Transmetohet se një njeri i tha Uvejs el-Karenit: “Na ndero me vizitën tënde dhe kështu lidhu me ne në një lidhje miqësore.”Kurse Uvejsi iu përgjigj: “Unë jam miqësuar me ty me diçka më të mirë se vizita dhe takimi fizik, dhe ajo është lutja për ty në mungesë.”
Kjo është mënyra më e mirë dhe më madhështore e lidhjes vëllazërore dhe miqësore. I Dërguari i Allahut (savs), ka thënë: “Lutja e një muslimani për një vëlla musliman që mungon është e pranuar. Kur njeriu e bën një lutje për vëllain e tij që mungon, meleku thotë: ‘Amin! Gjithashtu edhe ty!” (Muslimi)
Ruajeni gjuhën tuaj nga sulmet ndaj nderit të dikujt
Hafëz Ibn Haxheri, në librin e tij Ed-Dureru-l-kamine, ka përmendur një nga bashkëkohësit e tij për të cilin ka thënë: “Kah fundi i jetës së tij atij i ndryshoi mendja dhe iharroi shumicën e gjërave që i dinte, madje i harroi edhe ato që i dinte përmendsh nga Kurani. U tha se kjo ishte ndëshkimi Allahut, sepse ai kishte përgojuar dhe shpifur për shumë njerëz.”
Ibnul-Kajjim el-Xhevzijje, ka thënë: “Njeriu do të vijë në Ditën e Gjykimit me vepra të mira sa malet, dhe do të zbulojë se gjuha e tij i ka shkatërruar të gjitha. Kurse tjetri do të vijë me mëkate sa malet, dhe do të zbulojë se gjuha e tij gjithashtu i ka shkatërruar të gjitha, për shkak të dhikrit të vazhdueshëm dhe madhërimit të Allahut.”
T’i frikësohemi Allahut po aq sa frikësohemi nga sundimtarët e tokës
Sufjan eth-Thevriu ishte ulur njëherë me miqtë e tij, dhe i pyeti ata: “Më thuani, nëse do të ishte ulur me ju dikush që do t’ia përcillte sulltanit ato që po thoni, a do të thoshit diçka për të cilën do të thirreshit në përgjegjësi?”Ata thanë: “Sigurisht, se nuk do të flisnim për këtë.” Pastaj Sufjan eth-Thevriu u tha atyre: “Dijeni se gjithmonë janë me ju ata që ia përcjellin fjalët tuaja Allahut të madhërishëm.” (Ibn el-Xhevzi, Dhemmul-heva)
Kështu vidhet nga jeta
A e dini ju se si vjedh njeriu nga jeta? Ai është i hutuar me të sotmen e tij duke e pritur ditën e nesërme. Dhe kështu qëndron derisa të skadojë afati i tij në këtë botë, kurse ai në duar ka zero të mira. (Muhamed Gazali, Rinovo jetën tënde)
Fuqia e tevbes së sinqertë
Hasan el-Basriu ka thënë: “Njeriue bën një mëkat, por ai nuk e harron atë dhe nuk pushon së frikësuari për veten e tij nga ai mëkat derisa të hyjë në xhenet, për shkak të forcës dhe sinqeritetit të tevbes dhe pendimit të tij.”(Imam Ahmedi, Ez-Zuhd)
Mendja nuk sjell dobi pa devotshmëri
Mendimtari i famshëm islamik nga koha e dinastisë Abaside, Abdullah ibn el-Mukaffa, ka thënë: “Djali im, mendja nuk sjell dobi pa devotshmëri, as mësimi (memorizimi) pa e kuptuar, as bukuria pa ëmbëlsi, as origjinë pa edukatë dhe njerëzi, as gëzimi pa siguri, as pasuria pa bujari, as burrëria pa përulësi, as zelli pa udhëzim.” (Ibn el-Mukaffa, Edebus-sagir)
Përkthim: Miftar Ajdini