Vajta në Ez’her

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Vajta në Ez’her

Ndodhesha në një sallë të madhe e cila gumëzhinte nga zërat e të diplomuarve nga universiteti i Ez’herit, të cilët kishin ardhur nga të katër anët. Mes kumtuesve, ishte shejh Jusuf Kardavi, Muhamed Amare, Selim Ava, Isam Beshir, Ahmed Rajsoni, të tjerë dhe unë. Askush nuk donte t’ia dijë për një pllakë të madhe e cila shënonte inaugurimin e një ndërtese në kohën e presidentit Mubarak. Askush nuk donte t’ia dijë as për një burrë, i cili u bënte njerëzve me shenjë nga pllaka dhe u kërkonte ta falënderojnë presidentin për kontributin e dhënë për Ez’herin.
Ishte një diversitet gjeografik dhe akademik,  i cili shihej si sihariq i madh për një epokë të re, sihariq të cilin e përcillte vetë ajo fytyrë e çelur dhe kumtesë e qetë nga shejhu i Ez’herit, dr Ahmed Tajib.
Takimi i ditës ishte në zyrën e shejhut të Ez’herit, ku diskutohej për një konferencë nën kujdesin e Ez’herit, e cila bashkonte të gjithë spektrat e myslimanëve sunnitë dhe afronte këndvështrimet e tyre. Rrallë ndodh që të bashkohen figura si e Kardavit, shejhut të Ez’herit, ish myftiut e Egjiptit Ali Xhumua, dr Buti etj… Nuk u ra dakord mbi natyrën e konferencës… askush nuk e priste që e nesërmja do të rezervonte shkëndijën e parë e cila do tu vinte flakën kolltukëve të presidentëve, do të ndryshonte popujt dhe do riformatonte hartën nga e para.
Pra, ishim në mesditën e 25 janarit
Në kujtesën time, kur hyra në Ez’her, mu shfaqën dyzet e tetë personalitete të cilat e kanë udhëhequr këtë institucion të lashtë përgjatë një mijë viteve. Ata përzgjidheshin për këtë post nga dijetarët më të lartë, ndërkohë që pushtetarët politikë nuk kishin asnjë të drejtë për të ndërhyrë. E pikërisht për këtë, Ez’heri mbeti fanari i të mesmes së artë, foltorja ku thuhej e drejta troç dhe institucioni që qëndronte në krah të vobektit.
Rrogat e shejhëve të Ez’herit dhe anëtarëve të këshillit të lartë të dijetarëve, jepeshin nga vakëfet e myslimanëve dhe jo nga qeveria. E përse duhej të frikësoheshin për të thënë të vërtetën atëherë?! Mes tyre mund të përmendim shejh Sharkavin, atë burrë që ka regjistruar qëndrime të guximshme gjatë pushtimit francez të Egjiptit, personalitet të cilin Muhamed Ali Pasha e dënoi me arrest shtëpie. Nuk harrojmë Ebul Fadl Xhizavij, i cili udhëhoqi marshimin e Ez’herit gjatë revolucionit dhe konfliktin me pushtuesin britanik.
Po, marrëdhëniet me politikën kanë qenë të koklavitura ndonjëherë, pasi Ez’heri nuk ishte në xhepin apo xhyben e politikës. Ai nuk ka qenë as i pavarur në të gjithë kohërat. Gjithçka varej nga personaliteti i imamit që e udhëhiqte dhe të liderit politik në vend, jo nga kushtetuta e qartë dhe as nga institucioni financues.
Kam lexuar që shejhu Abdul Halim Mahmud, kishte refuzuar një ligj të Enver Sadatit, duke thënë:”Nëse do të orvaten të na e imponojnë këtë ligj, do të thërras mbi minberin e Ez’herit:”Poshtë Enver Sadati!”
Kur shejh Sharavi e dëgjoi këtë, shtoi:”Nëse shejhu Ez’herit do e bëjë këtë, unë nga poshtë minberit do të thërras:”Rroftë shejh Abdul Halim Mahmudi!” Kështu fuqizohej dhe unifikohej qëndrimi që mbante shejhu i Ez’herit me dijetarët e tjerë.
Ez’heri lindi i fortë dhe qëndroi i fortë, derisa në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, u nxorën ligje në emër të progresit dhe reformimit të institucionit, ligje të cilat synonin ta shndërrojnë në një mekanizëm në duart e pushtetit politik dhe në një universitet shkencor.
E kam shoqëruar shejhun e Ez’herit, dr Muhamed Seid Tantavi, në një udhëtim në Taxhikistan, për të marrë pjesë në një konferencë për nder të imam Ebu Hanifes. E kam takuar dhe në një konferencë në Sharm Sheikh. Ai ishte model i zemërbutësisë dhe modestisë, por ishte i paaftë të kundërshtojë rrymat politike të kohës së diktaturës. Në këtë periudhë dobësie, u morën vendime lidhur me paqen, bllokadën ndaj Gazës dhe çështje të tjera.
Pas revolucionit të Egjiptit, erdhi rasti për pavarësinë e Ez’herit nga pushteti politik, me qëllim që ti rikthehet rolit si kala e fortifikuar e myslimanëve dhe jo vetëm e egjiptianëve. Erdhi koha e pavarësisë së tij si nga shoqëria ashtu dhe nga opozita, për ti përkitur të gjithëve, në një distancë, për hir të rolit të tij reformues dhe për ruajtjen e ekuilibrave mes elementëve përbërës të shoqërisë egjiptiane.
Ky rol, e bën Ez’herit të qëndrojë mbi përplasjet politike dhe të gëzojë respekt fetar, social dhe politik, të cilin ia jep roli i tij si ndërmjetësues. Ai – Ez’heri – nuk kërkon pushtetin, por pavarësinë nga pushteti. Ç’është më e rëndësishme, kërkon garanci për pavarësinë e tij financiare dhe kthimin e vakëfeve të tij, shto buxhetin mbështetës të qeverisë. Pavarësia e Ez’herit, nuk e cenon pavarësinë e institucioneve të tjera fetare, si Darul Fatva dhe ministria e vakëfeve.
Nathan Brown, një studiues në institutin Karinxhi, ka shkruar një libër me titull:”Roli i Ez’herit në fazën pas revolucionit”. Të shumtë janë autorët e librave dhe të artikujve shkencorë, të cilët kanë pasur si fokus pikërisht institucionin e Ez’herit, në etapa të ndryshme kohore. Vallë, a do të memorizohen në kujtesën e brezave të ardhshme ndryshimet madhështore dhe të rralla të kësaj kalaje historike, e cila ka përhapur dijen dhe dijetarët në të katër anët e botës?
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit