Akademikët dhe organizatat e shoqërisë civile në Francë, filluan fushatë nënshkrimesh kundër censurës së Facebook-ut ndaj përmbajtjeve që kritikojnë Izraelin transmeton Anadolu Agency (AA).
Akademikët përfshirë historianin dhe gazetarin francez, Dominique Vidal, presidentët e nderit të Shoqatës së Solidaritetit Palestinez të Francës (AFPS), politikanin Jean-Claude Lefort, hulumtuesin Taoufiq Tahani, në fushatën e nënshkrimit që kanë filluar në faqen change.org kërkuan që Facebook t’i japë fund censurimeve të tij ndaj përmbajtjeve kritikuese ndaj Izraelit.
Në deklaratën e fushatës thuhet se Facebook, fshin ose nuk i tregon shkrimet, imazhet që përmbajnë kritika kundër politikave të shtetit të Izraelit dhe se shumë përdorues përballen me këtë censurë.
“Kjo ndërhyrje arbitrare, nuk ka në objektiv dhunën ose përmbajtjet pornografike, nxitjen e urrejtjes ose shkeljen e të drejtës së autorit”, thuhet në deklaratën në të cilën vihet në dukje se ndonjëherë censurohen madje edhe karikaturat e thjeshta të publikuara nga disa media kryesore.
Këto praktika të manipulimit totalitar janë të dënueshme thuhet në deklaratë ku më tej nënvizohet se Facebook gjithashtu ka qëndruar i heshtur edhe ndaj kërcënimeve të një grupi hebre të ekstremit të djathtë.
Në deklaratë Facebook-ut i bëhet thirrje që t’i japë fund politikave të tij “vrastare të lirisë”. “Kjo politikë buron nga fakti se zyrtarët izraelitë e barazojnë kundërshtimin e politikave të tyre me antisemitizmin”, theksohet në deklaratë.
Më tej thuhet se ndaj kompanisë së medias sociale do të ndiqen rrugët ligjore nëse Facebook vazhdon këto veprime të paligjshme.
Gazeta izraelite “Haaretz”, kishte shkruar se administrata e Tel Avivit në bisedimet e fshehta me Facebook dhe Twitter ka kërkuar heqjen e përmbajtjeve që janë kundër saj.
/aa/