4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

JA NJË KËRCËNIM PËR ATA QË PËRHAPIN SHKATËRRIMIN NË TOKË

Më të lexuarat


Thotë Allahu i Madhëruar:

“E ç’presin tjetër ata, që t’u vijë Allahu përmes hijeve të reve, bashkë me engjëjt, dhe çështja të ketë marrë fund?! Vetëm tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.” El Bekare, 210.

Shpjegimi i ajetit

– “E ç’presin tjetër ata, që t’u vijë Allahu përmes hijeve të reve, bashkë me engjëjt, dhe çështja të ketë marrë fund?! Vetëm tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.”

Në këtë ajet vjen një kërcënim i ashpër dhe i frikshëm, prej të cilit të rrëqethet lëkura dhe dridhet zemra. Thotë i Lartësuari (sipas kuptimit të ajetit): Çfarë presin këta përhapës të shkatërrimit në Tokë, që të ndalin poshtërsitë e tyre?! Mos, vallë, po presin Ditën kur do të llogariten drejt veprat e tyre?! Këtë presin pasuesit e hapave të shejtanit dhe mospërfillësit e urdhrave të Zotit?!

Ajo ditë do të jetë e tmerrshme. Zemrat e mizorëve do të jenë në ankth të pandërprerë dhe çdo përhapës i shkatërrimit do të marrë dënimin e merituar. Atë ditë, Allahu i Lartësuar do të palosë qiejt dhe Tokën, do të shkatërrojë yjet dhe planetët, do të mbështjellë Diellin dhe Hënën. Të gjithë melekët do të zbresin për të rrethuar krijesat në Sheshin e Llogarisë, të përcaktuar nga Zoti i botëve. Atë ditë do të vijë vetë Allahu i Lartësuar, Krijuesi i krijesave, ashtu siç i takon madhështisë së Tij, për të gjykuar me drejtësi. Në këtë ditë të frikshme, Allahu i Lartësuar do të gjykojë krijesat me drejtësi.

Atë ditë do të vendosen peshoret dhe do të maten veprat. Atë ditë do të ketë fytyra të bardha e të ndriçuara, të cilat do të jenë fytyrat e të mirëve fatlumë. Por atë ditë do të ketë edhe fytyra të nxira, të cilat do të jenë fytyrat e të këqijve të dëshpëruar. Kështu do të dallohen atë ditë të mirët nga të këqijtë, sepse çdokush do të shpërblehet sipas punës që ka bërë. Zullumqarët, atë ditë, do të kafshojnë duart e tyre nga ankthi dhe tmerri i asaj të vërtete, që tashmë do ta përjetojnë ashtu siç ajo është.

Ky ajet dhe shumë të tjerë si ai, vërtetojnë saktësinë e qëndrimit të ehli sunet-it rreth atributeve të Krijuesit, të cilët pranojnë dhe pohojnë për Allahun të gjitha ato atribute të cilat Ai i ka pohuar për Veten e Tij dhe të cilat i ka pohuar për Të Profeti i Tij (alejhi selam). Kështu, ata besojnë se Allahu i Lartësuar ngjitet lart (isteua), se Ai zbret (nezele) dhe se Ai vjen (mexhîu). Të gjitha këto, Allahu i Lartësuar i ka pohuar për Veten e Tij. Ata i pranojnë këto atribute të Krijuesit dhe i pohojnë ato për Të ashtu sikurse i shkon madhështisë së Tij, duke mos i përngjasuar ato me asgjë, por edhe duke mos e tjetërsuar kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë.

Ndryshe veprojnë mohuesit e atributeve të Zotit, të cilët janë të shumëllojshëm, si për shembull, xhehmi-të, mutezil-ët, eshari-jtë etj. Disa prej tyre i mohojnë krejtësisht atributet e Krijuesit, ndërsa disa të tjerë u bëjnë interpretime të pabaza ajeteve kur’ânore që flasin për këto atribute. Madje, me këto lloj interpretimesh që u japin teksteve hyjnore, ata, në njëfarë mënyre, akuzojnë Allahun dhe Profetin e Tij, se nuk e kanë qartësuar të vërtetën plotësisht dhe mjaftueshëm, prandaj duhen “mendjet e ndritura” të tyre që të kuptohet fjala e Allahut dhe fjala e Profetit të Tij! Ndërsa ne të tjerët duhet të presim, derisa këta “të mençur” të na tregojnë kuptimin “e vërtetë” të tyre!

Në fakt, këta lloj interpretuesish nuk kanë asnjë provë apo bazë që të mbrojnë tezat e tyre, qoftë në transmetimet e sakta që kanë ardhur prej Allahut dhe Profetit (alejhi selam), qoftë në argumentimet logjike. Për sa u përket të dhënave të sakta që kanë ardhur prej Allahut dhe Profetit të Tij (alejhi selam), edhe vetë grupimet e lartpërmendura e pranojnë se kuptimet e drejtpërdrejta të atyre teksteve dëshmojnë për qëndrimin e drejtë të ehli sunet-it. Kështu, e vetmja mënyrë për të mbështetur tezat e tyre është që këto tekste t’ua nënshtrojnë kritereve të tjera të gabuara për interpretim, duke u dhënë atyre kuptime të ndryshme nga domethëniet e tyre të drejtpërdrejta dhe të qarta. Por kritere të tilla shtrembëruese nuk mund të pranohen kurrsesi nga një njeri që ka në zemrën e tij sado pak iman.

Për sa i përket argumentimit logjik, ata nuk mund të vërtetojnë në asnjë mënyrë se mendja e shëndoshë nuk i pranon të tilla atribute për Zotin, të cilat Ai i ka pohuar për Veten dhe që Profeti i Tij i ka pohuar për Të. Për shembull, nëse përdorim logjikën e pastër, si do t’i përgjigjeshim kësaj pyetjeje:

Cili është pa të meta?! Ai që vepron, që ka aftësi vepruese dhe ndihmuese, apo ai që nuk i ka cilësi të tilla, që nuk ka fuqi të veprojë a të arrijë diçka?!

Veprimet e Allahut të Lartësuar që kanë lidhje me Veten e Tij apo me krijesat e Tij, tregojnë se Ai është Absolut, pa asnjë të metë. Nëse ata pretendojnë se pohimi i atributeve që Allahu i ka pohuar për Veten e Tij dhe që Profeti i Tij i ka pohuar për Të, është një lloj përngjasimi i Allahut me krijesat e Tij, atëherë ne përgjigjemi duke u thënë: Të dyja palët jemi dakord se të flasësh rreth atributeve të Zotit do të thotë që të flasësh rreth Qenies së Tij. Atëherë, nëse pranojmë se Qenia e Tij nuk i përngjan asnjë prej krijesave të Tij, përse të mos e pranojmë këtë rregull edhe për atributet e Tij. Pra, le të themi që Ai ka atribute të cilat nuk i përngjajnë asnjë prej atributeve të krijesave të Tij, dhe çështja mbyllet me kaq. Nëse pranojmë që atributet e Tij janë ashtu sikurse i përshtaten Madhështisë së Tij, atëherë ne e përjashtojmë përngjasimin e cilësive të Tij me cilësitë e krijesave.

Përveç këtyre, ka njerëz të cilët pranojnë disa atribute të Zotit dhe mohojnë disa të tjera, siç ka gjithashtu që i pranojnë emrat e Zotit, por mohojnë cilësitë e Tij. Të këtillëve u themi: Për ju ka veç dy mundësi: ose të pranoni të gjithë emrat dhe cilësitë që Zoti i ka pohuar për Veten e Tij dhe që Profeti i Tij i ka pohuar për Të, ose t’i mohoni të gjithë këta emra dhe cilësi, e në këtë mënyrë të mohoni vetë Zotin e botëve. Ndërsa mundësia e tretë, ajo që ofroni ju, është tepër kontradiktore me veten. Çfarë dallimi ka mes atyre atributeve të Zotit që ju i pranoni dhe atyre atributeve që ju nuk i pranoni?! Ata nuk mund të sjellin asnjë argument bindës për qëndrimet e tyre, megjithëse pretendojnë se cilësitë dhe emrat e Zotit që ata i pranojnë, për nga kuptimi që kanë, nuk tregojnë ngjashmëri të Krijuesit me krijesat, gjë që, sipas tyre, nuk ndodh me emrat dhe cilësitë që ata nuk i pranojnë.

Ehli sunet-i përgjigjet: “Edhe emrat e atributet e Allahut që ju i mohoni nuk tregojnë ngjashmëri me krijesat, po t’i gjykoni nga i njëjti këndvështrim me të cilin ju shihni ata emra dhe atribute të Allahut që nuk i mohoni.”

Ata përgjigjen me arrogancë: “Nga ata emra dhe cilësi që ju pohoni për Zotin e botëve, ne mund të kuptojmë veçse një përngjasim të Tij me krijesat.”

Ehli sunet-i kundërpërgjigjet: “Edhe ne, po të përdorim mënyrën tuaj të gjykimit rreth emrave dhe cilësive të Zotit, do t’i shohim ato emra dhe cilësi që ju i pranoni, si përngjasim të Tij me krijesat. Me fjalë të tjera, emrat dhe cilësitë që ju i pranoni nuk kanë asnjë ndryshim nga cilësitë dhe emrat që ju i mohoni, nëse përdorim të njëjtën mënyrë gjykimi dhe të njëjta kritere për trajtimin e tyre.

Ose, më mirë, na jepni argumentet tuaja që tregojnë se cilësitë dhe emrat që ju i pranoni dhe i pohoni për Zotin e botës, nuk kuptohen si përngjasim me krijesat! Kur ata sjellin argumentet e tyre, ne u themi:

Argumentet që ju i përdorni për të pranuar disa emra e cilësi të Allahut, që, sipas jush, nuk nënkuptojnë përngjasim të Allahut me krijesat, janë po ato që edhe ne të ehli sunet-it përdorim që të vërtetojmë se emrat dhe cilësitë që ju i mohoni nuk nënkuptojnë përngjasim të Allahut me krijesat. Ata që pohojnë disa cilësi dhe emra të Allahut dhe mohojnë disa të tjera, ndërkohë që Allahu i Lartësuar dhe Profeti i Tij i kanë pranuar dhe pohuar të gjitha ato, janë kontradiktorë me veten e tyre dhe të turbullt në çdo gjykim që japin. Ata nuk mund të arrijnë askund, në çdo mënyrë që të argumentojnë, qoftë me fakte konkrete, qoftë nga ana logjike. Madje, atyre që kundërshtojnë dëshmitë e ardhura nga Zoti dhe Profeti i Tij, u duhet gjithashtu që të shkelin edhe mbi argumentimet logjike që ata përdorin. Vetëm në këtë mënyrë ata mund t’i qëndrojnë besnikë mendimit të tyre. Por ky quhet veçse fanatizëm i tërbuar dhe i kotë.

Tefsiri i Sadit
Përktheu: Uthman Agolli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit