Covid-19 u shfaq vonë në Turqi, më 11 mars, por shumë shpejt “pushtoi” çdo kënd të vendit. Brenda muajit të 81 provincat u prekën. Ishte një nga rritjet më të mëdha në botë, më keq se Kina dhe Britania e Madhe. Ekzistonte frika se Turqia mund të kthehej në një tjetër Itali, që asokohe ishte vendi më i prekur.
Tani jemi tre muaj pas dhe kjo gjë nuk ndodhi, madje pa pasur një izolim total të vendit. Numri total i vdekjeve ka shkuar në 4.397 – një numër i ulët për një popullësi prej 83 milionësh.
Si ia doli Turqia ta mbante nën kontroll koronavirusin?
Sipas Dr. Jeremy Rossman, Turqia ishte një nga vendet që reagoi shpejt me testime, ndjekje të kontakteve të të infektuarve, izolim dhe masa për sa i përket levizjes.
Ndërkohë që virusi po merrte përhapje, autoritetet turke ndaluan uljet në kafene, blerjet në tregje të mbipopulluara apo faljet në xhami. Njerëzit mbi 65 dhe ata poshtë 20 vjeç u izoluan totalisht. Stambolli ishte qendra e epidemisë dhe e humbi ritmin.
Tani masat po lehtësohen, megjithatë mjekët janë në alert.
“Fillimisht ishim të shqetësuar. Turqia kishte rreth 3500 raste pozitive në ditë, por testimet kanë funksionuar. Ata s’duhet të prisnin 5-6 ditë për rezultatet”, -thotë Dr Irshad Shaikh, përfaqësues i OBSH-së në Turqi, i cili shton gjithashtu se meritat i shkojnë edhe karantinës, izolimit dhe gjurimimit të kontakteve.
Turqia është pro përdorimit të hidroksiklorinës.
Ndërkohë OBSH ka pezulluar përdorimin e hidroksiklorinës si një ilaç për trajtimin e koronavirusit, pasi sipas një studimi të Lancet, ky ilaç mund të shkaktojë probleme me zemrën te pacientët me Covid-19.
Dr Nurettin Yiyit shpjegon për BBC se Turqia e ka përdorur këtë medikament që herët. Sipas tij, qasja e Turqisë ndaj virusit ka qenë që ta trajtojë atë herët dhe në mënyrë agresive. Ata përdorin hidroksiklorinën dhe ilaçe të tjera, së bashku me plazmën e gjakut dhe oksigjenin në përqëndrime të mëdha.
Turqia ka pasur gjithashtu avantazhe në menaxhimin e Covid-19, si mosha e re e popullsisë dhe numri i lartë i shtretërve në spitale. Megjithatë, lufta e Turqisë me koronavirusin nuk ka mbaruar ende.
Përktheu Mapo.al
Burimi: BBC