3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

MONYEVAL: Shqipëria nuk ka përmirësuar ndjeshëm masat kundër pastrimit të parave

Më të lexuarat

Shqipëria rezulton se nuk ka shënuar përmirësim të ndjeshëm të masave për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në përputhje me rekomandimet e Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF). Në këtë përfundim ka arritur një raport i publikuar sot nga Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit, i njohur me emrin MONEYVAL, një organ i përhershëm monitorimi i Këshillit të Evropës, të cilit i është besuar detyra e vlerësimit të pajtueshmërisë me standardet kryesore ndërkombëtare për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmin dhe efektivitetin e zbatimit të tyre, si dhe detyra për të bërë rekomandime për autoritetet kombëtare në lidhje me përmirësimet e nevojshme në sistemet e tyre

Një vlerësim i bërë në vitin 2018, çoi më pas në përfshirjen e Shqipërisë, në SHkurt të vitit 2020, në listën e vendeve nën monitorim të shtuar, ose siç njihet ndryshe në “listën gri”. “Mangësitë me pajtueshmërinë teknike u identifikuan në lidhje me sanksionet e synuara financiare, transparencën e rregullimeve ligjore, mbikëqyrjen e institucioneve financiare dhe bizneseve dhe profesioneve jo-financiare”, shpjegon MONEYVAL. Në atë kohë autoritetet shqiptare deklaruan se “vendi ka hartuar një plan veprimi për plotësimin e rekomandimeve” brenda vitit 2020.

Për në raportin e ri, theksohet se “MONYEVAL ka ekzaminuar një sërë masash legjislative, rregullatore dhe institucionale të zbatuara nga Shqipëria për të adresuar këto mangësi. Ai zbuloi se vetëm disa hapa pozitivë ishin ndërmarrë nga autoritetet në lidhje me sanksionet e synuara financiare”. Për pasojë vlerësimi për një nga rekomandimet e FTAF-së ndryshoi nga “jo i pajtueshëm” në “pjesërisht i pajtueshëm“.

Raporti gjithashtu përfshiu zbatimin e kërkesave të reja ndërkombëtare për pasuritë virtuale, duke përfshirë, ndër të tjera, monedhat virtuale më të shquara (Bitcoin, Ethereum, etj.), dhe ofruesit e tyre. “Vlerësimi i Shqipërisë për zbatimin e këtij Rekomandimi është ulur nga “kryesisht i pajtueshëm” në “pjesërisht i pajtueshëm”. Vlerësimet e tjera mbeten të pandryshuara”, bën të ditur MONEYVAL, duke njoftuar se ka vendosur që “Shqipëria duhet të mbetet nën monitorim të shtuar dhe të raportojë për përparimin e mëtejshëm në forcimin e zbatimit të masave, në bazë vjetore”. /voa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit