12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

A do të na besonte neve Omeri r.a.?

Më të lexuarat

Allahu i Plotfuqishëm nuk ka krijuar asgjë kot, asgjë nuk ka urdhëruar kot. Çdo gjë që ka krijuar, Ai e ka bërë me masë, gjithçka që ka urdhëruar, e ka bërë me arsye. Të gjitha krijesat e Allahut, e lavdërojnë dhe madhërojnë Krijuesin. Kjo është edhe detyrë e njeriut, dhe për ta arritur këtë, për t’u bërë besimtar i vërtetë, është e domosdoshme që ibadetet e fesë t’i përmbushë me zell.

Namazi është ibadet, dhe ka për detyrë që të na largojë nga e keqja dhe shfrenimi. Agjërimi është ibadet, dhe ka për detyrë që të na forcojë besimin dhe të na largojë nga e keqja. Zekati është farz, dhe ka për detyrë që të na bëjë të vetëdijshëm se ne nuk jemi pronarë të vërtetë të pasurisë. Haxhi është ibadet, dhe ka për detyrë që të na ndryshojë neve për të mirë.

Ibadetet nuk janë, as nuk duhet t’i kuptojmë, si qëllim në vetvete. Ato janë korrigjim i vazhdueshëm i njeriut dhe mjet, i cili njeriun e bën të vetëdijshëm për varësinë ndaj Zotit, dhe ia tregon kufizimet, të cilat nuk guzon t’i tejkalojë.

Muaji ramazan, që ishte i mbushur përplot me këto begati të jashtëzakonshme, tashmë është prapa nesh. Shumë prej nesh kemi qenë të zellshëm në kryerjen e ibadeteve të ramazanit gjatë ramazanit. Kam frikë se shumë njerëz e kanë kuptuar, se vetëm prania në atë ibadet, çon në kënaqësinë e Allahut. Por nuk është kështu! Pamja jonë e jashtme, nuk e konfirmon as nuk e dëshmon fenë tonë.

* Në një transmetim thuhet: „Në kohën e pejgamberit Sulejman (a.s.), një zog fluturon dhe zbret në krahun e një burri. Ai burri e godet shumë dhe ia then krahun. Zogu, shkon dhe ankohet te Suleimani (a.s.). Sulejmani (a.s.) e thirri burrin në përgjegjësi. Pasi e dëgjoi, e shpalli atë fajtor dhe vendosi t’ia thyejë krahun. Pikërisht, kur deshen ta zbatojnë aktgjykimin, zogu tha: ‘Unë këtë njeri e pashë nga larg, dhe kur ia pashë xhyben, shallin dhe mjekrën, mendova se ai është njeri i mirë nga i cili të gjithë janë të sigurt, se ai nuk i bën keq askujt, andaj fluturova dhe zbrita në krahun e tij. Në vend se të ia thyeni krahun, rruajani mjekrën dhe hiqnja xhyben dhe shallin.“ Kështu duke dëshmuar zogu, përfundoi: Mua më mashtroi pamja e tij e jashtme.

* Para halifit Omer (r.a.), kishte ardhë një njeri për të dëshmuar.
Omeri (r.a.) i thotë: – Unë ty nuk po të njoh! Ma sill dikë, i cili të njeh ty.

Aty, një nga të pranishmit tha: – Unë e njoh atë.

Omeri e pyeti: – Si e njeh ti atë?

Ai tha: – Unë e njoh atë si njeri të drejtë dhe të besueshëm,.

Omeri e pyeti: – A është ai fqinji yt? A e din se si i kalon ai ditët dhe netët?

– Jo! – iu përgjigj ai.

Omeri (r.a.) vazhdoi ta pyeste: „A ke bërë biznes me të? – Jo! – iu përgjigj njeriu.

– A ke qenë me të në ndonjë situatë, ku do të tregohej morali i tij, siç është udhëtimi? – Jo! – përsëri u përgjigj njeriu.

– Ti nuk e njeh atë! – i tha Omeri (r.a.) dhe shtoi: – Unë mendoj se ti atë vetëm e ke parë në xhami.

Pastaj, u kthye kah ai njeriu i parë, dhe i tha: – Shko dhe sille dikë që të njeh!

Muhamedi (savs), ka thënë: „Mos e shikoni namazin dhe agjërimin e njeriut, por shikoni kur flet, a e flet të vërtetën. Kur i besohet diçka, a tradhëton? Kur i ofrohet dynjaja a e braktis devotshmërinë? Si sillet kur bëhet fjalë për interesat e tij? Nuk ka besim, tek ai që nuk ka besnikëri.“

Ramazani tash është prapa nesh. Ne e falem namazin. I falem namazet e detyrueshme, edhe ato jo të detyrueshme. Dëgjuam edhe mukabele! Në këtë muaj – ndonëse sivjet në rrethana tjera – ne bëmë më shumë aktivitete se sa që bëjmë në muajt tjerë të vitit.

Dhe kjo është e mirë dhe për lavdatë, sepse vërteton vetëdijen tonë për ne, dhe identitetin tonë, por ne nuk e dimë, se a do të na vendosë kjo në shoqërinë e njerëzve, të cilëve ju beson Omeri (r.a.)! Ai do të na kërkonte ta gjejmë dikë që na njeh më mirë, dikush që e njeh karakterin tonë, moralin tonë, i cili e njeh sjelljen tonë, sepse pikërisht aty është konfirmimi i besimit të vërtetë.

Pejgamberi (savs) na thotë, mos u mbështetni në ibadetet njerëzore, mos i gjykoni njerëzit sipas namazit të tyre, as sipas agjërimit të tyre! Andaj ne, me të drejtë duhet ta pyesim veten: A kemi qenë ne në ramazan apo ramazani ishte tek ne? Nëse ne kemi qenë në ramazan, atëherë ibadeti ka ndikuar, dhe na ka bërë besimtarë më të mirë, sepse këtë e ka për detyrë. Ndërsa, nëse ramazani ka qenë tek ne, ja pra, ai shkoi.

Në këtë hutbe të parë, pas ramazanit, duhet ta pyesim veten:
– A do të ketë më shumë të vërteta në fjalët tona?
– A na ka edukuar dhe mësuar ramazani, se gënjeshtra dhe fjala e shëmtuar nuk i kanë hije besimtarit?
– A do të ketë më shumë besueshmëri në mes nesh?
– A ka ndikuar Ramazani me ibadetet e tij, tek ne me edukim dhe a na ka bërë njerëz që kujdesen për emanetin e besuar?
– A ka më shumë devotshmëri në zemrat tona, apo përsëri pas xhamisë, pas ibadetit dhe ramaznit, të gjithë së bashku jemi kthyer në mesin e një shoqërie të korruptuar pa dëshirë për ndryshim?
Dhe asgjë nuk mund të ndryshojmë, nëse nuk e ndryshojmë vetveten.

Shikoni, Pejgamberi (savs) paralajmëron, se njerëzit shpesh e lëshojnë devotshmërinë kur ju ofrohet dynjaja. Kurse ne, kur ju besojmë njerëzve funksione të rëndësishme në shoqëri, i gjykojmë sipas asaj se a falen apo jo?

Është mirë nese ata falen, është mirë edhe nëse agjërojnë, por për fat të keq, kjo nuk është garanci se ata edhe janë të ndershëm, sepse atyre vetëm për shkak të këtyre ibadeteve, nuk do tu besonte Omeri (r.a.)!

Xhemati është karakteristikë e ramazanit. Është normale që anëtari i xhematit, gjithmonë e vendos interesin e xhematit para atij personal. Pejgamberi (savs) na mëson, që kur të gjykojmë për një njeri, të shikojmë se si sillet ai kur është fjala për interesin e tij dhe për interesin e përgjithshmen.

Fatkeqësisht, për realizimin e interesave personale, jemi të gatshëm (edhe ne që jemi në xhami), ta sakrifikojmë krejt stazhin tonë të xhamisë, dhe t’i harrojmë të gjitha mesazhet e ibadetit.

Omeri (r.a.), kërkon që të vjen dhe të flasë për neve dikush që na njeh! Dhe, neve na njeh ai që di se si sillemi ne jashtë xhamisë, neve na njohin fqinjët tonë, neve na njeh ai që bën biznes me ne, dhe kush ka qenë me ne, në një situatë ku shfaqet karakteri dhe morali ynë, siç është udhëtimi.

Ibadeti nuk do të na shpëtojë, nëse nuk jemi besimtarë të vërtetë, sepse Pejgamberi (savs) thotë: „Nuk ka besim tek ai që nuk ka besnikëri.“

O Allahu i Lartëmadhërishëm! Na bëj neve të vetëdijshëm për gjithëpërfshirjen e fjalës Sate! Na bëj të vetëdijshëm, se fjala Jote, i rregullon të gjitha sferat e jetës sonë. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit