga depresioni kur ndihet i pafuqishëm, kur shpresa për drejtësi venitet, e bashkë me të dhe dinjiteti dhe nderi i tij dhe i atyre që do. Atëherë ai ndihet i dëshpëruar, humbet oreksin për ushqim dhe gjithçka tjetër, nuk e ndjen vlerën e jetës, vuan nga çrregullime të gjumit, jeta i duket e pavlerë etj…
4 – Çrregullimet psikosomatike. Ato i ndodhin në formën e çrregullimeve të sistemit tretës, i qarkullimit të gjakut, frymëmarrjes, riprodhimit ose çfarëdo tjetër. Këto çrregullime marrin formën e simptomave fizike të ndryshme dhe ndodhin kur i ndrydhen ndjenjat dhe emocionet ndaj asaj që i ka ndodhur.
5 – Agresiviteti dhe tendenca për tu hakmarrë. Kjo ndodh kur i torturuari gjen rastin për të shprehur ndjenjat e tij dhe tendencën për tu hakmarrë me xhelatët e tij. Mund të ndodhë që brenda botës së tij të brendshme të shpërthejnë emocione të frikshme agresiviteti, të cilat ia kalojnë vuajtjeve dhe lëndimeve gjatë torturave. Torturat e kthejne nje individe ne agresive jo vetem ndaj xhelatëve te tij por ndaj njerëzve ne pergjithesi,nje tip projektimi.
Sugjerime:
Me qëllim që askush nga raca njerëzore, cilado qoftë ngjyra, raca apo feja, të mos vihet në pozita të tilla të vështira, burrat e mençur të species njerëzore duhet të sanksionojnë ligje të cilat i ndalojnë personat me çrregullime, të çfarëdo kalibri, politik apo social qofshin, të shprehin çrregullimet e tyre nëpërmjet torturimit të tjerëve, nën çfarëdo preteksti qoftë. Këto ligje duhet të kenë fuqi njëlloj si ndaj njerëzve të thjeshtë ashtu dhe ndaj shtresës së politikanëve dhe qeveritarëve. Për zbatimin e këtyre ligjeve dhe vendosjen e drejtësisë, duhet të kujdesen institucionet ndërkombëtare të paanshme, si gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, gjykata e krimeve të luftës, gjykata e krimeve të torturës etj… Këto gjykata dhe institucione ndërkombëtare, duhet ti përmbahen të drejtës ndërkombëtare dhe traktateve të feve e normave morale. Ato duhet të kenë të drejtë të bëjnë kontrolle të befasishme në kampe, burgje dhe komisariate policie në çdo vend të botës. Mandej, të plotësohen raporte të cilat ti dorëzohen gjykatës së lartë, e cila merr vendime të detyrueshme për Këshillin e Sigurimit, por pasi ta kenë shkëputur nga kontrolli i fuqive të mëdha.
Këtyre duhet tu bashkëngjiten dënimet e rrepta jo vetëm për torturuesit e drejtpërdrejtë, ushtarë apo oficerë qofshin, por edhe mbi personat që kanë dhënë urdhrat dhe dritën jeshile, kanë heshtur ose kanë bërë një vesh shurdh e një sy qorr. Forca e ligjit duhet të përfshirë edhe ata që kanë kontribuar me çdo formë në këto krime të shëmtuara.
Krime të tilla, siç theksohet tek shumica e kushtetutave dhe kodeve ligjore, nuk fshihet me daljen në pension të xhelatëve. Jo, ligji do të vazhdojë ti përndjekë sado vite të kenë kaluar.
Lënda e të drejtave të njeriut duhet të bëhet lëndë bazë për studentët e akademive ushtarake, e shoqëruar edhe me kodin penal përkatës për këdo që shkel të drejtat e njeriut.
Vlen të theksojmë se të gjithë fetë e konsiderojnë të shenjtë jetën e njeriut, dinjitetin dhe shëndetin e tij. Kjo u duhet bërë e qartë të gjithë shtresave të popullsisë, të cilat duhet ndërgjegjësuar mbi vlerën e dinjitetit njerëzor, e mbështetur tek parimet fetare dhe disiplina e vlerave morale që praktikohen nga feja.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit