Gjermania, ngritja dhe ndikimi

Më të lexuarat

Nga: Velid Shejh

Gjermania, ngritja dhe ndikimi

Data 30 Prill 1945, shënoi pikën e rrënimit përfundimtar të Gjermanisë. Ishte data e vetëvrasjes së Adol Hitler-it, pas pushtimit të forcave aleate të kryeqytetit Berlin. Ishte data e shpalljes së humbjes së Gjermanisë në luftën e Dytë botërore, pasi ishin shkatërruar shumica e qyteteve, ishte rrënuar krejtësisht ekonomia dhe ushtria, ishte ndarë vendi në dy shtete, Republika Federale Gjermane dhe Republika Demokratike Gjermane, si dhe i ishin marrë territore nga Polonia, Bashkimi Sovjetik dhe Franca. Kjo shkaktoi shpërnguljen e 12 milionë gjermanëve të cilët jetonin në Evropën lindore, përveç tetë milionë të tjerëve të zënë robër në burgjet e vendeve aleate, të cilët përdoreshin për punë për ndërtimin e veprave të shkatërruara nga ushtria naziste, saqë Bashkimi Sovjetik i mbajti robërit e luftës deri në vitin 1956. Franca mori dy milionë robër gjermanë nga Amerika dhe Britania.
Hekurudhat e vendit ishin totalisht të shkatërruara, ushtria sovjetike i kishte çmontuar makineritë e fabrikave dhe uzinave dhe i kishte transportuar për në Rusi, banorët gjermanë duheshin “riedukuar” për ti pastruar nga idetë naziste, mbi 90% e administratës të sistemit të drejtësisë u hoqën nga vendet e punës, u mbyllën institucionet e mediave, madje dhe shkollat, derisa të pastroheshin nga idetë naziste. [1]
Mrekullia ekonomike
Me gjithë problemet e cituara më lart, Gjermania rilindi sërish. Qëllimi nuk kufizohej vetëm në dëshirën për të lulëzuar dhe për jetë luksi. Ishte dhe një farë rivendosje dinjiteti dhe krenarie në vendin e duhur. Gjithçka nisi nën drejtimin e Ludvig Erhard, i cili ndryshe njihet si “Babai i mrekullisë ekonomike gjermane”. Në vitin 1944, ai ndjeu se Gjermania do të dilte e humbur nga lufta, prandaj dhe shkroi në ditarin e tij:”Financimi i borxheve të luftës dhe ristrukturimi i tyre”. Aty ai hodhi idenë e vet rreth ndërtimit të ekonomisë gjermane me bazë idenë e “Tregut social”, i cili në thelb kishte lirinë e tregut duke ruajtur ekuilibrat social. Ai e vuri në zbatim politikën e tij me të përfunduar lufta, si ministër i ekonomisë sw republikës së Bavarisë.
Me gjithë se Gjermania u detyrua të paguajë dëmshpërblime për luftrat e saj, me vlerë 1.1 miliardë dollarë çdo vit, që nga fundi i luftës deri në vitin 1971, vlen të citohet se Erhard ndërmori hapa ambiciozë. Me të marrë pushtetin në dorë, ai ndryshoi monedhën gjermane në mënyrë të befasishme, duke e shfuqizuar markën e Raihut me markën gjermane. Ai caktoi dhe çmimet e mallrave, gjë e cila i detyroi tregtarët ti nxjerrin mallrat që i mbanin të fshehura, për rrjedhojë i dha fund tregut të zi dhe rritjes së çmimeve. Kështu, ai arriti ti japë fund krizës ekonomike pas luftës.
Rilindja ekonomike e Gjermanisë, përfitoi shumë dhe nga refuzimi i presidentit amerikan Ruzvelt, për projektin i cili synonte ta shndërrojë Gjermaninë në një vend bujqësor,  për shkak të rrezikut që përbënte dhe me qëllim që të mos përsëritet gabimi i aleatëve pas luftës së dytë botërore. Forcat aleate donin që Gjermania të zhvillohet, por ta mbajnë nën kontrollin e tyre. Për këtë u miratua dhe plani Marshall në vitin 1947, i cili synonte të ndihmojë vendet evropiane me nga tre miliardë marka. Gjermania përfitoi nga plani Marshall deri në vitin 1952.  Analistja politike Andrea Netershajd, e interpretonte planin Marshall, si një dëshirë për ta lidhur Gjermaninë pas sistemit ekonomik amerikan, si dhe si një përpjekje për pengimin e përhapjes së komunizmit në Gjermaninë perëndimore, pasi këto ndihma ishin të kushtëzuara me bashkëpunimin me vendet e tjera. Asokohe, ministri i jashtëm rus Viaçislam Mihajloviç, pati protestuar dhe qe shprehur se SHBA-të dhe Britania synojnë skllavërimin e Gjermanisë me këto ndihma. [3]
Ekonomia gjermane u zhvillua me ritme shumë të shpejta falë duarve të arta të popullit gjerman, si dhe të emigrantëve të ardhur kryesisht nga Turqia, me të cilën Gjermania pati nënshkruar marrëveshje në vitin 1961. Ekonomia gjermane arriti të bëhet ekonomia e katërt më e fuqishme në botën pas asaj amerikane, kineze dhe japoneze. Vetëm në vitin 2011 prodhimi lokal arriti shifrën 3.518 trilionë dollarë. Gjermania është një nga vendet me prodhimin më të lartë të makinave, mjeteve prodhuese, lëndëve kimike dhe pajisjeve shtëpiake. Ajo është flamurtare e prodhimit të energjisë diellore dhe ka 37 kompani, në mesin e 500 syresh në mbarë botën, në bursën botërore. [4]
Uniteti i Gjermanisë
Megjithëse Gjermania u nënshtrua ndarjes së detyrueshme në dy republika, ajo u mbështet në politika afatgjate duke u fokusuar në rilindjen ekonomike, krijimin e Unionit Evropian dhe mandej udhëheqjen e tij. Për këtë, me 12 gusht 1970, ajo nënshkroi me Bashkimin Sovjetik marrëveshjen e Moskës, sipas të cilës pranonte ndarjen e dy gjermanive, njihte kufijtë aktualë, shto territoret që i kishte marrë Polonia, Franca dhe Bashkimi Sovjetik në lindje të Prusisë. Ajo nuk do i kërkonte këto territore në të ardhmen. Të njëjtën gjë bëri dhe me Poloninë me 18 nëntor 1970. [5]
Kur Bashkimi Sovjetik mori tatëpjetën, Hungaria hapi kufijtë e saj dhe mijëra gjermanë lindorë kaluan në Gjermaninë perëndimore. Protesta dhe greve të shumta u organizuan në Gjermaninë lindore, gjë e cila çoi në rënien e murit të Berlinit me 9 gusht 1989. Këtë shans e shfrytëzoi shumë mirë kancelari gjerman i asokohshëm, Helmut Kol, i cili ushtroi presion për bashkimin e dy  Gjermanive, gjatë bisedimeve maratonë me vendet pushtuese (SHBA, Rusi, Britani dhe Francë). Me tre tetor 1990, Gjermania fiton sovranitetin e saj, duke i bashkuar të pesë republikat. Menjëherë u vendos një plan për zhvillimin ekonomik të Gjermanisë lindore nën një projekt afatgjatë i cili shtrihet gjer në vitin 2019, sipas të cilit 80 miliardë euro transferohen çdo vit nga Gjermania perëndimore në atë lindore.
Lidershipi i Bashkimit Evropian
Gjermania federale ka luajtur një rol thelbësor në bashkimin e Evropës, gjë e cila nuk do të lejojë shpërthimin e luftërave mes shteteve të kontinentit. Fillimisht, ajo krijoi grupin evropian të qymyrit dhe çelikut, me pjesëmarrjen e Italisë, Francës, Belgjikës, Hollandës dhe Luksemburgut, në vitin 1951. Më pas, u nënshkrua marrëveshja e Romës në 15 mars 1957 për unionin doganor evropian, i cili u njoh me emrin grupi ekonomik evropian dhe që çoi në anëtarësimin e vendeve evropiane në Unionin Evropian, me nënshkrimin e marrëveshjes së Manstriht në dhjetor 1991, ku bëjnë pjesë 27 shtetE aktualisht, 17 prej të cilave janë në zonën e euros.
Ndërkohë që Franca dhe Britania, dy shtete themeluese të Unionit, konkurronin për lidershipin politik, Gjermania mjaftohej me lidershipin ekonomik. Me kalimin e kohës, Franca dhe Gjermania u bënë vendet bosht të Unionit, ndërkohë që roli i Britanisë u reduktua.
Gjermania u bë e pa konkurueshme në lidershipin ekonomik, të cilit i shtoi dhe atë politik më vonë. Si vendi me popullatën më të madhe në Unionin Evropian, Gjermania ka dhe numrin më të madh të deputetëve në parlamentin evropian, 99. Ajo ndiqet nga Franca, Italia dhe Britania me 72 deputetë. Gjermania tashmë është lidershipi i vërtetë i Unionit, falë dhe një sërë vendimesh vendimtare sidomos përgjatë krizës ekonomike aktuale, krizës së kredive greke e cila pritet të prekë dhe vende të tjera si Spanja, Portugalia dhe Italia. Aq më tepër që Gjermania paguan pjesën më të madhe të kontributeve të buxhetit për shpëtimin e euros, 211 miliardë euro.
Nga ana tjetër, Gjermania e shfrytëzoi rënien e Bashkimit Sovjetik për bashkimin e dy pjesëve të saj, atë perëndimore me lindoren, si dhe për zgjerimin e kufijve të Bashkimit Evropian në kufijtë më të skajshëm të tij. Ajo ia arriti ta mbushë vakumin që la pas shembja e Bashkimit Sovjetik në Evropën lindore, duke e çuar ndikimin e saj rajonal gjer në kufijtë me Rusinë. Marka gjermane ishte një monedhë e pranuar në shumë vende të Evropës lindore para përdorimit të euros.
Anëtarësimi në NATO
Gjermania u anëtarësua në OKB në vitin 1973 dhe brenda disa vitesh, u shndërrua në anëtarin më të rëndësishëm, duke u bërë kontribuuesi i tretë më i madh i Organizatës me mbajtjen e 10 % të buxhetit të saj, saktësisht 1.6 miliardë dollarë. Me rritjen e kontributeve të saj financiare dhe politike, me pjesëmarrjen në bisedime rreth çështjeve ndërkombëtare, rritjen e kontributeve ushtarake të OKB-së, Gjermania është kandidati më i fuqishëm për anëtarësim tek vendet me anëtarësi të përhershme që synojnë zgjerimin e Këshillit të Sigurimit, për të qenë më aktiv në çështjet ndërkombëtare të shekullit të 21, jo siç ka qenë  që pas luftës së dytë botërore. [7]
Gjermania federale është anëtarësuar në Aleancën Atlantike në vitin 1955, por bazuar në ligjin gjerman i cili nuk lejonte dërgimin e forcave ushtarake jashtë territorit gjerman, roli i saj kufizohej në dhënien e ndihmës logjistike. Ajo i ka kushtuar vëmendje rritjes së kapaciteteve ushtarake, tashmë edhe me pjesëmarrjen e trupave të veta jashtë territorit gjerman, në kuadrin e Natos dhe OKB-së për ruajtjen ep aqes në vende si Kosova, Afganistani, Atlanta, Afrikë, Liban, Sudan, Uganda, Bosnje etj… [8]
Nga ana tjetër, Gjermania ka zhvilluar shumë dhe teknologjinë ushtarake, saqë radhitet vendi i tretë si eksportues i armëve në rang botëror, menjëherë pas SHBA dhe Rusisë. [9]
Fuqia e butë
Gjermania është vendi me popullsinë më të lartë në Evropë, 82.3 milionë banorë, ku emigrantët përbëjnë 9% të popullsisë. Ai është vendi i tretë në botë për nga pritja e emigrantëve.
Arsimi dhe kërkimet shkencore zënë një vend të rëndësishëm, gjë të cilën e tregojnë 383 institucione të arsimit të lartë, ku 103 janë universitete, 176 institute specializimi të lartë. Numri i studiuesve është mbi dy milionë. Gjermania zë vendin e parë në Evropë për nga numri i shpikjeve dhe vendin e tretë në botë, pas Japonisë dhe SHBA-ve, me 11188 patenta shpikjesh individuale të regjistruara, gjë e cila është pasqyruar tek 80 çmime nobel të marra nga shkencëtarët dhe studiuesit gjermanë. [10]
Një nga shkencëtarët më të shquar gjermanë është Albert Ainshtajn, zbuluesi i teorisë së relativitetit, Maks Plank, Konrad Zeos e shumë të tjerë. Sakaq, nga filozofët gjermanë mund ta radhisim Kantin, Hegelin, Shopenhauer, Niçen etj… Si shkrimtarë Gëten, Shiler etj… Sociologë mund të përmendim Maks Veber… Muzikantë Bethoven, Bah…
Gjermania shquhet dhe në sporte, ku listën e kryeson futbolli, me tre kupa botërore, katër herë ka zënë vendin e dytë dhe katër vendin e tretë. Gjithashtu, Gjermania i kushton një vëmendje të veçantë edhe arteve, ku cekim festivalin e kinemasë të Berlinit, i cili është festivali më i madh ndërkombëtar.
Boshti gjermano-francez përballë atij amerikan
Me gjithë fuqinë ekonomike dhe politike në rritje, Gjermania vazhdonte nën vartësinë politike të SHBA që nga lufta e dytë botërore. Por, ajo që u duk qartë se vendi e refuzonte protektoratin e tij amerikan, ishte kundërshtimi i qeverisë gjermane për luftën në Irak në vitin 2003, gjë e cila u interpretua si shpallje e pavarësisë së vwrtetë ndaj dominimit të politikës amerikane. Kancelari gjerman Shrëder u përplas asokohe me presidentin amerikan Bush, jo vetëm për faktin se Gjermania po e kundërshtonte idenë e luftës me Irakun, por edhe se ajo po e pengonte luftën, derisa Gjermania bashkë me Francën e dështuan vendimin e OKB-së për justifikimin e luftës.
Përplasjet me Uashingtonin u ashpërsuan, saqë ish ministri i luftës Donald Ramsvelt, e pati etiketuar Francën dhe Gjermaninë si përfaqësuese të Evropës plakë. Sakaq, kancelari Shrëder e përdori konfliktin si boshtin e fushatës së tij zgjedhore. [11]
Lidhur me qëndrimin gjerman karshi çështjes palestineze, edhe pse Gjermania është ndër vendet më kritikuese të Izraelit për politikat ekspansioniste dhe raciste, të cilat i ka konsideruar si gjenocid, qëndrimi i saj mbetet peng i trashëgimisë naziste. Politika gjermane është ngritur mbi bazën e procesit të paqes në kuadrin e zgjidhjes së dy shteteve.
Sot, duket qartë që Gjermania ka imponuar vullnetin e saj në rang botëror, siç  e citon këtë dhe gazeta Los Angeles. Gjermania e pasur dhe e fuqishme, tashmë shihet si lideri real i Evropës. Madje, edhe ekonomia botërore, sipas Los Angeles, është në duart e zyrtarëve gjermanë.  [12]
Referencat:
1 – http://ëëë.almarefh.org/neës.php?actionçshoë&idç2472
2 – http://ëëë.dë.de/dë/article/0,2144,2061172,00.html
3 – http://ëëë.almarefh.org/neës.php?actionçshoë&idç2472
4 – http://ëëë.therichest.org/ëorld/ëorlds-largest-economies/
6 – http://ëëë.economist.com/blogs/neësbook/2011/09/germany-and-euro
7- http://ëëë.faz.net/themenarchiv/politik/vereinte-nationen/un-sicherheitsrat-zëeiklassengesellschaft-alten-rechts-11056862.html
8 – http://de.statista.com/statistik/daten/studie/72703/umfrage/anzahl-der-soldaten-der-bundesëehr-im-ausland/
9–http://armstrade.sipri.org/armstrade/html/export_toplist.php
10 -http://ëëë.almania.diplo.de/Vertretung/almania/ar/01/02__Blick__Zahlen__Fakten/__Blick__Zahlen__Fakten.html#topic16
11 -http://neës.bbc.co.uk/hi/arabic/neës/neësid_2270000/2270258.stm
12 – http://ëëë.latimes.com/neës/nationëorld/ëorld/la-fg-germany-europe-20120228,0,2973408.story
 
Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit